Fiks Fare zbardh pamjet e incidentit, vetë Berisha kujdeset për sekuestrimin e filmimeve (FOTO)
Emisioni Fiks Fare zbardhi me plane incidentin e ndodhur dy ditë më parë gjatë inaugurimit të tunelit të Kërrabës mes punonjësve të Gardës së Republikës dhe operatorit të këtij emisioni.
Emisioni Fiks Fare denoncoi dje aktin e paprecedent të kërcënimit të operatorit të tij dhe sekuestrimit të kasetës filmike të xhirimeve gjatë një aktiviteti publik, siç ishte ai i inaugurimit të Tunelit të Kërrabës.
Pak minuta pas përfundimit të inaugurimit të këtij tuneli, ndodhi një incident, ku Garda dhe rojet personale të kryeministrit ndaluan grupin e xhirimit të emisionit Fiks Fare.
Në pamjet filmike që transmetoi Fiks Fare, duket që vetë kryeministri interesohet për këtë kamera, e cila është duke xhiruar përgatitjet e tij pak minuta përpara fillimit të fjalimit në ceremoninë e inaugurimit.
Në këto sekuenca filmike të transmetuara në Fiks Fare, punonjësit e Gardës së Republikës kërkojnë me insistim që të sekuestrojnë kasetën filmike si dhe pranojnë se urdhrin për largimin e operatorit të Fiks Fare nga aktiviteti e ka dhënë zëdhënësja e kryeministrit.
Fiks Fare transmetoi të plotë pamjet e incidentit me operatorin Eno Çuçllari si dhe pamjet për të cilat u dha urdhri për ndalimin e xhirimeve nga kameramani.
Në këtë bisedë punonjësit e Gardës së Republikës kërcënojnë se do të thërrasin policinë nëse operatori nuk do tu japë kasetën me xhirimet e ceremonisë së inaugurimit të tunelit.
Mesa duket këtë radhë shqetësimi nuk ka qenë pjesëmarrja në mitingje, e cila ka kohë që është në investigimin e emisionit Fiks Fare, por lëvizjet dhe përgatitja e vetë kryeministrit përpara fjalimit që do të mbante me këtë rast.
Urdhri i Gardës së Republikës është i paprecedent dhe dhunon të drejtën që rrjedh nga Kushtetuta e vendit për informim.



