E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filmat aksion, më të preferuarit e të rinjve kryeqytetas

TIRANE- Filmat aksion, plot aventura dhe të papritura, janë më të pëlqyerit nga të rinjtë kryeqytetas të apasionuar pas magjisë së kinemase.

Bazur në një vëzhgim, filmat aksion janë tepër të kërkuar dhe ndiqen me dëshirë kryesisht nga të rinjtë. Kinematë e kryeqytetit shfaqin shpesh në ekranet e tyre filma aksion, madje kur shfaqen 2 filma në të njëjtën kohë në shumicën e rasteve njëri prej tyre është aksion.

Tërheqës, impresionues, e ndonjëherë edhe të frikshëm, këta filma "gozhdojnë” me emocione dhe efekte të veçanta mijëra të apasionuar. Tërheqja e tyre karshi kësaj gjinie është e ndryshme, por të gjithë pëlqejnë aventurat dhe të papriturat.

Janë realizimet perfekte, efektet speciale dhe aktorët e mëdhenj, që i bëjnë filmat aksion dhe aventurë, të jenë tërheqës për publikun. Ndoshta është pikërisht kjo “e pabesueshmja dhe e jashtëzakonshmja”, që i shtyn të rinjtë kureshtarë, e të apasionuar të ndjekin deri në fund ngjarjet dhe skenat intriguese të filmave të tillë.

Në Shqipëri ndodh që filmat aksion, por jo vetëm, nuk shfaqen gjithmonë në të njëjtën kohë me premierat e tyre nëpër botë. Ky fakt i shtyn të rinjtë që t’i shkarkojnë ata nga website pirate në internet, apo shpesh t’i blejnë në videotekat e kryeqytetit pasi nuk është çudi që filmin ta gjesh aty ende pa dalë në kinematë e Tiranës. Megjithëatë të rinjtë preferojnë që ta shikojnë edhe një herë filmin në ekranin e kinemasë, një magji që nuk ta fal ekrani i TV-së.

Teknologjia 3D, e përhapur tashmë në të gjitha kinematë e vendit, është një mundësi më shumë për të shijuar ashtu siç duhet një film aksion duke u bërë në mënyrë virtuale pjesë e tij. Mundësia e të parit filma aksion në 3D ka tërhequr edhe më shumë të rinjtë e apasionuar që nuk humbasin asnjë film nga ata që shfaqen në kinema.
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›