E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filharmonia e Kosovës i bashkohet festës në Vlorë

Filharmonia e Kosovës, të shtunën, më 17 nëntor mban koncert në Kishën “Shën Ndou”, më datë 25 nëntor mban koncert në Prishtinë ndërsa më 28 nëntor janë në Vlorë, i tërë stafi profesional i saj.

Këto janë disa nga aktivitetet e Filharmonisë së Kosovës gjatë muajit nëntor që kanë karakter festiv. Koncerti i datës 17 nëntor do të jetë me korin, solistët vokal dhe Orkestrën Simfonike.

Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, ka pohuar se në këtë koncert në pjesën e parë do të prezantohet Kori Profesional me tri vepra korale, ndërsa vend qendror do të zërë vepra madhështore vokalo-instrumentale GLORIA e kompozitorit të njohur baroken Antonio Vivaldi – premierë.

“Në pjesën e parë të Koncertit do të prezantohet Kori Profesional me tri vepra korale të kompozitorëve Rexho Mulliqi, me ç’rast përkujtojmë edhe 30 vjetorin e vdekjes së këtij kompozitori të madh shqiptar, më pas Benjamin Britten si dhe të Ko Matsushita”, ka thënë ai.

Sa u përket dy koncerteve të tjera që do të mbahen me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në të dyja Filharmonia e Kosovës do të prezantohet me vepra ekskluzivisht të autorëve shqiptar si Fahri Beqiri, Rauf Dhomi, Çesk Zadeja, Feim Ibrahimi, Palok Kurti, Mendi Mengjiqi, Avni Mula dhe Nikolla Zoraqi.

Baki Jashari ka thënë se koncerti në Prishtinë mbahet nën përkujdesjen e Qeverisë së Kosovës ndërsa ai në Vlorë me ftesë speciale të kryebashkiakut, Shpëtim Gjika.

“Koncerti i dytë do të realizohet në qytetin historik të Vlorës me ftesë speciale nga kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika me ç’rast do të merr pjesë i tërë stafi profesional i Filharmonisë së Kosovës me Korin miks, solistët vokal dhe Orkestrën e madhe Simfonike, mbi 90 muzikantë”, ka thënë ai.

Ftesa e kreybashkiakut të Vlorës, nënkupton edhe bartjen e të gjitha shpenzimeve organizative nga ana e Bashkisë së Vlorës. /kosovapress/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›