Fillimi i Ri
Kapitulli VI
(Vijon nga e diela e kaluar)
Ndërsa zbriste në Rinas pas udhëtimit të tij në SHBA, gati pas 5 vitesh, Sali Berisha shqiptoi para gazetarëve një fjali që do të startonte një rrugë të vështirë për të: fillimi i ri. Dy ditë më parë, në një transmetim direkt nga studioja e radios “Zëri Amerikës”, ai përmendi se për Partinë Demokratike do të jetë një fillim i ri në përpjekjet për të ndërtuar vlerat e përbashkëta në Shqipëri. Vizita e tij në Uashington në ceremoninë e fitores së presidentit Xhorxh Bush ishte paraprirë nga një letër zyrtare që kandidati për Sekretar Shteti, Kolin Pauell, i kishte dërguar disa javë më parë dhe një mesazh miqësor i ish-presidentit, Xhorxh Bush. Në Shqipërinë që mahnitet nga skemat dhe konspiracionet politike, ishte një moment i mirë për të artikuluar diçka të re. Sali Berisha e kishte gjetur atë moment. Pas një dimri të vështirë me mungesa të forta energjie elektrike, pas një rivaliteti në heshtje mes Fatos Nanos dhe Ilir Metës në përpjekje për të diktuar lidershipin e ri parlamentar të PS në zgjedhjet që dukeshin në horizont, Sali Berisha u duk se do të përdorte një strategji të re elektorale për të mos qenë më i përjashtuari i madh i politikës shqiptare.
Për më tepër, në krye të problemeve qëndronin marrëdhëniet e tij jo të mira me ambasadorin amerikan në Tiranë, Jozef Limpreht. Ky i fundit kishte lejuar të citohej se kishte miratuar muaj më parë ndalimin e Berishës dhe kishte pasur me liderin e opozitës përplasje të qarta publike. Berisha nga ana e vet nuk ia kish lënë mangut, duke e etiketuar si “guvernator të paemëruar” në Shqipëri.
Udhëtimi i tij drejt Uashingtonit ishte lajm i papritur në Tiranë dhe qeveria bëri maksimumin për ta bërë atë sa më banal. Për këtë, ajo nisi me urgjencë në Uashington Ndre Legisin, një zyrtar të qeverisë, që e konsideroi të dërguar të qeverisë në ceremoninë e fitores së Bushit. Kjo dhe disa mizanskena të tjera që shoqëronin dyshimet nga një përfillje e re e Uashingtonit për Berishën, filluan ta bëjnë më misterioz udhëtimin normal dhe fare të qartë të Berishës në një ceremonial fitoreje të presidentit Bush. Për këtë arsye, zbritja në Rinas e Berishës dhe deklarata e tij për një “fillim të ri” të PS u mor seriozisht dhe mpiksi një linjë të re politike të tij që i paraprinte fushatës elektorale që do të vinte pas gjashtë muajsh.
Kjo linjë e re duket se u mor seriozisht dhe nga qeveria, e cila tentoi të provokojë menjëherë, duke rihapur dosjen e arrestimit të Berishës. Ndërsa Berisha ishte duke udhëtuar për në Shqipëri, forcat RENEA me maska dhe policë të egërsuar arrestuan në mesnatë në shtëpinë e tij në Tropojë Azgan Haklajn, kryetar i PD në këtë qytet, me arsyetimin se kishte nxitur trazirat e nëntorit të vitit 2000, pas të cilave policia ndaloi Sali Berishën. Konteksti ishte i qartë. Shqiptarët duhet të jetonin me lajmin e Berishës tropojan dhe sulmit mbi komisariat dhe jo me ardhjen e tij nga Uashingtoni. Arrestimi i Haklajt pasoi akuzat e tij ndaj kryeministrit Ilir Meta, se ky i fundit kishte përdorur bomba ndaj demonstruesve të paarmatosur. Përpjekja e qeverisë për ta mbajtur peng opozitën në beteja të vogla dhe ngjarje lokale dhe për ta izoluar atë nga vëmendja ndërkombëtare ishte e qartë.
Ditën që ndodhi arrestimi i Haklajt, ndodhesha në Romë, në një tryezë të organizuar nga “Observatoria Parlamentare” së bashku me disa politikanë dhe gazetarë nga vende ish-komuniste. Në tryezë ishte Xhanfranko Fini, Kazini, Butilione dhe disa politikanë të tjerë të së djathtës italiane. U përpoqëm t’iua shpjegojmë çfarë kishte ndodhur një natë më parë në Shqipëri, por ishte e vështirë ta kuptonin. Një prej tyre na la një takim pasdite, me qëllim që të informohej më mirë. Bisedimet i udhëhiqte Pjetër Arbnori. Në të vërtetë, biseda ishte shumë e shpifur, pasi ai kishte pyetur në Tiranë dhe i kishin thënë se janë provokime të Berishës. Ai nuk mund të mos e besonte bashkëbiseduesin që më parë kishte qenë kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë. Kishte folur pra, me Tritan Shehun. Pjetër Arbnori u përpoq t’ia shpjegonte se këto janë meskinitete politikanësh dhe se Sali Berisha kishte qenë në Uashington e nuk kishte lidhje me asnjë provokim. Aleati i PD në Romë tundi kokën dhe tha se do të ishte mirë të bashkoheshim me njëri-tjetrin, pasi kështu nuk na ndihmonte dot. Kjo frymë denigrimi ndaj opozitës reale, duke marrë për referencë disidentët e saj antiopozitarë, ishte në të vërtetë sëmundja më e rrezikshme e shfaqur ndonjëherë në politikën shqiptare.
Gjatë tryezës me të djathtën italiane shpërndava një raport rreth mënyrës sesi kryeministri Ilir Meta kishte vendosur shtypin nën kontroll gjatë një viti. Iu shpjegova gjyqet e gruas së kryeministrit me gazetarët joqeveritarë, raportet personale të kryeministrit me shtypin proqeverisë, korruptimin dhe blerjen e botuesve, futjen nën kontroll të medias elektronike dhe kontrollin mbi organizatat e gazetarëve. Raporti i përkthyer në anglisht dhe italisht u botua më pas në disa raporte ndërkombëtare dhe e shoqëroi për një kohë të gjatë kryeministrin në vërejtjet e rezervuara që ndërkombëtarët i bënin për lirinë e medias në Shqipëri.
Dështimi i qëllimshëm i përpjekjeve për konsensus
Në horizont ishin zgjedhjet parlamentare, ndërsa kryetari i KQZ, Fotaq Nano, ishte detyruar të jepte dorëheqjen. Ai kishte firmosur dorëheqjen e tij nën premtimin e një pune tjetër në diplomaci dhe presidenti po nxitonte të ribënte një KQZ të re, po ashtu të kontrolluar prej socialistëve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të vitit 2000 ishte me gjashtë anëtarë të qeverisë dhe me një pro qeverisë. I riu pritej të ishte paksa më i zbutur, por thuajse njësoj. Ambasadori i ri i OSBE në Tiranë, Gert Ahrens, filloi të ngrejë paksa tonet për mungesën e seriozitetit të qeverisë në përgatitjet për zgjedhjet. Problemi ishte se qeveria po punonte përditë për të mbajtur një klimë të tensionuar politike. Mungonte realisht klima e besimit, kushti më i domosdoshëm për të filluar një bashkëpunim normal.
Gërmadhat e papastruara të 1 tetorit ishin një pengesë serioze. KQZ, listat e votuesve dhe mënyra sesi qeveria po përpiqej ta shikonte infrastrukturën zgjedhore si çështje administrative ishin sinjale të këqija. Edhe më keq akoma dukej situata, kur një grup deputetësh socialistë deklaruan se do të ndërmerrnin inciativë ligjore për të votëbesuar anëtarët e mbetur të KQZ, iniciativë që përveçse ishte e dyshimtë në qëllimin e saj, donte t’ia jepte gjithë mundësitë për lëvizje politike vetëm qeverisë.
Përpjekja për të kontrolluar gjithçka po kthehej në mani. Qeveria kishte thuajse nën kontroll të plotë median, institucionet e pavarura, institucionet kushtetuese, infrastrukturën e zgjedhjeve dhe tashmë po vendoste të hidhte hapin e fundit për të vënë nën kontroll dhe partitë politike të deklaruara si të opozitës. Tentativa reale po bëheshin deri në Partinë Demokratike. Në disa degë lokale të saj, njerëz të shërbimit sekret nxisnin grindje dhe dhunë dhe shpesh shkatërronin konferencat e saj. Një gjë e tillë ndodhi në Lezhë, Sarandë dhe disa degë të tjera të PD. Por përpjekja më e qartë ishte ndikimi në grupet antiopozitare.
