UP, Universiteti i parregullsive
Zyra e Auditorit Gjeneral në raportin e publikuar për Universitetin e Prishtinës ka identifikuar dobësi të caktuara menaxheriale dhe të kontrollit financiar. Mosadresimi i plot rekomandimeve të vitit të kaluar tregon se të njëjtat dobësi të kontrolleve të brendshme janë ende evidente.
Shembujt e ndryshëm të kontrollit të dobët flasin për faktin se kontrolli i përgjithshëm i UP-së nuk ka funksionuar si duhet në drejtim të eliminimit, parandalimit, zbulimit dhe përmirësimit të gabimeve.
“Moszbatimi i plotë i rekomandimeve tona ka shkaktuar ekzistencën e problemeve dhe përsëritjen e gabimeve të njëjta, si në vitin e kaluar. Ky është një shqetësim për ne dhe do të duhej të ishte shqetësim edhe për menaxhmentin e UP-së”, thuhet në raportin e Auditorit.
Kontratat mbi vepër ende mbeten problem në Universitetin e Prishtinës, pasi që nuk janë në përputhje me ligjin.
“Për kryerjen e punëve të ndryshme, gjatë vitit 2010, UP-ja ka angazhuar edhe individë, të cilët nuk janë në marrëdhënie të rregullt pune. Kjo është realizuar përmes angazhimit dhe nënshkrimit të kontratave mbi vepër. Dhjetë kontrata mbi vepër janë në afat të pacaktuar. Kontratat e tilla nuk janë në harmoni të plotë me ligjin dhe rregulloret në fuqi”.
Auditori ka gjetur parregullsi edhe në organizmin e aktiviteteve për Universitetin Veror.
“Përzgjedhja e kandidatëve për shërbimet kontraktuese, që kanë të bëjnë me Universitetin Veror të Prishtinës, është bërë me shpallje publike përmes konkursit. Gjersa për shërbimet e tjera kontraktuese nuk është ofruar asnjë shpjegim për mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve. Shumica e këtyre individëve që janë angazhuar me kontratë mbi vepër, pas disa muajve janë punësuar përmes konkursit të rregullt”.
Po ashtu, me rastin e analizave të shpenzimeve sipas kategorive ekonomike, gjegjësisht klasifikimin e tyre në kode përkatëse, bazuar në shënimet e Thesarit, janë vërejtur gabime në regjistrimin e shpenzimeve duke devijuar si klasifikimin e tyre, ashtu edhe përshkrimin e gabuar të shpenzimit.
“Në kodin 13230 Mbeturinat janë regjistruar shpenzimet e mëditjeve dhe të telefonit. Në kodin 13410 Shërbimet e arsimit dhe trajnimit janë regjistruar dreka zyrtare, shpenzime udhëtimi, bursa, rimbushje për paranë e imët dhe mbyllje avansi”, saktëson raporti.
Raporti evidenton edhe pasaktësi të tjera, të cilat nuk janë korrigjuar nga ana e menaxhmentit, si shpalosje jo e duhur e pasurive kapitale, gabime në përshkrimin e shpenzimeve dhe regjistrimin e tyre në kode joadekuate dhe mosshpalosja e avanseve të paarsyetuara për udhëtime zyrtare.
Bazuar në të gjeturat, Auditori konkludon se UP-ja nuk ka sistem të duhur të kontrolleve të brendshme të menaxhimit të burimeve njerëzore në përgjithësi, me theks të veçantë te përditësimi i dosjeve të personelit që ndërlidhet me vlerësimin vjetor të performancës së punëtorëve, vazhdimin e pagesave edhe pas skadimit të kontratave dhe ndarjen jo të qartë të detyrave dhe përgjegjësive.