Filmat më të mirë për fëmijë në AniFest Rozafa
Nga 23 shtatori e deri më 1 tetor, në Shkodër mbahet edicioni i dytë i Festivalit të Filmit të Animuar “AniFest Rozafa”. Në këtë edicion do të marrin pjesë 195 filma të animuar nga vende të ndryshme të botës. Gjatë dy ditëve të para të festivalit, do të zhvillohen takime e seminare për mësues, piktorë, fëmijë dhe artdashës të filmave të animuar. Gjatë një jave do të shfaqen 49 filma të animuar nga Shqipëria, Belgjika, Irani, Egjipti, Sllovenia, Kroacia, Rusia, Finlanda, Skocia, Turqia, SHBA, Serbia dhe Anglia. Këta filma do të vlerësohen nga juria e përbërë nga 25 fëmijë, të cilët do të zgjedhin filmat më të realizuar dhe më me vlera artistike. Ndërkaq, nga 26 shtator e deri më 1 tetor, edhe tri juri të tjera ndërkombëtare do të vlerësojnë filmat e animuar. Juria e fëmijëve do të vlerësojë “Filmin e animuar më të mirë për fëmijë”, në mesin e konkurrentëve që vijnë nga 14 shtete. Juria ndërkombëtare, e përbërë nga 5 anëtarë, do të vlerësojë filmat e studentëve dhe filmin e pavarur me çmimin “Filmi i animuar më i mirë i realizuar nga studentët”. Në këtë seksion, konkurrojnë 43 filma të animuar të realizuar nga studentë të 17 shteteve. Ndërsa juria ndërkombëtare do të vlerësojë filmat e realizuar nga kompanitë e produksionit dhe nga krijues të njohur të animacionit në botë. Për kategorinë “Filmi i animuar më i mirë profesional” konkurrojnë 45 filma nga 19 shtete, në mesin e të cilëve janë edhe “The Lost Town of Switez”, i regjisorit Kamil Polak, dhe “Danny Boy”, i regjisorit Marek Skrobecki.