Në horizont po përgatitej krijimi i një opozite të re të pranueshme për qeverinë, e cila të shërbente si presion për zëvendësimin e opozitës reale. Disa parti të vogla, të dala nga Partia Demokratike pas vitit 1997, po shkriheshin me njëra-tjetrën për të formuar një grupim të ri opozitar. Lëvizja për Demokraci dhe Partia e Djathtë Demokratike u bashkuan me njëra-tjetrën në një Lëvizje Reformatore. Në të morën pjesë figurat kryesore të ish-Partisë Demokratike, Dashamir Shehi, Genc Pollo, Albert Brojka, Genc Ruli, si dhe disa figura të dorës së dytë të ish-administratës së PD. Ky ishte realisht grumbullimi më i madh antiopozitar që kish ndodhur ndonjëherë në Shqipëri. Të gjitha fraksionet i bashkonte qëndrimi armiqësor ndaj PD dhe përpjekja për të izoluar Sali Berishën. Iniciativa mbështetej drejtpërdrejt nga qeveria shqiptare dhe veçanërisht Ilir Meta. Mbështetës të kësaj lëvizjeje filluan të ndjehen komodë me qeverinë dhe ishin njerëz të preferuar për t’u punësuar apo për të përfituar nga bashkëpunimi me qeverinë. Por goditja më e madhe që po i jepej opozitës ishte përpjekja për t’i quajtur zgjedhjet e 1 tetorit si zgjedhje të rregullta dhe të lira. Në krye të kësaj fushate ishte grupimi antiopozitar.
Përballë tyre, për hir të së vërtetës, ishte vetëm opozita dhe Fatos Nano. Ky i fundit filloi të përmendë defektet e mëdha të 1 tetorit dhe nevojën për një tryezë politike. Por, ndërkohë, një ftesë të tillë e kishte bërë publike Sali Berisha. Nga qeveria nuk kishte përgjigje. Presioni për bisedime pozitë-opozitë rritej çdo ditë nga Partia Demokratike. Objektivi ishte të pengohej procesi i emërimit të njëanshëm politiko-administrativ i infrastruktrës zgjedhore dhe krijimi i një klime besimi para zgjedhjeve. Kryetari i Partisë Demokratike nisi kështu një tur thuajse nervoz takimesh me ambasadorët më të rëndësishëm të Perëndimit në Shqipëri, ambasadorin amerikan, Jozef Limpreht dhe atë të OSBE, Gert Ahrens. Pas takimeve, Berisha bëri kujdes të ishte i palexueshëm për publikun. Ai kishte pasur me ta takime shumë të vështira, të hapura me debate dhe polemika, sidomos rreth parregullsive të 1 tetorit. Berisha po përpiqej të ishte i rezervuar, pasi, sipas tij, ndërkombëtarët po bindeshin për abuzimet e 1 tetorit, të cilat kishin bërë shumë dëm, duke iu fshehur opinionit publik. E angazhuar në këtë proces dukej dhe zyra e ODIHR. Ambasadori Stoudman bëri thirrje për një Memorandum Mirëkuptimi mes KQZ dhe qeverisë shqiptare për procedurat e votimit, por kjo, në një vend ku qeveria me KQZ ishin shumë të unifikuara, ngjante si tallje.
Dhe, ndërsa tryeza e parë ishte planifikuar të mbahej më 11 shkurt, më 9 shkurt, presidenti Rexhep Meidani dekretoi emrat e rinj të KQZ. Opozita ia kish dalë të bindte shumicën për të nisur të dielën, më 11 shkurt, një tryezë për infrastrukturën zgjedhore. Meidani kishte marrë vendim të emëronte Klement Zgurin dhe Andrea Varfin sërish në KQZ, si dy kandidatura të tij. Mediani kishte bërë të qartë publikisht se ligjet e shtetit nuk mund t’i diktonin tryezat e partive. Shihej qartë se në lojë ishte qeveria, por, në këtë rast, duke përdorur institucionin e Presidentit. Në këto kushte, tryeza e 11 shkurtit ishte një formalitet thuajse i panevojshëm.
Dekretimi i Meidanit u mbështet menjëherë nga Partia Socialiste, çfarë e bëri dhe më të qartë taktikën e tyre. Problemi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në të vërtetë ishte problem i fortë politik. Ai u rrëzua jo se nuk i përmbahej ligjit, por se ishte kthyer në një ngërç për debatin politik në vend, duke qenë tërësisht i njëanshëm.
Nëse Presidenti i Republikës do të kishte vullnet të ndryshonte KQZ me emra të balancuar, ai mund të priste tryezën e partive, të merrte dy emra prej saj që mund të shkonin deri te zyra e tij duke ndjekur procedurën formale kushtetuese, nga Konferenca Gjyqësore dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Të gjitha këto institucione ishin nën kontroll të tij dhe, nëse do të kishte pak vullnet, gjithçka arrihej. Deri në atë moment, thelbi i krizës ishte Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me formulën e tij thuajse kriminale, 6 anëtarë të qeverisë, një pro qeverisë.
Prezenca ndërkombëtare e kishte toleruar këtë situatë, i kishte trimëruar socialistët. Kishte toleruar një provokim të hapur të një presidenti që doli në punë ditën e shtunë për të prishur konsensusin e së dielës. Komuniteti ndërkombëtar i tulatur nga mosmarrja e përgjegjësisë për zgjedhjet e 1 tetorit dhe nxitimi për t’i legalizuar ato, ishte në një krizë besimi dhe në opinionin publik.
Ekzistonte një mendim thuajse në formën e bindjes, se qeveria aktuale nuk i pyet perëndimorët dhe ata nuk kanë shumë mjete në duar për t`iu bërë presion. Pastaj, nën zë, kishte dhjetëra zbërdhime të këtyre versioneve që nga korruptimi i ndonjë nëpunësi deri te shantazhet ndaj tyre. Problemi ishte se nevoja për konsensus mes dy forcave kryesore politike po minohej rregullisht. Prej gushtit të vitit 1998, kur tryeza e thirrur për Kushtetutën u minua nga arrestimi një javë më i parë i gjashtë zyrtarëve të PD e deri më 1 shkurt, kur tryeza e hodh poshtë prej presidentit Meidani, kishte një histori të qartë të mungesës së dëshirës për të përfshirë opozitën në tryezë.
Pas dështimit të qartë të përpjekjeve të opozitës për konsensus, socialistët filluan përpjekje anësore për ta zbutur përgjegjësinë e tyre. Arben Malaj, në atë kohë kryetar i grupit parlamentar, propozoi një takim në nivel ekspertësh. Në të vërtetë problemi qëndronte te formula politike dhe jo zgjidhjet teknike. Dialogu institucional i propozuar prej tij nuk kishte asnjë kuptim, nëse nuk kalonte përmes dialogut real politik.
Ilir Meta, i cili nuk donte të ngelej mbrapa as në paqe, as në luftë me opozitën, filloi të japë sinjale pajtimi. Një muaj më parë ai kishte arrestuar kryetarin e PD të Bajram Currit dhe e kishte torturuar atë, i dhuroi një makinë fuoristradë kryetarit të Bashkisë së Tropojës, për të treguar se ai nuk e urrente atë qytet. Banalizimi në këtë nivel i autoritetit shtetëror dhe përpjekja për t`i ndërtuar privatisht marrëdhëniet me opozitarët dhe kundërshtarët e tij ishin tipike për të. Ky gjest, i cili nuk ishte shumë larg gjestit të halabakëve që paguajnë, kur humbasin ndonjë bast, u përpoq të shitej si shenjë e uljes së tensionit të tij me opozitën. Në të vërtetë, nuk pati asnjë efekt. Opozita kishte dështuar në tentativën e saj të parë për një fillim të ri me qeverinë.
Ndaj medias vazhdonte e njëjta klimë lufte. Gazeta “TemA” ishte e vetmja që botoi një kasetë të regjistruar në audio të bisedës mes një doganieri dhe një bodyguard-i, të cilët ishin nën akuzë për trafik kafeje. Në bisedë dilte emri i kryeministrit Ilir Meta dhe ministrit të Financave, Anastas Angjeli. Reagimi ishte i pashembullt. Ne e paralajmëruam botimin dy ditë më parë. Filluan të trokasin njerëz që donin të dinin përmbajtjen. U mor vesh se ishte një kasetë e regjistruar nga vetë prokuroria dhe e marrë nga sirtaret e saj prej Sokol Koçiut, një ish-zyrtar i lartë i hetimit, që përfundoi vetë në burg. Filluan ofertat për pará. Një miku im nga Durrësi ngulte këmbë të takoja një ndërtues që kishte rikonstruktuar ish-vilën e Mehmet Shehut në bllokun qeveritar në Durrës dhe kishte shumë pará. U takuam të tre me të. Ofertat për të mos e botuar ishin marramendëse. Ndjeja një lloj kënaqësie që mund t`iua prishja rehatin. Gazeta u botua me një tirazh prej 15 mijë kopjesh dhe u shit shpejt. Por efekti publik u izolua. Asnjë televizion dhe asnjë gazetë tjetër nuk rimerrte lajmin. Sikur s`kishte ndodhur gjë. Tentova të prodhohej qoftë dhe një lajm në ‘TV Klan’, në ‘TVA’ apo diku tjetër, por gjithkund dyert e mbyllura. E vetmja që e transmetoi ishte ‘ATN1’. Por jehona e saj mbyllej brenda opozitës. Disa ditë më pas ndërtuesi nga Durrësi kërkoi të më takonte përsëri me mikun tim. Ishte i dëshpëruar që s`kisha pranuar ofertën, por tha që do të mbeteshim miq bashkë. Tha diçka pa kuptim rreth gazetës dhe rëndësisë që ka ajo. Më vonë u qartësova se ai kishte krijuar një adhurim fals për shtypin. Disa vjet më vonë ai u bë botuesi i një gazete që fillimisht u tha hapur se ishte e Anastas Angjelit, por më vonë u prish dhe me të.
