E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fillojnë negociatat mes Kurumit dhe Sindikatës

Raundi i parë përfundoi në orët e vona të mbrëmjes pa asnjë marrëveshje. Pritet që bisedimet të vijojnë


ELBASAN - Pas 7 ditësh greve, realizohet raundi i parë i negociatave mes Kurumit dhe Sindikatës së mertalurgëve në Elbasan. Takimi është zhvilluar në ambientet e firmës ku kanë marrë pjesë një përfaqësi e grevës dhe drejtues të firmës. Taf Koleci, kreu i sindikatës së Industrisë që udhëheq grevën tha se palët kanë shtruar kërkesat dhe pretendimet e tyre dhe pas diskutimesh të gjata nuk është arritur në një marrëveshje për të mbyllur grevën.


Ai deklaroi se negociatat do të vazhdojnë në një raund të dytë ku edhe do të shtrohen sërish kërkesat e punëtorëve. Ndër kërkesat e vështira për t'u negociuar ka qenë rritja e pagave. Punëtorët grevistë kërkojnë rritje 30-40 % në formë progresive në bazë të kualifikimit, ndërsa "Kurum"-i ka bërë lëshim deri në 4% rritje, kjo të paktën sipas burimeve nga sindikalistët.


Ndërkohë, për pagat e bllokuara të metalurgëve, Tafë Koleci tha se do të ndërmerret edhe një hap i rëndësishëm për bllokimin e çdo qarkullimi brenda në firmë në rast se ato nuk kalojnë deri të martën. "Lidhur me shqetësimin e pagave, të premten punëtorët duhet të merrnin pagat. Kjo vonesë është edhe një gjë që rëndon më tepër mbi ata.


Në mënyrë selektive i janë dhënë pagat vetëm 10 vetëve. Duan të bëjnë presion që t'i përulin punëtorët me forma antiligjore. Në këto raste Kodi i Punës përcakton gjoba të jashtëzakonshme ndaj pronarëve",- u shpreh Koleci. Lidhur me ndërhyrjen e ministrive apo institucioneve, ai tha se një pjesë e Ministrisë së Punës është bërë palë me firmën.


"Të gjithë përfaqësuesit e ministrive që kanë ardhur këtu, nuk kanë zgjidhur asnjë lloj gjëje. Ministria nuk ka asnjë lloj tagri dhe force për të ndërhyrë, por të mos them edhe këtë tjetrën që një pjesë e Ministrisë së Punës janë bërë palë me firmën. Madje, ka pasur edhe tentativa për thyerje greve nga ministria, pronarët dhe nga forcat e rendit".


Për kërcënimin mbi largimin e kompanisë nga Shqipëria, Tafë Koleci, tha se kjo deklaratë është një formë presioni pasi, kur e kanë blerë kompaninë, është lidhur një kontratë. Ata marrin penalitete dhe brenda kontratës nuk largohen dot. Pritet që pas përfundimit të negociatave punëtorët të vendosin fillimin e grevës së urisë.


Tashmë ata kanë zgjedhur ambientet dhe janë përcaktuar personat që do të ndërmarrin grevën në ambientet e firmës "Kurum". Raundi i dytë i negociatave pritet të zhvillohet të martën. Në rast të dështimit të tyre, sindikata ka deklaruar si hap të radhës grevën e urisë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›