E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çoba: Kontrolle për çmimet të gjithë importuesve të mëdhenj të miellit

Drejtori i Policisë Tatimore, Besnik Çobaj, tha në një intervistë për gazetën “TemA”, se kjo polici është duke ndjekur me vëmendje të gjitha hallkat në të cilat mund të spekulohet për rritjen e çmimit të bukës, që nga importuesit e mëdhenj të miellit e deri te bizneset e vogla të cilat tregtojnë bukë. Kontrollet e ushtruara do të bëjnë vlerësimet për të gjitha subjektet, duke llogaritur shitjet reale si dhe çmimet reale të tyre, të cilat do të sjellin që taksimi i këtyre subjekteve të bëhet sipas këtij vlerësimi dhe jo sipas deklarimeve të tyre mbi xhiron dhe mbi çmimet. Në këtë mënyrë, nëse evidentohen raste të mosdeklarimeve reale, këto subjekte do t’i nënshtrohen niveleve të tjera të taksimit, duke paguar taksa për aq sa kanë shitur, si dhe për çmimet reale të tyre. Gjithashtu, sipas Çobajt, nga vëzhgimet e bëra deri tani rezulton se nuk ka një rritje reale të çmimit të bukës, përveç se në disa subjekte të caktuara në kryeqytet. Përgjithësisht, çmimi ka mbetur i pandryshuar në shumicën e tregtuesve të saj.

Cilat janë masat që po ndërmerr Policia Tatimore ndaj prodhuesve të bukës në lidhje me rritjen e çmimeve të saj?

Policia Tatimore si dhe të gjithë sektorët e saj kanë marrë udhëzim që të dalin dhe të kontrollojnë çmimet, qoftë për afishimin e çmimit të bukës, qoftë për çmimin real të shitjes së saj. Deri më tani rezulton se rritja e çmimit të saj është bërë vetëm në Tiranë dhe kjo vetëm në disa furra. Përkatësisht, buka 800 gramëshe në këto furra është rritur me 20 lekë, por kjo ka ndodhur vetëm në disa prej furrave të Tiranës. Në përgjithësi, në të gjitha furrat e tjera çmimi nuk ka ndyrshuar dhe buka vazhdon të shitet me atë çmim që ka pasur më parë. Ndërkohë, në rrethet e tjera, në përgjithësi, deri tani nuk ka pasur rritje të këtij çmimi, duke bërë që prodhuesit e bukës të vazhdojnë me çmimin e mëparshëm.

A keni vërejtur shkelje në furrat e kontrolluara, lidhur me detyrimet e tyre ndaj shtetit dhe nëse po, çfarë natyre kanë pasur ato dhe cilat janë masat që keni marrë ndaj subjekteve që kanë rezultuar me shkelje të tilla?

Në fakt, në qoftë se rritet çmimi, kjo nuk përbën shkelje, pasi shteti nuk ndërhyn në çmime, por është konkurrenca që e vendos atë. Detyra jonë është vetëm të vëzhgojmë çmimet dhe puna jonë konsiston vetëm në hartimin e akteve të verifikimit. Në këto akte verifikimi shënohet çmimi real i shitjes dhe më tej këto akte dërgohen në degën e tatimeve, me qëllim rivlerësimi dhe krahasimi me deklaratën tatimore dhe duke qenë se në fund të muajit çdo biznes bën deklarimin e çmimeve, këto akte krahasohen nëse ka diferenca me deklarimin. Nëse rezulton se ka diferenca, atëherë ky akt verifikimi që ne bëjmë merret për bazë për të bërë rivlerësimin e deklaratës tatimore. Qëllimi është që ne të mos lejojmë abuzimin me çmimet, duke penguar atë që bëjnë shumë biznese të tilla, të cilat rrisin çmimet, por nga ana tjetër nuk i deklarojnë rritjet e këtyre çmimeve në deklaratën tatimore, në bazë të së cilës bëhet tatimi i tyre. Në këtë mënyrë, shtetit nuk i paguhet tatimi mbi çmimin real, por mbi një çmim tjetër fiktiv, i cili ndoshta ka qenë përpara një muaji apo dy muajsh, por që nuk është më. Nëpërmjet këtyre kontrolleve arrihet që për çdo rritje çmimi, biznesi të paguajë tatimin e caktuar ndaj shtetit. Mendojmë se kjo është një mënyrë për të frenuar rritjen e çmimeve dhe për të sjellë njëfarë ekuilibrimi të tyre. Gjithsesi, është tregu ai që vendos për çmimin e bukës.

