Mikhail Kodorkovski si u vodh filmi në Berlin, për oligarkun rus
Kodorkovski, një histori sesi njeriu më i pasur i Rusisë u bë i burgosuri më i famshëm i Rusisë! Dokumentari i gjermanit Cyril Tuschi, shfaqet në Tiranë. Ky është filmi me të cilin sonte në mbrëmje në orën 19:00 në Akademinë ‘Marubi’ çelet edicioni i 6-të i Festivalit të Filmit Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut. Mjaft i debatuar në vendet ku është shfaqur, ky film tregon jetën e miliarderit rus Mikhail Kodorkovski, që nga koha kur si student hodhi hapat e parë drejt pasurisë së madhe e deri te përplasjet me Vladimir Putin-in, përplasje që do të pasoheshin me burgosjen e tij. Prodhimi gjermano-francez nuk lejohet të shfaqet në Rusi, ndërsa në festivalin e filmit në Berlin, DVD-ja e filmit u vodh nga zyra e regjisorit. Asokohe qarkulluan zërat se DVD u mor nga rusët, por këto zëra mbeten të pakonfirmuar. Dokumentari hedh dritë mbi transformimin e Mikhail Khodorkovskit: nga një socialist i përkryer në një kapitalist të përkryer dhe në fund, në një burg të Siberisë, duke u kthyer në një martir të përkryer. Gruaja e tij e parë, djali i tij si edhe nëna e Kodorkovskit janë ata që i japin tjetër ngjyrë e formë rrëfimit të jetës së pasanikut të burgosur. Khodorkovski, rusi më i pasur “kundër” presidentit Putin, dukej si një luftë titanësh. Putin e paralajmëron, por Khodorkovski kthehet në Rusi, duke e ditur se do të burgoset, sapo të kthehet. Pyetja që shtrohet është: pse nuk qëndroi Khodorkovski në mërgim me gjithë ato miliarda? Pse u kthye? Pse e bëri ai këtë? Vetë kryepersonazhi do ta rrëfejë përgjigjen e kësaj pyetjeje në një interviste nga hekurat e burgut...
Realizimi i filmit ishte një vërtetë interesant: me një buxhet prej vetëm 400 000 €, regjisori Cyril Tuschi pohoi të kishte siguruar diçka që asnjë media në botë nuk e kishte bërë: një kamera që xhiron një intervistë të kryer nëpërmjet hekurave të bankës së të akuzuarve, gjatë gjykimit të dytë të Khodorkovskit në Moskë, vitin e kaluar.
Intervista në vetvete nuk është një nga skenat më interesante të filmit dokumentar prej 111 minutash. Ajo bëhet tejet e bukur nëse kemi parasysh qëndrimin e veçantë të të burgosurit…
E kështu pas filmit rus edhe shumë filma të tjerë të ndaluar në vende të ndryshme të botës do t’i ofrohen publikut shqiptar në Festivalin e 6-të Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut. Qysh prej vitit 2006, Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi” organizon çdo vit Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut. E këtë vit, festivali gjallon edicionin e tij të 6-të, që e nis startin sot në Akademinë e filmit dhe ‘Marubi’. Të pranishëm gjatë 5 ditëve të festivalit do të jenë 14 regjisorë, të cilët do t’i prezantojnë vetë krijimet e tyre, duke rrëfyer për publikun shqiptar idetë dhe ngacmimet që çuan në prodhimin e këtyre filmave. Të 35 filmat e përzgjedhur sjellin tablo rrëqethëse, të vërteta të fshehura, lidhje të rrezikshme të krimit me politikën dhe median, shkeljet e të drejtave themeltare të njeriut, tabu nga jeta e përditshme në çdo skaj të globit, atje ku vihen në pikëpyetje vlerat morale, etike e shpirtërore, ku individë, grupe shoqërore e vende të ndryshme kanë humbur çdo lloj perspektive e shprese ndaj të ardhmes së tyre. “Unë si një njeri që kam jetuar në periudhën e censurës që na pengonte të kishim informacion se çfarë ndodhte në vendet e tjera të botës, sot mund të deklarojmë se Shqipëria është një vend që shfaq filma që ndalohen në vende të tjera të botës. Dhe kjo e shndërron vendin tonë që censuronte veten në një vend i hapur që u krijon mundësi të tjerëve për të sjellë këto dilema dhe problematika që ka sot mbarë bota.”- u shpreh regjisori Kujtim Çashku, njëkohësisht dhe organizatori i këtij festivali në Tiranë.
