SHBA: Nuk ka ende ftesë, mbetet shumë për t`u bërë
Ambasada amerikane në vendin tonë ka deklaruar dje se nuk është marrë asnjë vendim në lidhje me anëtarësimin në NATO të vendit tonë. Duke marrë shkas nga disa shkrime në media, kjo ambasadë, që është dhe pika e kontaktit të NATO-s ka theksuar se të 26 aleatët e NATO-s duhet të jenë në një mendje në lidhje me ftesën.
“Si ambasada që shërben si pikë kontakti e NATO-s, kemi vënë re raportime nga media në datat 5 e 6 shkurt që sugjerojnë se aleatët e NATO-s kanë marrë tashmë një vendim për t’i ofruar ftesën e anëtarësimit Shqipërisë apo vendeve të tjera të Kartës së Adriatikut. Dëshirojmë të sqarojmë që asnjë vendim formal nuk është marrë ende në lidhje me anëtarësimin e mundshëm në NATO për Shqipërinë apo ndonjë prej vendeve të Adriatikut 3. Të 26 aleatët duhet të jenë në një mendje, në mënyrë që të ofrohet një ftesë”, - thuhet në një deklaratë për shtyp që ka shpërndarë kjo ambasadë. Sipas saj, janë bërë përparime në lidhje me marrjen e ftesës, por shumë ngelet për t`u bërë, sidomos për sa i përket reformës zgjedhore dhe asaj në drejtësi. “Kohët e fundit, kemi vënë re përparim domethënës në përpjekjet e Shqipërisë për të përmbushur standardet e bazuara mbi rezultate të NATO-s, siç janë përvijuar në Planin e Veprimit për Anëtarësim. Megjithatë, mbetet më shumë për t’u bërë. Jemi inkurajuar nga qëndrimi i përmirësuar bipartizan kundrejt bashkëpunimit, diçka e evidentuar, midis të tjerash, nga miratimi unanimisht i një rezolute të paraqitur nga opozita në mbështetje të reformave për të përmbushur kriteret e NATO-s. Megjithatë, një numër domethënës reformash, specifikisht në fushat e reformës zgjedhore dhe gjyqësore, mbeten të paplota. Vazhdojmë të presim përparim të mëtejshëm drejt këtyre reformave për t’u siguruar që Shqipëria të jetë kandidatja më e fortë e mundshme, në kohën kur të merren vendimet përfundimtare të NATO-s”, - thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.