Rreth dy javë pas botimit makina ime personale u godit me një plumb, ndërsa isha duke ecur në rrugën nga Kuvendi drejt urës së Lanës. Një “Benz” i madh me targa italiane, pasi tentoi disa herë të rrinte ngjitur me mua, xhiroi gomat dhe së fundi parakaloi frikshëm. Nuk ndjeva gati asgjë dhe s`do ta kisha parë plumbin sikur mos ngjitej lart shoferi i alarmuar, pasi kisha parkuar makinën. U përpoqa ta qetësoja dhe fillova të rikujtoj skenën. Thirra policinë. Erdhi një ekspert i policisë dhe mori makinën për ekspertizë. Ma mbajtën aty dy javë. Kishin bërë qitje mbi të dhe e kishin bërë shoshë me plumba. Nuk më njoftuan fare për rezultatet e hetimit, por pashë të botuar te gazeta “Zëri i Popullit” ekspertizën që thoshte: “...makina është qëlluar nga një send metalik me fuqi dinamike në momentin e takimit me objektin...”. Ishte një përkufizim prej Shvejku i fjalës plumb, por nuk thuhej plumb. Ishte “objekt metalik me fuqi dinamike në momentin e takimit me objektin”. Ishte për të qeshur, por dhe për të pasur frikë. Shkova në komisariat dhe fillova të ngre zërin kundër atij që kishte bërë ekspertizën. Më thirri në zyrë një shef. Më tha të qetësohesha se nuk ma kishin bërë me qëllim të keq. “Thjesht është plumb artizanal, - tha, - ndaj nuk kanë thënë se ç`plumb është.” Mora makinën e bërë shoshë nga plumbat dhe dola. Vendosa t`i gjej vetë. Pas gati dy muajsh arrita të shikoj fytyrën e njeriut që më kishte parakaluar me makinë. Ishte një pjesëtar i policisë kriminale që rrinin te një repart policie afër bar “Kalasë”. I dërgova dikë të sqarohej, “dikë” që dhe mund të vritej me të. Reagimi kishte qenë njerëzor. Thjesht kishte pranuar se nuk donin të më vrisnin, por të më trembnin. Dhe kishte shtuar, se kishte respekt për mua, por ishte porosi.
Kjo klimë tensioni vazhdoi të shoqërojë redaksinë, ndërkohë që kishte botuar foton e familjes së Arben Rakipit në vilën e një trafikanti droge duke festuar Vitin e Ri në Greqi, si dhe disa tabulate telefonash të Zani Çaushit dhe Gaxhait me politikanë shqiptarë. Sulmet kishin ngritur një stuhi politike të opozitës kundër qeverisë dhe kishin bërë të besueshme shumë nga akuzat e saj verbale.
Depërtimi në shoqëri i “Fillimit të Ri”
Opozita kishte njoftuar më 18 shkurt një takim me intelektualë në Pallatin e Kongreseve. Do të debatohej mbi një format të ri, mbi një frymë të re bashkëpunimi politik në vend, për një fillim të ri në politikë dhe shoqëri civile. Sali Berisha do të fliste para tyre për të shpjeguar ‘Fillimin e Ri’. Me një ton natyral, jo shumë patetik dhe shpesh epik ai iu drejtua sallës, duke cituar Tomas Mein në një nga momentet më dramatike të SHBA, i cili ka thënë se “është në duart tona, në forcën tonë që ta ribëjmë botën përsëri”. Ai tha se është e vështirë t`i bashkosh shqiptarët, nëse vetë nuk jep shenja bashkimi. Shqetësimi i tij kryesor në fjalim ishte vota e lirë, të cilën ai e quajti një të vërtetë të madhe që nuk duhet t`i mohohet askujt. Ai u angazhua për një fillim të ri në formën e një platforme që do t`iu jepte përgjigje problemeve madhore të shoqërisë. Përmendi me radhë qeverisjen e keqe, korrupsionin, mungesën e shtetit ligjor, kontrollin mbi median dhe dhunën në shoqëri si të vërteta të hidhura. Ai iu drejtua intelektualëve në sallë se “opozita ka nevojë për mbështetjen tuaj.” “Nëse politikanët nuk arrijnë të interpretojnë si duhet kritikën tuaj ose të përfitojnë sa duhet nga mendimi juaj vizionar, atëherë ata janë larg qëllimeve, për të cilat rrinë në politikë.”
Visar Zhiti, që drejtonte panelin e diskutimeve, ma dha fjalën mua. Kisha fiksuar disa pika mbi një tezë themelore që brente shoqërinë shqiptare prej vitit 1996-1997. Ishte “Antiopozitarizmi”. U përpoqa të jem i qartë në këtë pikë për të evidentuar antiopozitarizmin në shoqëri, në politikë, në media dhe në tërësi në indiferencën e intelektualëve. Ishte një fjalim që trazoi shumë sallën, edhe pse aty disa vetë e gjenin veten të prekur nga ato që thashë. U përpoqa të prek thelbin e problemit, me të cilin ndeshej opozita në atë kohë, lufta me hijen e saj që sponsorizohej nga shteti, lufta me antiopozitën. Takimi i opozitës me intelektualët ishte një lajm që ngjallte kureshtje te kundërshtarët. Natyrisht, salla nuk ishte vendi ekskluziv i intelektualëve, por një listë cilësore ishte aty prezente. Përpjekja ime për të provokuar sallën me tezën e antiopozitarizmit pati sukses. Në mënyrë të përmbledhur iu referova faktit që të shkosh në një takim të organizuar nga opozita më 2001 quhet ende disidencë dhe ky është një ogur i keq. Pastaj theksova tri pikat ku godiste antiopozitarizmi politikën e opozitës.
“Për herë të parë gjatë këtyre dhjetë viteve jam ndeshur me njerëz, të cilët kanë pasur dilema në vendimin e tyre për të marrë pjesë në një takim të organizuar nga opozita. Ka pasur shumë qytetarë shqiptarë që donin me çdo kusht të ishin këtu, ka pasur të tjerë që donin të ishin dhe të flisnin, ka pasur të tjerë që vetëm donin të ishin dhe të dëgjonin dhe një kategori që nuk donin të ishin dhe nuk donin të dëgjohej më për opozitën.
Fakti se kjo ftesë ka ngacmuar ndërgjegjen e një shumice cilësore të shoqërisë shqiptare për të marrë një vendim, është një dëshmi se ka një reflektim të intelektualëve ndaj politikës dhe ideve të saj. Ngacmime të tilla ndodhin vetëm në ato momente, kur shoqëritë janë në prag të degradimit ose të riciklimit të vlerave. E gjithë kjo është një klimë që ofron për shqisat e stërvitura të intelektualëve shqiptarë, ndjesitë e klimës së disidencës që shfaqet sa herë një regjim ka shkuar në ekstrem dhe ka nevojë për ringjallje shprese ose refuzim në emër të vlerave. Ju që jeni sot këtu dhe ata që janë menduar gjatë dhe nuk kanë ardhur, janë njësoj të respektuar për qytetarët shqiptarë, pasi po japin së bashku sinjalin se shoqëria ka degraduar aq shumë, sa vlen të kontrollosh veten dhe për një vendim, i cili disa vite më parë ishte shumë i lehtë për t'u marrë. Pra, në njëfarë mënyre është kthyer në disidencë përgjigjja pozitive e një ftese të bërë nga opozita.
Në këtë prizëm do të doja të bisedoja me ju për një fenomen shumë specifik të viteve të fundit, atë të ANTIOPOZITARIZMIT. Ky është fenomeni më negativ që është institucionalizuar ndonjëherë në Shqipëri, fenomen, ndaj të cilit pati kurajë gati kolektive të reagohej dhe në vitin 1946 nga një grup deputetësh dhe intelektualësh. Ky është një fenomen i shëmtuar, pasi po institucionalizohet në një shoqëri, e cila vjen nga një mungesë e madhe tradite pluralizmi politik. Antiopozitarizmi në një shoqëri të re postkomuniste është vdekje klinike e pluralizmit dhe, kur identifikohet me shtetin, është diktaturë me kostum pluralizmi ose pluralizëm me leje.
Për të qenë të sinqertë, shenja të lindjes së antiopozitarizmit ka pasur dhe në kohën, kur në pushtet ka qenë Partia Demokratike. Edhe atëherë ka pasur qëndrime të ashpra dhe shpesh pasionante ndaj opozitës, por nuk është synuar të mbërrihet te një lëvizje antiopozitare. Së paku, shteti i atëhershëm, administrata në pushtet nuk bëri përpjekje zyrtare për të krijuar një opozitë kundër opozitës. Antiopozitarizmi i para vitit 1997 ishte më shumë një emocion ndaj së drejtës historike që kishte e djathta shqiptare për të qeverisur dhe pamundësisë së saj për t`i vënë të gjitha gjërat në vend të vet. Në këtë klimë nervozizmi, ajo shpërthente herëpashere emocionet e saj kundër opozitës, duke rritur konfliktet, por jo duke u përpjekur të blinte opozitën dhe mendimin opozitar. Qeveria e sotme qysh nga viti 1997 e ka gati si objektiv të parë antiopozitarizmin.
Në planin politik ajo u përpoq të krijonte një zinxhir partish antiopozitare, të cilat në thelb nuk bëjnë gjë tjetër veçse përpiqen të shumëfishojnë zërin e qeverisë, duke i mbyllur rrugën shfaqjes së mendimit të vërtetë opozitar, duke i marrë asaj racionin e oksigjenit të rralluar të lirisë shqiptare. Këto janë parti që lindin gjithandej, në holle hotelesh, në paradhoma ministrish dhe kulisa ambasadorësh, me mision të vetëm për të relativizuar opozitarizmin e vërtetë.
