E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arbën Xhaferi: Arsyet pse jam kundër tezës së Shmitit për Skënderbeun

Arsyet pse jam kundër tezës së Shmitit për Skënderbeun

Në librin “Arbën Xhaferi rrëfen. Në Tetovë në kërkim të Kuptimit” ai ndalet

edhe në debatin mbi biografinë e Skënderbeut, të shkruar nga historiani zvceran Oliver Jens Shmiti, por nuk heziton të etiketojë se kush janë haxhiqamilët. “Politikanë të tillë nuk shoh, mirëpo jashtë politikës ka shumë të tillë, që, duke pasur frikë irracionale nga Europa, kalojnë në pozicione ekstreme refuzuese”- u përgjigjet Arbën Xhaferi pyetjeve të gazetarit, njëkohësisht dhe autor i librit, Enver Robelli.

Cili është personaliteti më i rëndësishëm historik, për ju?

Jam i vetëdijshëm se përgjigjet e para krijojnë përshtypje se jam i fiksuar në një periudhë historike, se jam anakronik, por mendoj se çështjet indentitare luajnë një rol të pazëvendësueshëm në procesin historik, në procesin e komformimit dhe shtetformimit. Për shkaqe të ndryshme, ne kemi përpunuar vazhdimësinë historike prej epopesë kryengritëse të Skënderbeut, ndërkaq ndërlidhja e periudhës së tij me antikitetin, sot e kësaj dite, ka mbetur sa duhet. Së këndejmi, figura dhe vepra e tij merr peshën themeltare. Në kodin e tij ndërlidhen të gjitha përkatësitë dhe veçoritë kombëtare të shqiptarëve, pa marrë parasysh dallimet ekzistuese, figura e tij rrezaton vlera me të cilat identifikohen shqiptarët e besimeve dhe krahinave të ndryshme, në simbolikën e tij të gjithë ne e ndiejmë veten në shtëpi. Jeta e tij, lufta, politika, raporti i tij me të kaluarën, të tashmen, të ardhmen, me religjionin, me fiset dhe shqiptarët në përgjithësi paraqet një formulë, një recetë të përsosur për krijim të kohezionit të brendshëm, saqë të shkon mendja se dikush, një intelekt mbinatyror na ka lënë një udhëzim për mbijetesë: lind si ortodoks, rritur si mysliman dhe ndërro jetë si katolik!

Është zhvilluar dhe një debat mjaft i ashpër mbi biografinë e Skënderbeut të shkruar nga historiani zvceran Oliver Jens Shmiti (Oliver Jens Schmitt). Ai është akuzuar se paskësh paraqitur në mënyrë të padenjë heroin kombëtar të shqiptarëve, sepse, duke iu referuar një dokumenti të gjetur në Arkivin e Milanos, kishte nënvizuar se Skënderbeu ishte kthyer kundër osmanëve i shtyrë edhe nga motivet personale hakmarrëse, pasi që pushtuesit ia kishin vrarë të atin. Disa nga kritikët e Shmitit kanë dhënë mendime pa e lexuar librin fare, derisa historiani britanik Noëll Mallkollmi (Noel Mmalcom) ka deklaruar se Shmiti është një historian serioz. Pse, jo pak intelektualë shqiptarë, reagojnë me aq nervozizëm kur sado pak kritikohen figurat mitike kombëtare?

