Figurat e njohura te Partise Socialiste braktisen konferencen e gjenerates tjeter
Në media emërtohet si “garda e vjetër” e Partisë Socialiste. Kryesocialisti Rama e mbajti larg në formimin e qeverisë së re dhe ata duket se janë përgjigjur me të njëjtën monedhë.
Emrat e njohur mes socialistëve, që për vite të tëra kanë qenë zëri publik i partisë, si Pandeli Majko, Gramoz Ruçi, Valentina Leskaj, Fatmir Xhafaj apo Arta Dade nuk morën pjesë në konferencën dy ditore të organizuar nga vetë Rama, ku u thirrën ekspertë nga vende të ndryshme të botës për të dhënë mendimet mbi territorin dhe ekonominë.
Shumë prej këtyre emrave pranojnë se janë ftuar si me telefon ashtu edhe me email, ndërsa justifikojnë mungesën me impenjime të ndryshme. I kontaktuar nga “ABC News”, deputeti Fatmir Xhafaj tha se ishte me pushime në Vlorë dhe çdo arsye tjetër për mospjesëmarrjen e tij e quajti aludim të kotë.
Valentina Leskaj gjithashtu konfirmoi se ftesën e kishte marrë, por pyetjes përse nuk mori pjesë në konferencë, iu përgjigj shkurt: kisha tjetër axhendë.
Ndërsa Gramoz Ruçi tha se as nuk kishte nevojë për ftesë. “Konferenca ishte e organizuar nga partia dhe Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë nuk ka nevojë për t’u ftuar në shtëpinë e tij”, iu përgjigj Ruçi interesimit të “ABC News”. Mungesën, ish-kryetari i grupit parlamentar, e justifikoi me pushimet që po kryen jashtë vendit.
Me formimin e Qeverisë së re, Rama shpjegoi se politikanët me eksperiencë kishte preferuar t’I linte në Kuvend. Duket se edhe ata kanë preferuar t’i qëndrojnë larg sfidave të ekzekutivit të ardhshem, duke shmangur edhe rrezikun e dështimit.