Fierzë, vijojnë shkarkimet e detyruara, familjet tri javë në ujë
Prurjet janë në nivelin 640 m³/s, ndërsa shkarkimet kanë arritur në 200 m³ për sekondë
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare vazhdon shkarkimet e ujit në hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës, të nisura që në orën 17:00 të ditës së shtunë, si pasojë e tejmbushjes dhe reshjeve masive të ditëve të fundit. Sipas të dhënave më të fundit të KESH, vazhdon të ndiqet me shqetësim situata në liqenin e Fierzës, i cili ka mbledhur rezerva ujore në nivelin alarmant të 296.41 metrave mbi nivelin e detit. Sipas KESH, prurjet në basenin e Fierzës janë në nivelin 640 m³/s ndërsa shkarkimet kanë arritur në 200 m³ për sekondë. Hidrocentrali po punon me 4 agregatë dhe prodhon 455 MW energji. Në hidrocentralin e Komanit, niveli i rezervës ujore ka arritur në 173.19 m. Sipas KESH, prurjet nga Fierza janë 886 m³ për sekondë ndërsa prurjet anësore 236 m³ për sekondë, ndërsa shkarkimet nga porta kanë arritur në nivelin 300 m³ për sekondë. Edhe hidrocentrali i Komanit po punon me 4 agregatë ndërsa prodhimi është 500 MW. Po sipas të dhënave më të fundit të KESH-it, Vau i Dejës ka arritur në kuotën e 74.24 metrave dhe po punon me 5 agregatë duke prodhuar 230 MW.
Prurjet e akumuluara nga 2 hidrocentralet e tjera kanë mbërritur në 1085 m³ për sekondë, ndërsa ato anësore në 40 m³ për sekondë, kurse shkarkimet nga porta janë në nivelin 400 m³ për sekondë. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare thotë se po monitoron situatën ndërsa sqaron se shkarkimet janë të detyrueshme. Ndonëse po përmirëson bilancin energjetik të KESH, gjendja e krijuar po shoqërohet me përmbytje të mëdha në zonën e Nënshkodrës duke shkaktuar dëme të mëdha për banorët e kësaj zone. Autoritetet ngurrojnë të shpallin gjendjen e emergjencës në zonat e përmbytura në Shkodër. Me qindra familje jetojnë prej më shumë se tri javësh të rrethuar nga uji dhe me mungesa të theksuara në mjetet kryesore të jetesës. Drejtuesit e pushtetit vendor në zonat më problematike si në Komunën Ana e Malit ngulmojnë në shpalljen e emergjencës dhe kërkojnë ndihma urgjente për banorët.
Ndërkohë harta e përmbytjes vijon të jetë problematike me gjithë një rënie të lehtë të nivelit të ujit. Në fshatrat Obot, Goricë, Darragjat dhe Shirgj në Nënshkodër vazhdojnë të jenë të rrethuara nga uji dhe pa asnjë ndihmë qindra familje.
Hapja e portave të hidrocentralit të Spilës në Maqedoni po shkakton dëme dhe përmbytje përgjatë rrjedhës së lumit edhe në Shqipëri. Janë disa qindra hektarë tokë të përmbytura dhe të gërryera nga lumi Drin në zonën e fshatit Gjoricë të Rrethit të Bulqizës. Prurjet kanë ndryshuar edhe shtratin e lumit. Prurjet e mëdha kanë dëmtuar një pjesë të argjinaturës së Drinit, i cili shërbente për mbrojtjen e shtëpive të kësaj komune.
Fierzë, vijojnë shkarkimet e detyruara, familjet tri javë në ujë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email