E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filizat e tjetërsimit

Viliem Kurtulaj

-Studenti është njeriu që ka për punë studimin. Si i tillë, nuk i përket asnjë klase shoqërore dhe nuk është as i varfër, as i pasur. Si rezultat, nuk është as i pushtetshëm e as i papushtetshëm. I pushtetshëm jo, sepse nuk i vendos ai rregullat e së vërtetës. I papushtetshëm jo, sepse ai vetë është e vërteta. Studenti ka për objekt ndërtimin e botës nëpërmjet dijes. Andaj, vendoset në emër (student), si mik i dijes, si pretendent i gjithhershëm për ta shpallur të vërtetën nga vetja. Meqë nuk është vetë në pozitë, mbetet të jetë pretendent i pushtetit në opozitë. Meqë nuk është prezenca, mbetet të jetë rezistenca. Meqë nuk do të jetë pësuesi, mbetet të jetë vepruesi. Prandaj, studenti nuk ka për detyrë vetëm t’i përgjigjet pyetjeve që i drejton universiteti, por edhe t’i drejtojë pyetje universitetit për të marrë përgjigje prej tij. Ky lloj raporti mund t’i shëronte të dy palët, studentin dhe universitetin. Do mund t’i shëronte sepse: universiteti nuk mund të jete universitet pa studentin, dhe studenti nuk mund të jete student pa universitetin. Pra, do të kushtëzoheshin njëri për tjetrin dhe tjetri për njërin. Nuk do te ekzistonin kurrsesi pavarësisht njeri-tjetrit. Duke marrë parasysh se tani dhe sot nuk funksionon kështu, ne studentët ndihemi të detyruar të veprojmë në dy drejtime të ndryshme, por nën të njëjtin qëllim: së pari, politikat e sotme e kanë çuar në krizë rolin e studentit dhe si rezultat edhe rolin e universitetit (institucionin e tij). Universiteti nuk është më në funksion të përkujdesjes së studentit, sepse është në funksion të përkujdesjes së vetvetes. Universiteti i ekzekuton politikat pa marrë parasysh mendimin e studentit. Kjo bën që studenti të jetë i shtypur nga të tilla politika, prandaj detyra e tij është t’i tregojë universitetit se studenti duhet të pyetet për rolin e universitetit. Duhet t’i tregojë me ngulm se vetë Studenti është Universiteti. Së dyti, studenti sot ndihet i tradhtuar edhe nga vetë studenti. Duke qenë se universiteti nuk e pyet studentin, universiteti gjen mënyra për të justifikuar veten. Prandaj, shpesh ai kërkon që studentet t’i përballë me njëritjetrin, pikërisht që ta shmangë studentin nga përballja me veten. Ndodh që universiteti t’i japë statuse universitare studentit (si p.sh senatorë dhe kryesenatorë), pikërisht që studenti mos të ndryshojë asgjë dhe të pranojë atë që është. Këshilli Studentor i universitetit nuk është në funksion të studentit. Pra si “student” na përket ne të ndërtojmë studentin dhe t’i tregojmë po prapë vetes se, Studenti është Universiteti.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›