Filmat e ndaluar, në ‘Marubi’
Janë disa filma që do të shfaqen gjatë 5 netëve të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut në ekranin e kinemasë ‘Marubi’. Përveç filmit që çel sonte festivalin, një filmi dokumentar që sipas organizatorëve përcjell mesazhe të forta është dhe prodhimi tajlandez me titull “Aktualitet: Të burgosurit në Burma”, një prodhim i vitit 2011 i regjisorit Jeannë Hallacy, që tregon historinë e heronjve të pakënduar të Burmas - të burgosurit e saj të ndërgjegjes - dhe çmimi që ata paguajnë për të folur të vërtetën për pushtetin në një diktaturë ushtarake. Duke përdorur pamje të xhiruara fshehurazi në Burma, filmi zbulon historitë dhe sakrificat e njerëzve “të zakonshëm” me guxim të jashtëzakonshëm, dhe udhëheqësit që i frymëzojnë ata. Ish-i burgosur i politik Bo Kyi dhe një ekip i nëndheshëm punojnë pa pushim dhe shpesh në rrezik të madh në emër të 2 100 kolegëve të tyre të burgosur. Ndërsa ata dhe të tjerë të panumërt vazhdojnë të luftojnë, ëndrra e një Burme të lirë mbetet gjallë. “Filmi i parë që hap festivalin është ndaluar të shfaqet në Rusi. Filmat që kemi për Korenë e Veriut, gjithashtu nuk lejohen të shfaqen atje. Por ka diçka interesante në këto prodhime që vijnë për Korenë e Veriut, sepse do shohim se ajo çfarë ndodh në Kore sot ndodhte dikur në vendin tonë. Në këtë kontekst, një pjesë e filmave që janë përzgjedhur për këtë festival janë bërë me këtë qëllim, që disa prej tyre të trajtojnë edhe problematika që kanë të bëjnë me shoqërinë tonë dhe si ka qenë dikur shoqëria jonë. Në një pjesë vendesh, qofshin Afrikane apo Aziatike, problematikat e sistemeve totalitare dhe post totalitare mbeten të ndjeshme. Në këtë mori janë 5-6 filma që janë të ndaluar në vendet e tyre dhe që do të shfaqen gjatë netëve të këtij festivali”- zbulon disa detaje regjisori Çashku. Filmat u takojnë zhanreve të ndryshme dhe trajtojnë çështje të të drejtave të njeriut që edhe pse i referohen vendeve të tjera, hedhin dritë direkte mbi realitetin dhe fenomene të shoqërisë shqiptare. Nëpërmjet tyre, publikut shqiptar do t’i krijohet mundësia jo vetëm të njihet me realitete të dhimbshme të shoqërisë njerëzore, por edhe të reflektojë mbi problemet e shoqërisë sonë.
Regjisorët një leksion për censurën
Në festivalin e filmit do të jenë të pranishëm edhe regjisorët të cilët kanë provuar mbi supe censurën nga vendet ku vijnë, por dhe regjisorë të tjerë që përfaqësohen në këtë festival. Regjisorët e pranishëm gjatë ditëve të festivalit do të jenë: Theodore S.Orlin, Simon Stewenso, Tania Rakhmanova, Pieter Fleury, Carlo Prevosti, Rex Bloomstein, Andrea Segre, Villi Herman, Alexandru Solomon, Maria Jose, Stefania Casini, Almut Getto, Blerta Zeqiri, dhe regjisori shqiptar Bujar Alimani, që do të flasë për filmin e tij “Amnistia”.
Bashkëpunëtorët
Ky Festival është mundësuar edhe falë bashkëpunimit me një sërë organizatash dhe institucionesh vendase dhe ndërkombëtare, të tilla si fondacioni ‘Friedrich Ebert’, UNICEF, Ambasada Zvicerane, Ambasada e Francës, Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, Ambasada e Gjermanisë, Ambasada e Austrisë, Ambasada Amerikane, Instituti Shqiptar i Medias, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, OSBE, Delegacioni i Këshillit i Europës, UNDP, Utica College, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Qendra Kombëtare Kinematografike etj. Bashkëpunimi dhe mbështetja e tyre kanë bërë të mundur zhvillimin e Edicionit të Gjashtë të Festivalit për të Drejtat e Njeriut.