E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heshtje e dyshimtë e Qeverisë së Kosovës

Në vazhdë të reagimeve lidhur me marrëveshjen e përfolur mes konsorciumi amerikan “New Generation Power” dhe Qeverisë së Serbisë ka reaguar sot edhe Lëvizja për Bashkim.

”Për këtë çështje, menjëherë pas marrëveshjes, u prononcua edhe Qeveria e Serbisë, ministri i së cilës tha se nënshkrimi i kësaj kontrate erdhi pas marrëveshjes për veriun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Ajo që nuk u deklarua fare për këtë çështje deri më sot është Qeveria e Kosovës.

Lëvizja për Bashkim konsideron se heshtja e Qeverisë së Kosovës rreth këtij rasti është një papërgjegjësi e madhe e këtij institucioni. Ky është një veprim i cili lë hapësirë për dyshime të arsyeshme se edhe vetë kjo Qeveri është e implikuar në forma të ndryshme në këtë ngjarje. Madje, një sjellje e tillë ngjallë dyshime edhe për përmbajtjen e vërtetë të marrëveshjes së dëmshme midis Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë në bisedimet e fundit.

Lëvizja për Bashkim e fton Qeverinë e Kosovës që të kryej obligimin e saj ndaj qytetarëve të vendit duke mbajtur qëndrim për këtë situatë. Ajo duhet ta demonstrojë fuqishëm faktin se Republika e Kosovës është shtet dhe se Qeveria e Serbisë nuk ka juridiksion mbi pasuritë tona e rrjedhimisht as në kompleksin e minierave të Trepçës”, thuhet në reagim./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›