E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtari dhunon një çift, nuk duronte puthjet e tyre


Një çift ka rënë pre e dhunës së një ushtari, pasi ky i fundit nuk ka duruar puthjet e tyre para pallatit ku banonte. Ngjarja ka ndodhur katër net më parë, por policia e kryeqytetit ka mundur të identifikojë autorin vetëm ditën e djeshme, të cilin e ka dërguar për ndjekje penale për kanosje dhe plagosje të lehtë me dashje. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se natën e 27 shkurtit, dy të rinj kanë shkuar në polici dhe kanë deklaruar se ishin kërcënuar me armë nga një ushtar. Me t‘u njoftuar, policia ka regjistruar kallëzimin e tyre. Në denoncimin e tyre, të rinjtë, E. M. 20 vjeçe dhe B. C., po 20 vjeç, kanë deklaruar se kanë qenë poshtë pallatit në afërsi të Shkollës së Kuqe, duke qëndruar si dy të dashuruar. Afër mesnatës, një person u është afruar dhe u ka kërkuar që të largohen. Në këto momente, ata kanë kërkuar shpjegime, por në vend të tyre, janë përballur me një pistoletë. Personi i armatosur i ka kërcënuar se do i vriste po t‘i shihte më aty dhe më pas i ka goditur me qytën e pistoletës. Pasi ata kanë marrë mjekimin e duhur, janë paraqitur në polici. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, menjëherë ka nisur puna për identifikimin e autorit të kësaj ngjarjeje, i cili është zbuluar vetëm dje. Nga të dhënat e mbledhura operative ka rezultuar se ai ishte A. J., 31 vjeç, ushtar, në një nga repartet e Tiranës. Policia nuk ka dhënë detaje nëse ushtaraku është shoqëruar dhe marrë në pyetje në lidhje me këtë ngjarje, por deklaroi se ai do të ndiqet penalisht për dy vepra penale, atë të kanosjes dhe plagosjes së lehtë me dashje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›