E Martë, 3 Nëntor 2026

Fileto pule me salmonelë, Denaj: Çështja nën hetim, personat përgjegjës përpara drejtësisë

TIRANË, 31 mars /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj u shpreh sot se çështja e sasisë së filetove të punës me salmonelë është një rast me të cilin nuk përballet vetëm Shqipëria, por gjithë rajoni edhe bota, pasi sipas Denaj “rritja e sëmundjeve që kalojnë nga kafshët dhe rrezikshmëria te njeriu është një situatë alerti”.

Në një prononcim televiziv, Denaj theksoi se bizneset kanë një detyrim ligjor për të lajmëruar në gjurmueshmërinë e produktit. “Dhe po aq duhet të jetë përgjegjësia edhe e institucioneve të varësisë dhe ato që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me gjurmueshmërinë”, u shpreh ajo.

“Në datën 21 mars është marrë përgjigja e analizave nga ISUV, për ekzistencën nga një ngarkesë, në monstrën e marrë në një sasi prej 7.2 tonë për evidencën e salmonelës, e cila ka një rrezikshmëri edhe për sëmundjet e tifos”, tha ministrja Denaj.

Sipas saj, është kërkuar që të gjurmohet gjithë zinxhiri i tregtimit.

“Gjatë gjurmueshmërisë janë evidentuar disa mangësi në informacion, dhe rasti është referuar për t’u ndjekur edhe me organe të tjera siç është Hetimi Tatimor, apo për të shkuar edhe në biznese të tjera me Policinë e Shtetit, por është referuar dhe në Prokurori. Ky është një proces nën hetim. Unë do isha shumë e kujdesshme sot që të përmendja shifra për sa kohë gjurmueshmëria nuk ka përfunduar. Mund të jetë një sasi që vetëm kur të dalë inga institucionet që po e gjurmojnë mund të dalë dhe ne ta certifikojmë”, pohoi Denaj.

Ministrja Denaj, referuar rastit u shpreh se “çdo gram është i rrezikshëm”.

“Ne protokollet i kemi të qarta, aty ku është thyer edhe nga institucioni ne i kemi të ekspozuar në përgjegjshmërinë e tyre. Vetëm, në 21 mars është konstatuar salmonela dhe ka nisur gjurmueshmëria, ku detyrimi ligjor vjen edhe nga bizneset. Sepse edhe produktet e tjera, edhe biznesi ka të njëjtin detyrim, ne nuk duhet të relativizojmë për asnjë gramë”, pohoi Denaj. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›