E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ibra ishte i Arsenalit

Arsene Wenger zbulon se Zlatan Ibrahimovic ishte lojtar i Arsenalit, por në fund kishte ndërruar mendje, duke nënshkruar me Ajaxin. Trajneri francez e qan ende mos transferimin e suedezit në Emirates Stadium. Për super golin e realizuar nga ana e Ibrës ndaj Anglisë, Wenger thotë se atë nuk mund ta shënojë një lojtar normal.

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger ka zbuluar se Zlatan Ibrahimovic kishte marrëveshje me ‘Gunners’ kur ishte 16 vjeç, por që klubi anglez u tregua i pasuksesshëm për ta transferuar sulmuesin suedez.

Ylli me prejardhje boshnjake shfaqi paraqitje brilante ndaj Anglisë duke realizuar katër gola për Suedinë, në miqësoren e zhvilluar të mërkurën mbrëma. Ai ishte njeriu i ndeshjes, ndërsa në fund shënoi një gol spaktakolar nga mbi 25 metra largësi, me stilin gërshërë.

“Ai kishte ardhur për vizitë në qendrën stërvitore. Nuk deshi të nënshkruante kontratë, sepse ishte 16 vjeç në atë kohë. Ai u rikthye në shtëpi dhe ne vazhduam ta vëzhgonim. Doja ta shihja në stërvitje, ndërsa po zhvillohej dita-ditës. Në fund, ai zgjodhi të shkonte në Ajax, kjo ndodhi”, deklaroi trajneri francez.

“Ata na thanë se ishte mjeshtër në kung-fu. Këtë e pamë edhe të mërkurën mbrëma. Ju nevojitet fleksibilitet i veçantë, elasticitet dhe forcë fizike për ta bërë një gjë të tillë. Besoj se të gjithë kemi mbetur të mahnitur, kur një djalosh gjuan nga 30 metra nga prapa. Ishte një gol fantastik. Kur e shihni atë duke shënuar gol të tillë, mund të thoni se një sportist normal nuk mund ta bëjë atë”, vazhdoi Wenger, duke e kujtuar golin e fundit të Ibrahimovicit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›