Uji i ndotur, Delvina nesër në protesta. Malaj: Shkaktarët, përgjegjësi
Delvinë- Deputeti i Partisë Socialiste, Arbenmalaj dhe banorët e Delvinës ditën e martë me 9 prill pritet të zhvillojnë një protestë në qendër të qytetit, në lidhje me situatën e rënduar të mungesës së furnizimit me ujë për banorët e Delvinës.
Deputeti i Qarkut të Vlorës Arben Malaj ka ftuar të gjithë qytetarët e Delvinës t’i bashkohen kësaj protestë sipas tij paqësore dhe sensibilizuese. Sipas Malajt kjo do të jetë ‘një protestë ndaj mungesës së ujit, ndaj heshtjes dhe korruptimit të qeverisë’.
Kryeministri nuk kthen përgjigje kur unë i drejtohem si deputet i qarkut të Vlorës ndërsa ministri Olldashi justifikohet se akoma nuk e kanë gjetur shkakun përse është bërë i pa përdorshëm uji në Delvinë. Banorët kanë muaj që e paguajnë shtrenjtë mungesën e ujit,- ka theksuar Malaj.
Malaj bën të ditur se shkak për dëmtimin e furnizimit me ujë të pijshëm dyshohet të jenë bërë shpërthimet nga kërkimet për gaz apo naftë nga një kompani private në këtë zonë.
Në vendet e tjera këto kompani paguajnë miliona deri në milarda dollarë gjoba për dëmtimin e ambientit dhe burimeve natyrore. Në këtë rast bëhet fjalë për dëmtimin e burimit më jetik, dëmtimin e cilësisë së ujit,- ka theksuar Malaj.
Armand Kurati/IDEA/