Përpjekja e dytë e qeverisë është blerja e opinionit publik. Media shqiptare asnjëherë nuk ka qenë më e blerë dhe më e kontrolluar nga qeveria sesa është sot. Në këtë moment që ne flasim në këtë sallë, ministri i Financave me një avion luksoz ka marrë kryeredaktorët e disa gazetave, televizioneve, radiove, gratë dhe fëmijët e tyre dhe kanë ikur për weekend në Greqi, me shpenzime të paguara nga qeveria shqiptare. E gjithë kjo bëhet që kryeredaktorët të heshtin dhe të mos iu paraqesin shqiptarëve vjedhjet monstruoze të njeriut që i shëtit me avion dhe iu fal pará. Këto redaksi janë themeli i shtypit antiopozitar në Shqipëri, një shtyp i verdhë, pa dinjitet, por i bollshëm, si kashta që ta bën gjithmonë të vështirë gjetjen e kokrrave të grurit në një lëmë rrëmujë siç është Shqipëria. Gjatë kohës kur Partia Demokratike ishte në pushtet, ka pasur tetë gjyqe ndaj gazetarëve dhe rrjeti i OJQ-ve shqiptare të të Drejtave të Njeriut ngriti në këmbë gjithë botën. Sot, vetëm kryeredaktori i gazetës “Rilindja Demokratike” është dënuar tetë herë dhe dje ka marrë dënimin e fundit me 800 mijë lekë. Por rasti më flagrant është ai i një redaktori përgjegjës të gazetës, Shemsi Peposhi, i cili është dënuar nga gjykata, pse i ka kërkuar Monika Kryemadhit të përgënjeshtrojë akuzat që i bëhen asaj si përgjegjëse për vdekjen e punëtorëve. Është njësoj sikur të dënoheshe në kohën e Enver Hoxhës, po t`i kërkoje atij të mbrohej nga akuzat që i bënin “reaksionarët”. Është një absurditet që ndodh vetëm në shoqëri, të cilat kanë trauma në kujtesën e tyre historike dhe një sasi të pamjaftueshme vlerash intelektuale për të formuar një guxim qytetar për mbrojtjen e vlerave.
Përveç partive antiopozitare dhe shtypit antiopozitar qeveria po mban rreth vetes dhe një eskortë intelektualësh antiopozitarë. Nuk doja të citoja për keq asnjë prej tyre, por është e rëndë t`i thuash një shoqërie, më mirë të vidhen votat sesa të fitojë opozita. Hidhini një sy biografisë së tyre. Është një histori e tëra antiopozitare dhe jo një histori intelektualësh që kritikojnë qeveri dhe regjime. Është historia e atyre pak njerëzve që unë nuk po i shoh sot në këtë sallë dhe që pesë vjet më parë ishte problem i madh t`i ndalje së lavdëruari Sali Berishën. Është ushtria e atyre kolegëve të mi, që kurrë nuk kanë guxuar të thonë të vërtetën, por gjithmonë janë përpjekur të përdorin nevojat e qeverisë për të qëndruar në pushtet, si një rast për të sulmuar kundërshtarët e tyre. Lexoni shkrimet e tyre dhe e kuptoni lehtë cilët janë. Ato fillojnë gjithmonë me kritika të pudrosura për qeverinë dhe arrijnë në përfundimin se më shumë faj ka opozita. Ata nuk kanë asnjë mision tjetër veçse të frenojnë opozitën, ta kompleksojnë atë, ta bëjnë të merret me veten e vet dhe jo me qeverinë. Kjo çetë e intelektualëve antiopozitarë i bashkangjitet çetës së politikanëve antiopozitarë dhe shtypit antiopozitar. Antiopozitarizmi i tyre nuk është kurrsesi i barabartë me konformizmin klasik të intelektualëve. Është e qartë se shumë intelektualë janë konformistë me qeverinë dhe administratën e saj dhe janë gjithmonë të përmbajtur në reflektim. Por raca e intelektualëve antiopozitarë të Shqipërisë nuk është raca e intelektualëve konformistë, ajo është racë e shërbëtorëve të errësirës së mendimit të lirë. Ne duhet t`i lëmë në errësirën e tyre dhe duhet të bashkojmë zërat për të pasur mendim intelektual opozitar, shtyp opozitar, parti të vërteta opozitare, për t`i dhënë fund kësaj kënete. Unë ju ftoj ta shikoni këtë si një problem të madh të mendimit intelektual në Shqipëri dhe të përpiqeni jo vetëm sot, kur në këtë sallë na kanë thirrur partitë opozitare, por dhe nesër, kur këta që na kanë ftuar, do të jenë në pushtet. Ne duhet të kemi gjithmonë kurajën të diskutojmë kështu.”
Më pas Preç Zogaj, Visar Zhiti, Bamir Topi dhe Mimoza Ahmeti i mëshuan fort idesë së bashkëpunimit të intelektualëve me opozitën. Zogaj, një ish-disident i vjetër i Partisë Demokratike, i rikthyer në atë tribunë atë ditë, ishte me të vërtetë një sinjal i fortë për opozitën. Ai tha qartë se vendi po vështron opozitën, por opozita e lodhur në atë sallë më së shumti i kishte sytë tek ai dhe tek ata që do të afroheshin me të. Ishte një kohë, kur ajo kishte nevojë të ndjente se diçka po ndryshonte në historinë e saj.
Jehona e takimit ishte më e fortë seç pritej. Salla me gati 2000 vetë brenda ishte një mbështetje e fortë për “Fillimin e ri” të opozitës. Në ditët që pasuan po vërehej një ulje e toneve dhe një përpjekje për të nisur dialogun e hedhur në erë. Më në fund, më 28 shkurt, të dy palët nën ndërmjetësimin e OSBE arritën një marrëveshje politike, e cila në thelb synonte rehabilitimin e institucionit të zgjedhjeve. Partitë politike ranë dakord të ngrejnë një komision, i cili të propozonte amendamente në Kodin Elektoral për formulën e KQZ, hartimin e listave dhe mbikëqyrjen e procesit të votimit. Rëndësia më e madhe e këtij vendimi ishte njëfarë penalizimi që merrte procesi i mëparshëm elektoral, i cili deri në atë kohë mbrohej si i ligjshëm dhe i drejtë. Efekti i marrëveshjes u ndje menjëherë dhe te grupimet antiopozitare, të cilat e konsideronin gabim dhe tradhti marrëveshjen me Berishën. Nga një krah sulmonte Abdi Baleta, i cili i quante mbeturina të PD ata që po tentonte të mblidhte rreth vetes “PD e mbetur” dhe nga ana tjetër sulmonin “reformatorët” që e konsideronin PD “fraksion i vulës” dhe veten PD e vërtetë.
Reagimi më solid erdhi nga Preç Zogaj, një ish-ministër Shteti në kabinetin e parë të Ilir Metës, por që kishte qenë një nga themeluesit e Partisë Demokratike. I larguar nga PD pas vitit 1992, në përpjekje për të krijuar më shumë hapësirë politike për idetë e tyre, ai iu bashkua një grupi që më vonë formuan Aleancën Demokratike. Grupi i krijoi shumë telashe politike PD dhe në periudhën 1996-1997 kishte shumë herë më tepër kredo morale se vetë partia kryesore e opozitës në atë kohë, Partia Socialiste. Por shumë gjëra kishin ndryshuar dhe brenda këtij grupimi vërehej qartë pjesa që ndjehej e lidhur me PD dhe pjesa që mezi kish pritur të ikte nga PD. Zogaj argumentoi qartë pafuqinë për të refuzuar një ftesë për paqe nga Berisha dhe u angazhua qartë në favor të opozitës.
Ndërkohë, në radhët e opozitës vërehej një lloj paqartësie për procesin e nisur. Pjesa më rezistente e opozitës, ata që në njëfarë mënyrë i dhanë jetë opozitës në vitin 1997 e më pas, kur ajo rrezikonte të zhdukej, ishin tashmë jo vetëm të faktorizuar, por kishin mandat të ofronin paqe politike në Shqipëri. Por, duke u ndjerë të lodhur nga stërmundimi për të mbijetuar, ata kishin më pak nerva të merreshin me sfondin estetik të hapjes së opozitës dhe “Fillimit të ri”. Sidoqoftë, shumë tabu po thyheshin dhe një fillim i ri ndjehej jo vetëm në politikën e PD, por dhe në sjelljen e kundërshtarëve ndaj saj.
I vetmi problem që po shfaqej në horizont ishte rivaliteti mes kryeministrit, Ilir Meta dhe kryetarit të PS, Fatos Nano, për të dominuar listën e re të deputetëve të PS.
