Fillon zbatimi i vendimit për Prevallën

Sot, inspektorët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, bashkë me punëtorët e parkut nacional “Sharri”, inspektorët e Komunës së Prizrenit dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, janë duke inspektuar ndërtimet në zonën e Prevallës, pjesë kjo e parkut nacional, me qëllim të fillimit të fazës së parë për zbatimin e vendimit që ndërpret të gjitha aktivitetet ndërtimore në këtë zonë.
Ky aksion vjen pas nxjerrjes së vendimit nga ana e Ministrit të MMPH’së, Dardan Gashi, për ndalimin e të gjitha ndërtimeve në zonën e Prevallës, që ka ardhur si pasojë e degradimit të mjedisit, gjegjësisht tejkalimit të kushteve dhe kritereve për ndërtim dhe mosrespektim të udhëzuesit të MMPH’së për mënyrën e zbatimit të planit urban në këtë zonë.
Gjatë aksionit pritet të bëhet edhe identifikimi i të gjitha objekteve në këtë zonë./Indeksonline/