Fillon seanca për rastin Kleçka

Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë pritet të fillojë seanca e parë dëgjimore për “rastin Kleçka”.
Për këtë rast EULEX-i ka ngritur aktakuzë kundër 9 personave përfshirë këtu edhe deputetin Fatmir Limaj.
Ndonëse në seancën e parë, deputeti Limaj nuk është paraqitur, emri i tij tashmë figuron në faqen zyrtare të EULEX-it në rubrikën e gjykimeve.
“Limaj dhe të tjerët” quhet seanca në të cilën do të shqyrtohet kërkesa e prokurorit special Maorizio Salustro, për vazhdimin e paraburgimit të disa ish-bashkëluftëtarëve të deputetit Limaj të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime kundër të burgosurve bë vitin 1999 në fshatin Kleçkë të komunës së Malishevës.
Pavarësisht që emri i tij është në faqen zyrtare të EULEX-it si një nga të akuzuarit për këtë rast, Limaj nuk është në arrest ngase atë e mbron imuniteti i deputeti.
Limaj ka paralajmëruar se do ta bojkotojë seancën e të hënës. Tom Gashi, avokati i Fatmir Limaj i ka thënë Klan Kosovës se "Limaj nuk do të paraqitet të hënën në gjykatë pasi ai nuk ishte në paraburgim dhe nuk kishte të shqiptuar ndonjë masë tjetër".
Prej 8 të dyshuarave të tjerë, 3 janë në arrest shtëpiak, ndërkaq 5 janë në paraburgim. /rel/