Filja: Tani shpëtuam, sezonin tjetër në Superiore
Verdheblutë, edhe pse e humbën takimin e fundit, janë përsëri pjesë e kategorisë së parë dhe për sezonin e ardhshëm. Dhe objektivi i tyre kryesor, të paktën për sezonin e ardhshëm, është ngjitja e menjëhershme në Kategorinë Superiore, atje ku mungojnë prej dy sezonesh.
Menjëherë pasi u zyrtarizua qëndrimi në Kategorinë e Parë, trajneri i Elbasanit, Ilirjan File, ka dhënë një prononcim për Gazetën e Sportit, ku është shprehur se është i kënaqur që skuadra, të cilën ai e ka stërvitur, ka arritur ti shpëtojë rënies nga Kategoria. Pasi siguruam mbijetesën dhe kampionati mbaroi, tani duhet të mendojmë – thotë File – për sezonin e ri, edhe pse është larg fillimi i tij.
Ne, pak a shumë, duhet të hedhim piketat për të krijuar një ide dhe për të formuar një skuadër pretendente. Më pas takniku File është shprehur: Kemi zhvilluar një fazë të parë jo të mirë, duke u renditur poshtë në klasifikim. Por menjëherë, në të dytën, kemi bërë disa ndryshime dhe filluam ngjitjen dhe më kryesorja fituam disa takime në transfertë.
Ky kampionat ka qënë shumë i vështirë për ne, pasi konkurenca ishte tepër e madhe dhe kundështarët tanë ishin më lartë. E them këtë, sepse ne kishim një grup lojtarësh të rinj dhe disa futbollistë me eksperiencë. Dhe me mish e shpirt kemi luftuar deri në fund për të mos rënë nga Kategoria, gjë që do të ishte e pafalshme.
Megjithatë ky sezon përfundoi tani – thotë File – dhe duhet që të rekuperojmë gabimet për kamponatin tjetër për të mos e diskutuar jo vetëm rënien. Por ajo që do të jetë shumë e rëndësishme në historinë e futbollit tonë do të jetë dalja sa më e shpejtë në Kategorinë Superiore.
Në sezonin e ri, që do të nisi në shtator, do të kemi një grup lojtarësh më cilësorë dhe mbi të gjitha do të kërkojmë për ta përforcuar dhe më shumë ekipin me elementë shumë të mirë, si dhe do të bëjmë dhe një faze të mirë përgatitore jashtë vendit.
Pra me një fjalë kemi vendosur që, bashkë me presidentin Laze, të bëjmë një Elbasan të madh, ashtu siç ka qënë më parë kur doli kampion. Ndërkohë futbollistët janë lënë të lirë deri në fillim të korrikut, kohë në të cilën do të nisin dhe përgatitjet për sezonin e ri.