Në funksion të qëllimeve të tyre ata shpesh po mbanin peng dhe po minonin procesin e reformës elektorale. Kështu, anulimet e herëpashershme në Kuvend të konsensuseve që jepeshin në tryeza partish, reflektonin këtë ndarje. Por, në fillim të prillit, u duk se çështja e konsensusit për lista po minohej përfundimisht. Opozita kishte bindur bashkëbiseduesit në tryezë se me dokumentet që ajo kishte, pretendonte se 30 për qind e shqiptarëve mungonin në lista. Por ky propozim u hodh poshtë nga komisioni parlamentar i ngritur për çështjen e listave që drejtohej nga Ylli Bufi. Arsyetimi publik ishte se ky vendim nuk u mbështet realisht nga OSBE, e cila, sipas tyre, kishte shifra të tjera. Për herë të dytë socialistët po e prishnin konsensusin e arritur në tryezë rreth çështjes së listave dhe kjo po dëmtonte ndjeshëm besimin te procesi i reformës elektorale. Reagimet nga opozita ishin të ashpra. Spartak Ngjela, në atë kohë i afruar ndjeshëm me Partinë Demokratike, deklaroi se OSBE sabotoi kompromisin për të mbrojtur procesin e 1 tetorit. Ai tha se forca të caktuara duan të diktojnë ndryshimin normal të pushteteve nga vota e lirë. OSBE dhe IFES në të vërtetë ishin kundër verifikimit të listave nga KQZV. Rishikimi i listave zgjedhore përveçse kishte bllokuar punën e komisionit të posaçëm parlamentar, kishte bllokuar dhe dialogun mes dy partive. Arsyetimi i OSBE dhe IFES ishte se ky propozim, nëse pranohej, shkelte gjithë afatet kohore. Fakti që KQZV nuk ishin formuar, sipas tyre, përbënte arsye të fortë që kjo procedurë të mos miratohej. U duk ndërkohë se pati një reagim nga Këshilli i Evropës, i cili nxiti palët të zbatonin marrëveshjen mes dy partive. Ky ngërç krijoi konfuzion paralel dhe për vetë opozitën, e cila ishte në një proces formimi koalicioni. Problemi më i madh i formimit të koalicionit mbetej mekanizmi i shpërblimit të partive të vogla, i cili ishte i tepruar. Ftesa e gjerë e Berishës pati njëfarë ndikimi dhe koalicioni i ri i formuar kishte brenda vetes një fraksion të Ballit Kombëtar, Lëvizjen e Legalitetit, republikanët, një grupim ish-socialdemokrat dhe Partinë Demokratike. Ngjizja e koalicionit “Bashkimi për Fitore” ishte një standard i ri për të dalë nga izolimi, ku ishte zhytur PD. Aleatët e saj të rinj nuk kishin kapital politik, por kishin rrezikun e keqpërdorimit nga shumica si opozitë fiktive. Tashmë, në këtë pozicion kishte mbetur grupimi i quajtur i reformatorëve, të cilët kishin nisur përpjekjet për t`u regjistruar me emrin Partia Demokrate dhe të ruanin siglën PD në fletën e votimit. Me gjithë reaksionin e ashpër të PD, shteti funksionoi në favor të tyre dhe në fletën e votimit të vitit 2001 sigla PD i përket grupimit antiopozitar, ndërsa kandidati i PD ishte i fshehur pas siglës “Bashkimi për Fitore”.
Nga ana tjetër, kishte një ndryshim të madh dhe në konceptin sesi po hynin në zgjedhje të dy palët. Gjithë filozofia e koalicionit opozitar dukej se udhëhiqej nga pasiguria në fitore, pasi të gjithë liderët kërkonin vendet e sigurta në lista. Nga ana tjetër, e majta po fuste në zona të vështira figurat e saj kryesore për t`i fituar ato. Memorandumi i Mirëkuptimit, i firmosur nga opozita në mes të muajit prill, i dha Partisë Republikane 5 deputetë, Legalitetit dhe Ballit Kombëtar 4 deputetë, liberalëve të Laços 2 deputetë dhe nga një deputet Selfos dhe Ndreut. Memorandumi i propozuar nga republikanët u kthye në një problem të madh. Në qendër të debatit u vu siguria që pjesëtarët e koalicionit të sigurojnë deputetët e tyre në listë proporcionale, duke u mbështetur te disa mesatare aritmetike të historisë së tyre elektorale. Por grindjet për vende të sigurta në listë po forcoheshin dhe PD i duhej të sakrifikonte figurat e saj të forta në zona të diskutueshme për të marrë fitoren.
Afrimi i disa figurave të diskutueshme me PD nga grupi i disidentëve të vjetër thuajse dështoi. Së bashku me Spartak Ngjelën u angazhova të afroja me opozitën Genc Rulin dhe Eduard Selamin. Berisha ishte dakord, por nuk donte të investohej, duke parandjerë përgjigjen negative. Ruli refuzoi tërthorazi propozimin për të qenë pjesë e listës së PD, ndërsa Eduard Selami nuk iu përgjigj thirrjes për t`u kthyer në Shqipëri. Zogaj po ashtu do të kandidonte si i pavarur përballë Anastas Angjelit për të bërë një betejë simbolike. PD ngeli te lista e saj tradicionale, duke promovuar disa emra të rinj nga shoqëria civile dhe bota e krijuesve. Ftesa e Berishës për PAD dhe PBDNJ e kishte përmirësuar klimën, por nuk ishte shkuar drejt një aleance konkrete.
Përballë tyre shumica kishte problemet e veta. Fatos Nano kishte nxjerrë papritur si kandidat të mundshëm për kryeministër pas zgjedhjeve Arben Malajn dhe kjo e kishte acaruar atë ndjeshëm me Ilir Metën. Të dy së bashku mezi arritën të rakordohen për listën e deputetëve dhe secili filloi të luftojë për objektivat e tij afatgjata. Fatos Nano synonte 84 vota të majta për t`u bërë president në 2002, kurse Meta te një shumicë e qëndrueshme pro tij. Për të shkuar te kjo skemë, doli në dritë një marifet elektoral që kishte të bënte me paraqitjen si të pavarur të deputetëve në zona të sigurta. Hileja qëndronte te fakti se deputeti që fitonte në zonë si i pavarur, dublonte mandatin, pasi, në të njëjtën zonë e njëjta parti, nëse merrte shumicën, fuste një deputet nga lista. Kështu shtohej artificialisht lista e deputetëve. Në këtë mënyrë problemit të mbetur pezull për verifikimin e listave i shtohej dhe problemi i të pavarurve. Problemi i verifikimit të listave u zgjidh më 25 prill nga komisioni i posaçëm kuvendor, kurse problemi i të pavarurve u shty deri në javën e fundit, ndërkohë që fletët e votimit u shtypën, duke e dokumentuar kështu përpjekjen për të deformuar sistemin.
Ky objektiv në dy drejtime brenda PS, njëri për votat presidenciale të Fatos Nanos dhe tjetri për një shumicë personale të Ilir Metës, tronditi rëndë procesin zgjedhor të 2001, i cili, siç dhe u dokumentua më pas, prodhoi së paku 40 mandate të dyshimta përmes Gjykatës Kushtetuese, përkundër mbytjes së procesit zgjedhor në terren.
Zgjedhjet e vitit 2001 dhe frytet e antiopozitarizmit
Zgjedhjet e 24 qershorit 2001 janë një rast emblematik i zgjedhjeve, ku manipulimi shtetëror u bë legjitim dhe arriti t`i imponohet politikës. Pas një rezultati befasues për opozitën, e cila arriti thuajse të triumfojë në raundin e parë, filloi një fushatë e paprinciptë përmes policisë dhe Gjykatës Kushtetuese për të kthyer 40 mandate në favor të qeverisë së majtë. Kjo i bëri zgjedhjet e 24 qershorit 2001 si një proces që legjitimoi manipulimin dhe la virusin e tij vrasës në historinë elektorale të Shqipërisë. Problemet e mëparshme si ato me zgjedhjet e vitit 1996 dhe 1997 kishin qenë po ashtu të forta, por ato nuk u pranuan si standarde, përkundrazi u dënuan. Zgjedhjet e 24 qershorit 2001 janë problem real i historisë së zgjedhjeve në Shqipëri, pasi arritën të bëjnë legjitim një rezultat tërësisht të falsifikuar me dhunë. Duke mos u ndëshkuar manipuluesit e atyre zgjedhjeve, Shqipëria mori një kosto të rëndë, pasi për vite të tëra do të duhet të ndeshet me skepticizmin e zgjedhësve për të votuar dhe me mospranimin e rezultateve. Goditja ndaj zgjedhjeve erdhi së pari nga lufta e brendshme në Partinë Socialiste. Kryetari i rilegjitimuar i Partisë Socialiste, Fatos Nano, kishte objektiv t`i përdorte këto zgjedhje si një betejë për të fituar shumicën presidenciale, ndërsa kryeministri Ilir Meta si një betejë, ku do të fitonte një shumicë qeverisëse të sigurt pro tij. Të dy së bashku bashkoheshin në idenë se opozita duhej lënë larg podiumit të fitores, duke përdorur edhe mekanizma të manipulimit politik me opozitën false. Në anën e tyre me ndonjë rezervë të vogël ishte faktori ndërkombëtar, i cili në mënyrë të sinqertë besonte te një shumicë e majtë.
Beteja ligjore para fillimit të zgjedhjeve njohu kulmin e saj me çështjen e deputetëve të pavarur, e cila u anulua në minutat e fundit, duke lënë pa eksploruar “Fenomenin Dushku”, i cili lindi pikërisht në ato zgjedhje. Loja me deputetët e pavarur synonte që të përdorte hapësirat e ligjit elektoral për të dyfishuar deputetët në zonat e sigurta. Fjala vjen, në një zonë elektorale, ku e majta ishte e sigurt, kandidati real i së majtës shpallej i pavarur dhe merrte mbi 50 për qind, duke qenë deputet, ndërsa e majta merrte po mbi 50 për qind, duke futur një deputet tjetër nga lista. Kjo manovër ishte në interes të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike si dy parti të mëdha. Megjithatë, PD nuk e përkrahu dhe u tregua e gatshme deri në fund që të anulonte kandidatët e saj. Tri ditë para zgjedhjeve deputetët e pavarur u anuluan, por në fletën e votimit mbetën të tillë.
