Kujtohen katër policët e vrarë në Durrës
Krerë të Policisë dhe të Ministrisë së Brendshme kryen homazhe dje në varret e 4 dëshmorëve të vrarë vitin e kaluar
Ceremonia u zhvillua dy ditë më vonë nga përvjetori i rënies së efektivëve, për motive ende të paqarta
TIRANE- Katër efektivët e vrarë një vit më parë me shtatë gusht në plazhin e qytetit të Durrësit, u përkujtuan zyrtarisht në një ceremoni të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, në Varrezat Dëshmorëve të Kombit.
Për nder të katër oficerëve të larte te policisë, të vrarë në përpjekje për kapjen e të shumë kërkuarit Dritan Dajti, dje u zhvilluan homazhe në Varrezat e Dëshmorëve.
Kurora me lule u vendosën ne vendet ku prehen eshtrat e komandantit të skuadrës, Fatos Xhani dhe tre agjentëve Altin Dizdari, Kastriot Feskaj dhe Saimir Duçkollari. Ministri i Brendshëm Lulzim Basha, gjatë fjalës së tij i quajti oficerët e rënë në krye të detyrës, tashmë Dëshmorë të Kombit si 4 më të mirët e Policisë së Shtetit.
"Ata sakrifikuan jetën në mbrojtjen e vlerave më të larta.
Vjet ne humbëm 4 oficerë, por dhimbja që ndjen na bën krenarë të vazhdojnë në rrugën e tyre të sakrificës"- tha ai. Basha premtoi se Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme do te marrin të gjitha masat që mungesa e familjareve kurrë të mos shndërrohet në një mungesë përkujdesjeje për fëmijët."
Shembulli i 4 dëshmorëve na kujton peshën e rëndë të simboleve të policisë së shtetit për garantimin e lirisë së çdo qytetari. Sipas Bashës, qeveria ka marrë masa konkrete për familjet e punonjësve të Policisë të kësaj kategorie, nëpërmjet një ligji konkret, për të ndihmuar ato.
Projekt- ligji i kaluar në qeveri, është kundërshtuar si i mangët nga Sindikata e Policisë së Shtetit e cila e ka cilësuar këtë ligj si të mangët e madje që iu heq disa favore ekonomike familjeve të efektivëve të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës.
Më tej Basha vijoi: Përgatitja e kuadrit ligjor dhe stërvitja operacionale taktike që keni marrë dhe mësimet nga këto ngjarje do të shërbejnë në mënyrë që, kurrë më, kush guxon të drejtojë armën drejt policisë, të mos guxojë ta shkrepë më"- tha ai. Pas fjalës së Bashës, përshëndeti në emër të familjeve një nga të afërmit. "Ata ishin djemtë tanë, tani janë të kombit.
U jemi mirënjohës atyre për detyrën e mbaruar dhe për frymëzimin e lënë për brezat"- tha një i afërm i familjeve të të vrarëve. Ndërkohë që familjet hapën dyert dhe i kujtuan ata ditën e tragjedisë, drejtoria e Policisë informoi se ceremonia do të zhvillohej sot në orën 10.00 në varrezat e Dëshmorëve të Kombit.
Katër efektivët mbetën të vrarë gjatë një operacioni për arrestimin e Dritan Dajtit në plazhin e Durrësit. Gjithsesi edhe një vit pas ngjarjes së rëndë, kjo e fundit ka mbetur edhe sot e kësaj dite e pazbardhur saktësisht.