Si do të veprohet nëse vërehen abuzime lidhur me deklarimin e sasisë së mallit të shitur? Çfarë masash do të ndërmerren ndaj këtyre subjekteve?

Për sa i përket abuzimit me deklarimin në organet tatimore lidhur me sasinë e mallit janë aktet e verifikimit të cilat e vendosin sasinë e mallit. Këto akte bëjnë një vlerësim për çdo subjekt se sa mund të shesë në ditë, bashkë me çmimin e evidentuar dhe pastaj mbi bazën e këtij akti bëhet krahasimi me deklaratën tatimore. Në këtë rast do të vërehet nëse janë deklaruar apo jo shitjet reale. Pikërisht, pastaj mbi këtë vëzhgim do të bëhet shumëzimi me 12 muaj të vitit për të përcaktuar nëse ky subjekt do të jetë në biznesin e vogël apo të madh. Pikërisht për këtë do të vlejnë aktet e verifikimit.

A do të ndërmerren masa ose gjoba ndaj bizneseve që kanë abuzuar në këtë drejtim?

Për këtë nuk mund të vëmë gjoba, sepse ne nuk mund ta parashikojmë sesa kanë qenë shitjet e këtij subjekti më parë. Masat e ndërmarra do të kenë të bëjnë vetëm me rivlerësimin e tatimit që këto biznese do të paguajnë dhe nuk mund të ndërmerren gjoba ndaj tyre.

Po nëse vërehet një disnivel shumë i madh midis deklarimit dhe vëzhgimit të paraqitur në aktet e verifikimit?

Në qoftë se do të vërehet një disnivel shumë i madh, atëherë është vlerësuesi, i cili, në bazë të deklaratës sonë dhe deklaratës së biznesit bën krahasimin dhe përcakton nëse deklarimi ka qenë apo jo në rregull. Më pas ai bën edhe përcaktimin për ta kaluar këtë subjekt në biznes të madh, si dhe do të detyrojë subjektin të paguajë evazionin e krijuar për mospagimin e detyrimeve gjatë muajit paraardhës.

Këto rritje çmimesh në rastet e evidentuara, ku janë vërejtur më shumë, te prodhuesit e mëdhenj të bukës apo te bizneset e vogla?

Aktualisht, ka shumë pak që janë edhe prodhues të bukës edhe importues. Ne jemi fokusuar te prodhuesi direkt i bukës, pasi këtu është edhe ndikimi direkt. Por, ne jemi duke investiguar edhe çmimin e miellit me shumicë, që në futjen e tij prej importit. Ne jemi duke kontrolluar faturat e TVSH-së, sa është çmimi me të cilin mielli futet në Shqipëri, me sa i shitet ai biznesit të vogël. Pastaj do të bëjmë krahasimin mbi deklarimin e çmimit të miellit të blerë që biznesi i vogël ka bërë në organet tatimore, duke e llogaritur si shpenzim. Në këtë drejtim, ne do të vendosim edhe për taksat që do të paguajë ky biznes, duke llogaritur të gjitha këto.

A keni vërejtur rritje të çmimeve për produkte të tjera?

Ka disa produkte ndaj të cilave janë vërejtur lëvizje të vogla të çmimeve, por nuk ka patur luhatje të mëdha. Një nga produktet ku ka pasur lëvizje të tilla të çmimeve është vaji, i cili ka qenë një prej elementëve për të cilët edhe prodhuesit e bukës janë justifikuar për rritjen e çmimit të bukës. Megjithatë, rritja e vajit ka qenë mjaft e vogël dhe kjo nuk ka ndikuar në një nivel prej 20 përqindësh, sa ka qenë edhe rritja e çmimit të bukës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›