Beteja administrative ishte dhe më e fëlliqur. Përmes një vendimi gjyqësor të përshpejtuar Partia Demokrate e Genc Pollos ishte regjistruar si subjekt më vete me siglën PD, një sigël e ngatërrueshme dhe nga politikanë të së djathtës, ndërsa vetë Partia Demokratike u detyrua të rreshtohet në një koalicion me emrin “Bashkimi për Fitore” që shoqërohej nga 5 parti me siglat e tyre. Kjo bëri që masivisht në zonat ku PD ishte e fortë dhe kryesisht në veri, militantët të ngatërronin siglën dhe sigla PD të merrte 5 për qind të votave në mënyrë fiktive.
Një sërë betejash ligjore para zgjedhjeve për aktet normative dhe për listat nuk kishin funksionuar. Opozita hyri në zgjedhje me shpresë se fushata do shërbente si një betejë e fortë për të dëshmuar se ajo ishte faktor vendimtar në vend.
Të veshur me këmisha të bardha dhe me tone të qeta opozita nisi një fushatë simbol që ngjante më shumë si një betejë për t`iu nxjerrë frikën qytetarëve. Unë pranova ftesën e zotit Berisha për të kandiduar në një zonë elektorale në Durrës, një zonë thuajse e sigurt nga pikëpamja elektorale, por që do të bëhej epiqendra e dhunës elektorale dhe përdorimit të policisë.
Disa histori që ilustrojnë zgjedhjet
Sali Berisha më shpjegoi me pak fjalë projektin që kishte. Donte të fitonte me çdo kusht shumicën nga Dajti në Adriatik, pra zonat nga Tirana në Durrës. Arsyetimin e kishte të qartë. Janë zona më të ndriçuara dhe policia mund të jetë e frikësuar të ndërhyjë. Për këtë kishte planifikuar emra nga shoqëria civile dhe intelektualë të njohur të PD. Më tha se ishte i gatshëm të më çonte në tri zona, në Mamurras, në Tiranë ose në Plazh në Durrës. Pa shumë hezitim zgjodha Plazhin në Durrës. M`u duk më pak problematike çështja e origjinës sime jugore. Në Mamurras kjo mund të ishte një problem. Në Tiranë, po ashtu. Duke llogaritur zonën e Durrësit si një zonë me të ardhur, mendova se do të isha më komod. Në atë kohë kandidate ishte caktuar Natasha Paço, një emër i njohur i PS në Durrës. Disa ditë pasi u zyrtarizua emri im, PS ndërron kandidatin dhe solli aty kryetarin e PS në Durrës, Gazmir Bizhga. Arsyetimi ishte se ky tip kishte nën kontroll policinë. Një kushëri i tij kishte qenë pak kohë më parë drejtor policie në Durrës dhe pretendonte se do të përdorte gjithçka për ta fituar. Në atë kohë dhe problemet e mia me Ilir Metën ishin shumë të forta. Kisha pasur thuajse një betejë të përditshme njëvjeçare me të dhe ai kishte bërë njëfarë betimi për më ndaluar të futesha në Kuvend. Por situata nuk ishte kaq bardhë e zi sa dukej nga jashtë. Kur puna po ecte mirë dhe fushata po futej në spiralen e saj, filluan problemet e para. Një polic me mbiemrin Kokomani, që quhej ndryshe “operativ i Shkozetit”, më kishte arrestuar dy veprimtarë. Kërkoja ta takoja, më fshihej. Shkoja në polici, më nxirrnin rojen e dezhurnit që “s`dinte asgjë”. Ndërkohë, kasnecë të policisë shkonin në familjet e të arrestuarve dhe iu thonin se “po të dojë Mero Baze, iua nxjerr fëmijët me një telefonatë, po nuk do”. Kishte nga ata prindër të gjorë që e besonin dhe i ngulnin sytë telefonit tim që s`i përgjigjej askush. Ndërroja njerëzit që më shoqëronin, por rregullisht filluan të arrestohen të gjithë. Për 25 ditë 60 vetë të ndaluar, ku përfshiheshin mësues, inxhinierë, teknikë, të papunë, gjithkush që shihej me mua në një takim. Një furgon policie ndiqte nga pas çdo takim tonin dhe në të ishte gjithmonë Gazmir Bizhga, kandidati socialist, ose Ilir Berzani, kandidati i Partisë Demokrate të Genc Pollos. Kulmi i aleancës së tyre ishte fakti që babai i kandidatit socialist, Gazmir Bizhga, ishte përfaqësues i kandidatit të Partisë Demokrate, Ilir Berzani, në një qendër votimi në Shkozet. Ata piketonin njerëzit që iu “prishnin punë” atyre dhe Kokomani fillonte ndalimet. Kjo fushatë frikësimesh u kulmua javën e fundit. Ata sulmuan zyrën elektorale, thyen xhamat dhe ndaluan të zotin e lokalit që më kishte dhënë zyrën me qira, Bujar Hoxha. Ndërkohë, shumë nga veprimtarët që ndaloheshin nga policia, më deklaronin se policia iu kërkonte në qeli t`i bënte bashkëpunëtorë si komisionerë në ditën e votimit, por ata s`pranonin. Më kërkonin mua të mos ishin komisionerë, se nuk donin të turpëroheshin. Një pakicë nuk ma thoshte këtë histori.
Kështu po i afroheshim ditës së zgjedhjeve. Nga pikëpamja elektorale më dukej fitore e sigurt. Në zgjedhjet e fundit të tetorit zona ishte fituese sërish dhe në disa pika të dobëta që kishte pasur, mendoja se kishim rritur përkrahjen.
Por mëngjesi i 24 qershorit ma shkundi besimin. Ndërsa isha duke udhëtuar në autostradë pa shkuar ende ora 7 e mëngjesit, një kolegu im gazetar i BBC, Ilir Kadia, më merr në telefon. Më thotë se ishte te qendra ime elektorale në Plazh bashkë me analistin e njohur të BBC, Gabriel Partosh. Më kumtoi diçka të rëndë. Një furgon policie kishte ndaluar para shtabit elektoral me derë të hapur. Pas dy minutash aty është afruar Arben Toska, kryetari i shtabit tim elektoral për zonën e Plazhit, me disa letra në duar dhe ka hipur në furgon. “Këtu njerëzit po flasin për arrestim, - tha, - por nuk jam i sigurt”. U mpiva i tëri. Kishte ndodhur më e rënda që prisja. Kryetari i shtabit tim elektoral kishte marrë me vete gjithë autorizimet për vëzhguesit e mi në qendrat e votimit dhe “ishte arrestuar”. Pak minuta më vonë, kur isha atje, e kuptova se çfarë kishte ndodhur tamam. Njeriu që gjithë fushatën më pyeste a “do t`iu jepja ndonjë lek”, më në fund ishte arrestuar nga policia si “hero”, duke më lënë pa vëzhgues në 33 qendra. I shokuar nga marifeti i tij dhe i policisë po ecja drejt Shkozetit. Aty kishte plasur sherri i radhës. Sapo ishte hapur qendra nr. 74, “operativi i Shkozetit”, Kokomani, i hapi rrugën një të forti që quhej Llazar Mazniku, pronar i hotelit “Filadelfia” në plazh, i cili rrëmbeu 100 fletë votimi dhe doli jashtë. U bë rrëmujë dhe u mbyll qendra e votimit. Pritëm më kot të ktheheshin fletët e votimit dhe ky i forti që i kishte marrë. Asnjë reagim. Disa kasnecë të policisë filluan të shpërndajnë lajmin se fletët po ndahen nga 5 në çdo qendër votimi dhe iu jepen të plotësuara njerëzve para qendrës dhe ata iua kthejnë të bardha, pasi futen brenda. Nisem vetë dhe shkoj te hotel “Filadelfia”. E kërkoj këtë tipin e fortë, por nuk del. S`dija ç`të bëja. I thashë recepsionistit se e kam kërkuar dhe se do të kishte problem gjatë me mua. Por, në fakt, e dija që ishte kërcënim koti. Asgjë s`u bë. Qendra ndenji e bllokuar deri në drekë dhe pastaj një punonjës i OSBE e hapi thuajse me forcë dhe u bë vetë komisioner. Në fund shënoi se votimi në atë qendër ishte model. Situata po rëndohej ora-orës dhe lajmet që vinin, flisnin për një kontroll të plotë policor të procesit dhe asnjë shans për të votuar njerëzit normalisht.
Një pikëpyetje e madhe më ngelej komuna e Gjipalajt. Disa fshatra të saj ishin bastione të PD. Rezultati i fundit kishte qenë 70 për qind për PD.
Lajmet që vinin andej, ishin të rënda. Në katër fshatra votimi ishte mbyllur për gjysmë ore duke mos hedhur asnjë votë për opozitën. U nisa rrugës me Sabah Jemishtën. Në Hardhishtë, një fshat thuajse shumicë e fortë e PD, filluan krismat. Policia në sytë tanë po nxirrte me dhunë komisionerët nga qendra e votimit. Dola dhe i fotografova.
