Filluan kontaktet mes VMRO dhe BDI-së
Dy partitë fituese të zgjedhjeve të 5 qershorit nw Maqedoni, VMRO-DPMNE dhe BDI, kanë nisur kontaktet e para për bisedimet për formimin e koalicionit qeveritar.
Siç bëjnë të ditur burime pranë BDI-së, krerët e partisë shqiptare kanë përgatitur platformën dhe kërkesat, me të cilat do të paraqiten në negociatat për formimin e koalicionit qeveritar.
Brenda ditëve të ardhshme pritet edhe takimi i parë midis liderit të VMRO-DPMNE, Nikola Gruevski dhe liderit të BDI-së, Ali Ahmeti.
Siç merret vesh nga burime partiake, partia shqiptare është pajtuar me disa pjesë të programit të VMRO-DPMNE, që kanë të bëjnë me planin ekonomik dhe social, ndërsa ajo pritet që të përfshijë edhe platformën e saj.
Gjithashtu bëhet e ditur se BDI do të kërkojë përfshirjen e kërkesave të saj në kuadër të prioriteteve të qeverisë së re, siç janë zhbllokimi i proceseve euro-integruese përmes zgjidhjes së kontestit të emrit, implementimi i shpejt i pjesëve të ngelura dhe kontestuese të Marrëveshjes së Ohrit, mbyllja e rasteve të Hagës si dhe kërkesa të tjera që kjo parti i pati si pjesë të platformës parazgjedhore.
Në kuadër të negociatave, BDI do të kërkojë edhe postin e kryetarit të parlamentit si dhe ministri më të rëndësishme në kuadër të qeverisë.