E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filma me tema ende tabu për audiencën shqiptare

Nga Kujtim Çashku

Edicioni i gjashtë i Festivalit të Filmit për të Drejtat e Njeriut është një dëshmi e konsolidimit të një tradite dhe interesave demokratike të një shoqërie në zhvillim, sikurse është shoqëria shqiptare. Përzgjedhja e 35 filmave artistikë, dokumentarë dhe të shkurtër, nga mbi 300 filma të paraqitur nga mbarë bota, është bazuar kryesisht në problematikat që lidhen me çështje të ngjashme me problematikat e vendit tonë. Temat qendrore të këtij edicioni lidhen me aspekte të krimit të organizuar, qofshin ato të korrupsionit, terrorizmit, fondamentalizmit, trafikimit të qenieve njerëzore dhe drogës, shfrytëzimit të të miturve, skllavërisë moderne dhe shfrytëzimit të pasurive natyrore. Përveç këtyre, një përzgjedhje e veçantë i është kushtuar filmave me karakter frymëzues e sfidues për njerëz me aftësi të kufizuara. Gjatë pesë ditëve të festivalit do të zhvillohen forumet e paradites me pjesëmarrjen e gjimnazistëve dhe specialistëve të fushave të ndryshme me debate që lidhen me të drejtat e njeriut. Duke qenë se i përkasim një vendi ku censura ka qeverisur për dekada të tëra, ka qenë një kënaqësi e veçantë për stafin dhe komitetin selektiv që t’i sjellim në vëmendje publikut filma që hedhin dritë mbi skuta të errëta në shoqëritë e sotme totalitare e post-totalitare. Një sërë filmash të prodhuar rishtazi, që do të shfaqen për publikun, janë të ndaluar në vendet e tyre të origjinës. Krimi i organizuar sot është një strukturë transnacionale. Ai ka hartën e vet të veprimit. Rezultati final i tyre është dominimi i sistemeve financiare dhe krijimi i strukturave okulte për të mbajtur nën kontroll çdo sektor të jetës. Spektatorët do të vënë re në këto filma se qëllimi kryesor i strukturave të krimit të organizuar janë përfitimet marramendëse materiale. Këto përfitime realizohen përmes shndërrimit të ekonomisë informale në ekonomi legale. Mënyrat e legjitimimit të këtyre përfitimeve kryhen së pari nëpërmjet korruptimit të autoriteteve publike, privatizimit të shtetit, dhe përfshirjes direkte në pushtetet legjislative, ekzekutive e gjyqësore. Ky lloj strukturimi i siguron krimit të organizuar pandëshkushmërinë e aktivitetit kriminal që ata kryejnë ose kanë kryer më parë. Me shtimin e peshës që mediat luajnë në shoqëritë moderne, krimi i organizuar jo rrallëherë përdor fuqinë e antenave mediatike. Filmat e zgjedhur tregojnë me fakte konkrete se strukturat e krimit marrin informacion të rregullt nga sektori publik. Shumë operacione anti-korrupsioni e anti-krimi dështojnë si pasojë e dekonspirimeve që bëjnë vetë strukturat publike. Në disa prej filmave, regjisorë mjaft të guximshëm me kameran e tyre bëjnë një investigim e analizë të hollësishme të këtyre krimeve.

Festivali i sivjetshëm ka një përzgjedhje të veçantë me një sens inkurajimi për komunitetet rome dhe të njerëzve me aftësi të kufizuar. Përzgjedhja e këtyre filmave është në funksion të disa arritjeve inspiruese të këtyre grupeve e kategorive shoqërore. Jam i bindur se spektatori ynë do të gjejë gjatë ditëve të festivalit filma që do ta pasurojnë jetën e tyre dhe do të zbulojnë mjaft surpriza të tjera që kanë të bëjnë me tema ende tabu për audiencën shqiptare.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›