Ndenjëm pesë minuta aty, por policia as që denjonte të qetësohej. I nxori jashtë komisionerët që donte ajo dhe futi në vend të tyre disa njerëz të saj. U manipuluan kutitë dhe pastaj situata u “qetësua”. Vazhduam rrugën për në Shetel. Prej mëngjesit na kishin njoftuar se polici Rakip Kokomani nuk lejonte as komisionerët dhe as njerëzit të votonin. Menduam se po shkonim të ndihmonim që të hapej procesi. Në fakt, procesi ishte mbyllur. Polici Rakip Kokomani kishte shkuar qysh në mëngjes në qendër të votimit, kishte nxjerrë komisionerët jashtë dhe kishte mbushur kutinë e votimit plot me vota për Gazmir Bizhgën. Komisionerët e PD as që i lejuan të afroheshin. Shkuam aty të alarmuar rreth orës 10, pasi kishin shkuar më parë gazetarë dhe punojës të KQZ. Hymë te qendra e votimit. Pamja ishte e papërshkrueshme. Polici Rakip Kokomani po hante një pulë të pjekur mbi tavolinën e votimit, ndërsa dy kuti ishin diku pas tij. Na pa i çuditur që hymë pa trokitur dhe u përpoq të fshinte duart dhe buzët e lyrosura me një gazetë që kishte aty afër.
- Nga vini ju? - tha.
- Nga KQZ, - i thamë.
- A shumë mirë, - tha. - Kanë votu njerëzit ktu. Votojnë që në mëngjes këta katundarët, se kanë punë ime. Për një orë kanë votu. Ja i kam ktu votat. Për PS votojnë kta të gjithë. Siç thanë dje ata të komitetit.
Ne kishim shtangur.
- Po komisionerët ku janë? - i thashë.
- Janë jashtë tek ulliri, në hije. I nxora jashtë, ngaqë do haja një çap bukë.
Pashë procesverbalin e mbajtur me një shkrim prej injoranti. E vetmja gjë e qartë ishte se koalicioni “Bashkimi për Fitore” nuk kishte asnjë votë. Ndryshe nga partitë e tjera, për të cilat votat ishin shkruar me germa, për “Bashkimin për Fitore” ishte shkruar: “S’ka”. Partitë e tjera kishin të gjitha. Për një moment pata një dëshirë t’ia fus në gojë si shuk atë procesverbal atij polici me buzë të lyrosura, por, egërsia e njerëzve që më rrethonin, nuk më lejonte të bëja asnjë gjest nervoz. Disa prej tyre ishin të gatshëm ta hidhnin si kufomë në përrua.
Klement Zguri, në atë kohë nënkryetar i KQZ, mbërriti me një ekip nga Tirana, me arsyetimin për ta shpallur qendrën të pavlefshme. Bëri disa deklarata të ashpra para qendrës për gazetarët. Tha se ishte një turp, nëse këto zgjedhje legjitimoheshin. Polici Kokomani po e shikonte si i shastisur. Në pamjen e tij të hutuar, me buzët me yndyrë nga mishi i pulës që i kishte mbetur pa mbaruar, ai dukej pak i trembur për atë që po ndodhte, por dhe pak i çuditur për gjithë këtë zhurmë.
E njëjta situatë ishte përsëritur dhe në dy fshatra në krah të Shetelit. Në njërin prej tyre ma kishin arrestuar komisionerin, se s’kishte pranuar të dilte jashtë.
Në shumicën e këtyre fshatrave më bëri çudi se më kishin dalë garant njerëz që nuk i njihja. Në Gjipale kërkoi të më takonte një djalë me emrin Arben. Më ftoi në shtëpi të tij. Më shpjegoi se ishte kushëri me kryetarin e komunës që ishte socialist, por ai e kishte mashtruar dhe donte të merrte hak ndaj tij. Po të mos ma kishte prezantuar Gazmend Domi, një kryetar i Forumit Rinor të PD në Shijak, natyrisht nuk do ta besoja. Por i prezantuar prej tij m’u duk një histori e vërtetë. Kërkonte të ishte në komision, se ishte “i fortë”. Vendosëm ta lëmë. Në të vërtetë, një natë më parë ai ishte parë së bashku me Rakip Kokomanin, një kushëri të Kokomanit të Shkozetit, bashkë me një kryepolic të zonës, të quajtur Flamur Gjuzi. “I forti” jonë iu kishte dhënë fjalën atyre. Sapo nisi procesi i votimit, ai u ngrit i pari, futi 250 vota në favor të kandidatit socialist dhe ngriti zërin, se aty e bënte ai ligjin.
Në Romanat ndërkohë situata ishte më tragjikomike. Gazetarët e mi aty më telefononin dhe më tregonin sesi komisioneri i PD, që ishte dhe kryetar i PD së fshatit, gjysmën e kohës e kishte shpenzuar për t’i përgatitur pulë të pjekur Flamur Gjuzit, që po ashtu i thërrisnin “operativ”. Rezultati dihej, po ashtu me zero.
Në këto kushte, nuk shihja asnjë shans për të vazhduar më tej procesin. Vendosa të komunikoj me Tiranën dhe t’iu them se po largohem nga zgjedhjet. Në mesditë arrita të kontaktoj Berishën. I thashë se ç’kishte ndodhur, se do veproja. Nuk foli fillimisht.
- Prit dhe pak, - tha, - se ndoshta na prish shumë punë.
- Nuk ka asnjë shans, - i thashë, - me këtë që kanë bërë. Unë do të tërhiqem. Mund të pres dhe pak, po do tërhiqem.
U ktheva në zyrat e PD në qendër. Ishte vetëm Kapidani, po duke parë televizor. Më tha i bezdisur se e kishin çmendur ata komisionerët e mi duke e marrë në telefon.
- E di, - i thashë. - Por janë njerëz në hall. Po i rreh policia. Po i zbon nga qendrat e votimit. Dikush duhet t’i mbrojë.
- S’është kollaj, - tha, - e di, - dhe ndërroi kanalin e televizorit.
Ndërkohë, në korridor ia kishin behur komisionerët e Arapajt. Një grua ishte me shenja në fytyrë. E kishin detyruar të dilte nga dera e klasës, ku ishte qendra e votimit. Ishte e terrorizuar. “Dua të më fshihni sonte, - tha, - se ata duan të firmos procesverbalin, ndryshe do më vrasin.”
E qetësova. Ashtu siç isha, pa pyetur më askënd, thirra
gazetarët dhe deklarova tërheqjen nga zgjedhjet.
Gruaja krah meje para gazetarëve rrinte si e ngurosur nga tmerri. Deklarova se po tërhiqem nga zgjedhjet dhe iu bëra thirrje komisionerëve të rezistonin, atje ku mundnin për të dokumentuar manipulimin. Pati plot që rezistuan. Orët pas dorëheqjes ishin problematike. Partisë Demokratike natyrisht i ra si bombë lajmi dhe u mundua ta fshihte. Por pak shanse kishte të ndodhte një gjë e tillë. Media e kishte stërtransmetuar. Fika telefonin dhe me telefonin e zyrës po mbaja lidhjet me komisionerët t’iu jepja zemër që të mos ndodhte ndonjë incident. Pas orës 18:00 gjithçka u qetësua. Partia Socialiste shpalli fitoren që më 18 e 10 minuta dhe procesverbalet filluan të rishkruhen.
Ndërkohë, po vinin lajmet nga zonat e tjera. Në shumicën e tyre PD ishte në balotazh në Durrës. Kishte fituar direkt vetëm Pëllumb Berisha në Spitallë-Katund i Ri. Bilé legjenda e fitores së tij si njeri i fortë filloi të qarkullonte më shpejt se lajmi i fitores.
E njëjta situatë po ndodhte në gjithë Shqipërinë. Zonat e balotazhit i udhëhiqte PD, por fitore direkte kishte në disa zona, ku PD kishte kandiduar “të fortë”. Ky mit filloi të rritej dita-ditës dhe teoria kryesore pas zgjedhjeve të 24 qershorit ishte që në PD nuk duhen intelektualë, por të fortë, se ata fitojnë. Problemi më i madh ishte se banditët po përdoreshin në këto zgjedhje si faktor vendimtar për t’iu dhënë më pas imunitet politik. Shumica e tyre ndihmuan PS, por disa me leje ndihmuan dhe kandidatë të PD. Kjo ishte një humbje dyfishe për PD, pasi, përveç ofertës me profil të ulët që do t’i duhej të kishte në Kuvend, në disa zona kishte hyrë në borxh përmes shtetit te njerëz të inkriminuar.