Tezat bizare gjithmonë tërheqin më shumë vëmendjen e njeriut sesa ato që janë normale. Të mohosh diçka që është normale, e dokumentuar katërcipërisht është punë më e lehtë dhe më atraktive, për shkak se njerëzit janë kureshtarë për anën tjetër të medaljes. Me këtë logjikë të Oliver Jens Shmitit, i cili përmes një dokumenti të vetëm e plandos tërë një strukturë argumentesh historike, qindra libra piktura, gravura, dhjetëra vepra muzikore, kryekëput nga autorë joshqiptarë, për rolin historik të Skënderbeut, mund të kontestohet çdo fakt historik. Bie fjala, të gjithë ne jemi të bindur se presidenti Ibrahim Rugova dhe ajka e intelektualëve, krijuese kosovare, kanë qenë itharë të pavarësisë së Kosovës. Pas 100 ose 200 vitesh një historian i llojit të Shmitit, do të zbulojë peticionin e 215 intelektualëve të shquar të Kosovës, të cilët më 1989 i dërguan një peticion kryetarit të Serbisë, Sllobodan Millosheviçit (Slobodan Milosevic), që të mos e abrogojë statusin e autonomisë së Kosovës. A do të mjaftojë që, përmes këtij dokumenti, të mohohet përkushtimi dhe angazhimi kolosal i këtyre intelektualëve për pavarësinë e Kosovës? Natyrisht se jo, ngaqë të vërtetat historike duhet të vlerësohen në kuadër të një procesi historik ku evoluojnë idetë dhe përcaktimet. Edhe në Prizren, në vitin 1878, u kërkua fillimisht autonomia, por pastaj kjo ide përfundoi si kërkesë për krijim të një shteti të pavarur shqiptar. Vërejtja e dytë ka të bëjë me metodën e kontestimit selektiv të fakteve. Historiani zviceran konteston një milion fakte të tjera, duke filluar prej atyre që burojnë nga arkivat e Vatikanit e deri te këngët epike, prej veprave letrare e deri te gravurat artistike. Ai me tendencë, e shquan vetëm një fakt: atë të motivit hakmarrës të luftës së Skënderbeut. Nëse diçka është e pamundshme që të verifikohet në analizat, atëherë ajo ka të bëjë me metodën e zbulimit të motivit që e nxit njeriun të veprojë. Rrjedhimisht, është shumë e vështirë që të dihet se cili motiv e ka shtyrë Skënderbeun të luftojë kundër osmanëve, sidomos kur dihet, se në atë kohë, analiza të kësaj natyre nuk janë bërë. Këtu po shoh një tendencë që të mohohet ideja, të zëvendësohet ajo me një instinkt psikologjik primitiv, siç është hakmarrja. Edhe me këtë rast nuk mund të dihet motivi i tij, mendoj ai i historianit zviceran. Burmimi i këtij informacioni mund të jetë i saktë, ashtu sa i saktë fakti historik se 215 intelektualë kosovarë, në krye me Ibrahim Rugovën, kërkuan nga Millosheviçi të mos e suspendojë statusin autonom të Kosovës, mirëpo këto fakte të sakta kurrsesi nuk mund të trajtohen si të vërteta të plota historike. E vërteta e kësaj historie ka të bëjë me vullnetin, me dëshirën e brendshme të historianit, që të shquajë një fakt dhe të heshtë një mijë fakte të tjera. Tendenca e brendshme manifestohet me mënyrën e përzgjedhjes së fakteve. Reagimi vehement i intelektualeve shqiptarë ndaj pohimeve të historianit zviceran është reagim ndaj një fushate që çdo vlerë kombëtare historike e trajton si mit, si konstruksion. Kjo fushatë ka nisur më herët dhe jam i prirë të besoj se Oliver Jens Shmit, si historian i respektuar, nuk ka të bëjë me këto tendenca që, megjithatë, kontestojnë rrëfimin tonë historik. Kjo nuk është vogëlsirë.

Cili është, për ju, personaliteti më i urryer historik?

Politikanët e proveniencës së Haxhi Qamilit, ata që për kushedi çfarë interesash punojnë për të tjerët. Politika e nxit njeriun që ta adhurojë veten. Nëse ai e lejon këtë, atëherë bëhet politikoolik, i varur prej saj, i gatshëm që të bëjë çmos për ta rikthyer adhurimin e dikurshëm të masës. Shpeshherë këto rikthime janë dështime të mjerueshme, ashtu si përpjekja e Haxhi Qamilit që donte t’ia vazhdojë jetës të së kaluarës.

A ka sot imitues të Haxhi Qamilit në viset shqiptare?

Ta përkufizojnë së pari nocionin haxhiqamilizëm. Këtë nocion e kuptoj si projekt të restaurimit të së kaluarës. Historia njeh shumë raste të këtilla, por zakonisht kanë qenë projekte të dështuara. Haxhi Qamili synonte ta ringjallë Perandorinë Osmane ose, të paktën, të restaurojë frymën e saj në një hapësirë të vogël, siç ishte Shqipëria. Por, ai nuk kuptonte se fryma e Perandorisë Osmane, ashtu si fundja e çdo perandorie, ka qenë tolerante për shkak të diversitetit të brendshëm. Shqipëria e vogël ku duhej të mbrohej dhe kultivohej interesi i popullit shqiptar qofshin ata myslimanë apo të krishterë. Ai, interesin shqiptar e shikonte ngushtë lidhur me interesin osman që si realitet u zhduk. Prandaj ai ishte që në start i dështuar. Së këndejmi, nëse ky përkufizim është i saktë, atëherë haxhiqamilët e sotëm do të duhej të merreshin me restaurimin e Jugosllavisë apo të komunizmit. Politikanë të tillë nuk shoh, mirëpo jashtë politikës ka shumë të tillë që, duke pasur frikë irracionale nga Europa, kalojnë në pozicione ekstreme refuzuese. Mirëpo, këto mendje nuk kanë program politik, të paktën opsione që i mbështet elektorati, prandaj në çdo zgjedhje kanë dështuar. Në çdo shoqëri ka zhvillime të ngjashme, por janë margjinale dhe të tolerueshme. ǒështë e vërteta, këto forca, nëse nuk mund të ngadhënjejnë, s’do të thotë se nuk mund të bëjnë dëm. Haxhiqamilët e sotëm e përkeqësojnë imazhin e shqiptarëve në botë. Ata mund ta bëjnë vetëm këtë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›