Dëshmitari “M” akuzon EULEX-in për presion

Dëshmitari “M” ka përfunduar dëshminë në rastin “Kleçka”. Ai nëpërmjet video-linkut, zëri i të cilit ka qenë i deformuar dhe nuk i është dukur fytyra, ka akuzuar zyrtarët e EULEX-it se si i kanë bërë presion në kohën kur ka nënshkruar deklaratat e dhëna për rastin “Kleçka” në mars dhe maj të vitit 2011.
“Unë dhe familja kemi pasur frikë nga EULEX-i. Ata kanë ardh dhe më kanë marrë në shtëpi, më kanë qit mas kodre dhe më kanë marr në pyetje. Jam tut prej njerëzve të EULEX-it. Unë jam kanë në shpi kur kanë ardh mem marrë. Në oborr janë kanë fëmija, edhe ata janë tutë. Unë nuk jam tut prej kërkujt përpos prej EULEX-it. Më kanë çu nja 15 kilometra larg shpije dhe me kanë shti në një rrugicë, në fshatin Mirushë dhe më kanë pyet se ku jam. Dhe kur më kanë çu atje jam tut se, përndryshe, kurrë nuk e kisha nënshkru deklaratën”, ka thënë dëshmitari “M”, i cili ka treguar se për këtë çështje ka bërë edhe ankesë me shkrim. “E kam angazhuar një avokat dhe e kam ba një ankesë të cilën e kemi dorëzu në EULEX lidhur me deklaratën e nënshkruar”, ka deklaruar dëshmitari “M”.
Dëshmitari “M” ka treguar se për çfarë arsye është arrestuar nga UÇK-ja. Po ashtu ka mohuar se të burgosurit në burgun e Kleçkës kanë qenë të keqtrajtuar. “Mua më kanë mbajt 3 ose 4 orë. Më kanë shti në odë, më kanë pyetur se për çfarë më kanë sjellë këtu. U kam thanë se djali jem e ka marr një thes miell poshtë në katund. Aty nuk e di kush më ka marr në pyetje. Nuk e kam njohur askënd. Nuk e di a ka qenë civil apo ushtar. Kaq. Nuk di për identitetin e tij. Nuk është e vërtetë se ka pasur njerëz të gjakosur aty ku jemi mbajtur”, ka thënë dëshmitari “M”.
Kur prokurori Maurizo Salustro e ka pyetur se si është dukur shpija ku është ndalur, dëshmitari “M” ka dhënë këtë përgjigje: “Unë nuk kam pas metër për me ia mat shpinë se sa është e madhe dhe sa dhoma ka. Unë kam qëndruar në një dhomë vetëm një orë dhe jam liruar. Kushtet ku unë kam qëndruar kanë qenë mesatare. Nuk është e vërtetë se më kanë dërguar në bodrum të shpisë. Është e vërtetë se shpija ka qenë e Islamit (Islam Elez Shalës)”, ka thënë dëshmitari “M”, i cili ka mohuar pothuajse çdo gjë nga ajo që është pyetur nga prokurori Salustro, shkruan Epoka e Re.
Gjatë gjithë kohës sa është marrë në pyetje dëshmitari “M” ka pasur probleme me zërim dhe shpeshherë nuk i ka kuptuar pyetjet. Famir Limaj ka kërkuar nga trupi gjykues që përkthyesit ta përshtatin përkthimin. “Përkthyesit janë duke përkthyer në një nivel akademik. Kërkoj që përthimi të thjeshtësohet”, është shprehur Limaj.
Seanca e radhës për rastin Kleçka do të mbahet më 28 maj, në të cilën do të dëshmojë dëshmitari “B”. Në këtë seancë mund të dëshmojë edhe dëshmitari “I”./Indeksonline/