Në Bulqizë, kandidati i PD, Gafur Muka, një doktor shkencash në miniera, pati një histori gati hollivudiane. Në një fshat të largët në Gollobordë, rreth 3 orë larg Bulqizës, zgjedhjet ishin mbyllur 120 me 18 për PD dhe Gafur Mukën. Për t’i rënë shkurt, një kryepolic i quajtur Boge Bodini gjen një procesverbal nga një fshat tjetër dhe e plotëson duke e kthyer përmbys rezultatin e kandidatit. Përfundimisht, në atë procesverbal ishte PS me 18 vota dhe Gafur Muka i PD me 18 vota, PD, 120 vota dhe Ismail Lleshi i PS, 120 vota. U mor vesh se procesverbali ishte fals. Komisionerët e fshatit njoftuan se ata e kanë origjinalin. Gafur Muka u nis me dy vetë me makinë, tri orë larg. Makina shkonte deri në njëfarë vendi. Pastaj vazhduan me këmbë. Policia u vu pas tyre. Komisioneri i frikësuar e kishte fshehur procesverbalin në një trung të vjetër lisi. E nxori si amanet të fundit dhe ia dha zotit Muka në dorë. Pedagogu i hutuar nga gëzimi që e gjeti, nuk e lëshoi nga dora. Ndërkohë, ia behu policia. Arrestoi menjëherë dy shoqëruesit e Mukës, ndërsa këtë të fundit e urdhëroi të hipte në makinë të policisë, “për ta respektuar”. Ishte gati një marrje peng. Makina, me të cilën ata kishin ardhur, u kontrollua cep më cep, u grisën sediljet dhe gjithçka. Procesverbali nuk po gjendej. Polici Boge Bodini nervoz hipën në makinë, ku kishte marrë Mukën dhe nisen drejt komisariatit në Bulqizë. Gjatë rrugës dr. Muka përfiton nga gjermanishtja e tij dhe i telefonon zyrës së OSBE në Bulqizë, ku i tregon se çfarë kishte ndodhur dhe se procesverbalin origjinal e kishte ai me vete. Zyra e OSBE i premtoi se do ta priste te dera e komisariatit. Pas disa orësh, mbërritën. Sapo u hap dera e makinës, Muka zbriti dhe iu drejtua inspektores së OSBE. Letra që mbante në dorë ishte procesverbali. Kur e kuptoi këtë, polici që e kishte arrestuar kot dhe i kishte bërë makinën shoshë u bë i verdhë nga zemërimi. Tentoi t’ia merrte nga dora, por ishte vonë. Procesverbali origjinal arriti në dorë të OSBE. Ajo e shënoi rastin si më flagrantin për manipulimin fizik. Çështja shkoi në Gjykatën Kushtetuese. Fehmi Abdiu e kishte të gatshëm vendimin, por, sidoqoftë duhej një provë. U vendos të shihej kutia. Kur arriti nga Bulqiza, ajo ishte e hapur dhe nga nxitimi ata që e kishin rregulluar, kishin futur 100 fletë për kandidatin socialist, por kishin harruar t’i palosnin. U hap kutia dhe dolën fletët e papalosura. Avokati i Gafur Mukës i kërkoi zotit Abdiu të merrte një fletëvotimi dhe ta fuste pa e palosur në kuti. Plasi e qeshura dhe në trupin gjykues.
“Do ta marrim parasysh, - tha Abdiu, - këtë objeksion”. Mbaroi seanca dhe u dha vendimi. Kutia u quajt e rregullt. Episodi ishte shumë dëshpërues. Përkundër kapjes në flagrancë të vjedhjes, dëshmive të OSBE dhe fakteve flagrante në Gjykatë, asgjë nuk e ndryshonte vendimin. I vetmi që u ndje i turpëruar nga gjithë kjo histori, ishte vetë kandidati socialist, Ismail Lleshi, i cili nuk pranoi ta merrte mandatin.
Ndërkaq, në disa zona u përdor dhuna ekstreme. Në Kavajë, ku kandidonte Astrit Patozi, policia e rrahu një komisioner deri në prag të vdekjes, ndërsa shoferit të Ridvan Bodes ia lidhën kokën te goma e makinës së policisë. Në Peqin, banda të armatosura dhe policia vepronin së bashku kundër Halit Shamatës, ndërsa në perifieri të Tiranës, në orët e mbrëmjes, nxorën në rrugë tanket për të demonstruar forcë.
Në Shijak, ku kandidonte Agron Duka përballë Osman Metallës, situata po dilte jashtë kontrollit. Kur duheshin dhe dy kuti për të mbaruar procesi, Metalla ishte 2 mijë vota para. Dy kutitë nuk po vinin. Një grup i armatosur së bashku me Leonard Kokën i kishin marrë ato dhe i kishin çuar te FUB, siç quheshin zyrat e kompanisë së tyre. Prej andej kutitë erdhën 1300 me 1 dhe 800 me 10 për Agron Dukën. Rezultati u përmbys formalisht, por shpërtheu zemërimi në qytet. KQZ u rrethua nga njerëz të Agron Dukës, kurse ata u rrethuan nga njerëz të opozitës. Situata do shkonte drejt gjakderdhjes, sikur të mos ishte treguar i matur. I turpëruar nga manipulimi flagrant, Duka kërkoi nga gjykata që zgjedhjet të anuloheshin për t’u përsëritur. Gjykata ia plotësoi dëshirën. Në raundin e dytë pastaj nuk kishte njeri të ndalte më fitoren e tij. I bindur se aty dhuna do ishte ekstreme, vendosa të shkoj vetë së bashku me një kolegun tim, Arben Runën, në gjithë qendrat. Pas një inspektimi të shpejtë, pamë se problem ishte një qendër në Shënavlash, një fshat ku PD merr zakonisht 800 deri 1000 vota para PS dhe në vendin e quajtur Bregu i Kanalit, ku babai i një të burgosuri ordiner, nën premtimin se do t’i lironin djalin, nuk lejonte fare komisionerë të opozitës në komision. Disa që guxuan, i arrestuan një natë më parë dhe votimi u bë pa komisionerë të opozitës. Në Shënavlash ishte dhe më keq. Shkolla ishte e rrethuar nga një gardh me makina banditësh. Një komisioner i PD, që kishte tentuar të rezistonte në mëngjes, ishte kërcënuar dhe ishte zëvendësuar me një më të urtë. Rreth orës 16:00 mbasdite tentuam të futemi në shkollë. Disa makina ngushtuan rrugën, kurse një “Benz” filloi të xhironte gomat rrotull makinës sime. Një fytyrë me sy të skuqura dhe leshra thuajse të palara shikonte me shumë çudi nga unë dhe skërmiste dhëmbët. Arbeni mori kamerën e dorës dhe doli jashtë.
- Jemi nga OSBE, - iu tha djemve të egërsuar. - Do shkojmë brenda.
- Nuk i folën fare atij, por, pasi folën në telefon me Leonard Kokën, xhiruan disa herë gomat rreth makinës sime, kruajtën kokën me pistoletë dhe u larguan prej meje, duke më futur një të sharë. Pas meje ishte Arqile Goreja me makinën e tij. Ai i njihte mirë cilët ishin. I njëjti grup kriminal që i kishte vjedhur atij votat në vitin 2000, në Spitallë.
Në atë kohë nuk e mora shumë seriozisht rrezikun. Por, disa muaj më vonë u trondita, kur në një shkrim të egër kundër meje në gazetën “Albania” përshkruante me cinizëm këtë skenë dhe thoshte se “atëherë shpëtove, por mos mendo se mund të shpëtosh gjithmonë”. Pavarësisht se kush e kishte shkruar shkrimin, ajo që më tronditi ishte fakti se banditët nuk ishin aq të papërgjegjshm sa i mora unë. Më justifikues ishte skenari se Koka ia kishte treguar si gallatë këtë histori drejtorit të gazetës “Albania”, të cilin për një kohë të gjatë e kishte shumë mik. Ishte shumë e vështirë të ndaje kriminelët nga shtypi dhe politika e lidhur me ta.
Arben Runa kishte hyrë brenda rrethimit të shkollës. U vonua rreth 20 minuta dhe fillova të shqetësohem. Doli thuajse i shokuar. Kishte ndezur kamerën dhe nga audioja e saj kuptohej se çfarë tmerri ishte brenda. Komisioneri më trim i PD i shpjegonte me zë të lartë se ishte zëvendësuar komisioneri tjetër, se ishte i sëmurë dhe nxitonte t’i thoshte se çdo gjë ishte në rregull.
Dikush që shoqëronte Arbenin nga të fortët i përsëriste afër kamerës:
- E shikon, plako, o në rregull këtu. Gjithçka në rregull. Mos u bëni merak, iu thuaj atyre të OSBE. Dhe qeshte pas çdo fjalie. Shihej qartë se kishte marrë fund gjithçka. Agron Duka u shpall fitues.
Po kështu u shpallën fituese të gjitha ato zona që ishin piketuar si të tilla, duke i përsëritur zgjedhjet deri në 5 herë, siç ishte rasti i zonës së Ferdinand Ollit në Devoll, që kandidonte në një zonë thuajse bastion i PD. Atij ia copëtuan procesin në 5 herë, derisa ia morën mandatin.
Por simboli i manipulimit të atyre zgjedhjeve u bë zona 60. Më 24 qershor, aty nuk u zhvilluan votimet dhe raundi i dytë aty quhej raundi i parë. Sipas teorisë së zgjedhjeve, proporcionali nuk duhet të llogaritej më, por Gjykata e interpretoi se ishte i ligjshëm numërimi i tij. Në këtë moment ndodhi katastrofa. PAD, PAA dhe PBDNJ nuk kishin arritur kuotën 2,5 për qind dhe si të tilla ato nuk hynin dot në parlament. Partia Socialiste urdhëroi elektoratin e saj të votonte për këto tri parti dhe për deputetin e saj. Kandidati i PD, i futur në qorrsokak nga kjo skemë elektorale, nuk arriti të kontrollojë situatën dhe komisioni zonal doli jashtë loje. Përfundimi ishte katastrofik. Në fund të procesit e majta mori 10 deputetë vetëm nga kjo zonë elektorale, nga 3 çdo parti e vogël plus kandidati i PS. Kutitë u hapën në KQZ, në Tiranë dhe procesverbali i atyre kutive është shembulli i qartë se në ç’shkallë ishte legjitimiteti i atyre zgjedhjeve. K