Çështja e atletit shqiptar, Eusebio Haliti, mbërrin në Parlamentin Italian
Eusebio Haliti, vetëm 19 vjeç, ka 5 tituj Kampion i Italisë, por nuk mund të veshë fanellën e kombëtares italiane, aq të dëshiruar prej tij në Lojërat Olimpike “Londër 2012”, vetëm sepse është shqiptar. Kështu e djathta italiane i kërkon Parlamentit dhe Komitetit Olimpik Italian të rishikojë ligjin italian për nënshtetësinë. Eusebio Haliti ka 5 tituj Kampion i Italisë, tre në 400 metra dhe 2 në 400 metra me pengesa, me rekordin personal 51”60 në 400 metra me pengesa dhe 47”00 në 400 metra. Me këto shifra, deputeti i PD në Parlamentin Italian, Francesco Boccia, i është drejtuar Parlamentit Italian duke kërkuar një interpelancë urgjente të ministrit të Brendshëm, jo vetëm për të zgjidhur problemin e atletit shqiptar, por me këtë rast për të kërkuar ndryshime në ligjin për nënshtetësinë në Itali. Që të veshë fanellën e Kombëtares, atleti shqiptar Eusebio Haliti duhet të marrë së pari nënshtetësinë italiane, por për ta marrë atë duhet të ketë të paktën 10 vjet që jeton në Itali. Ai ka mbërritur në Itali në vitin 2000, por me dokumente të rregullta figuron që nga viti 2002. “Rregullat e reja për nënshtetësinë duhen riparë” - ka deklaruar parlamentari Boccia. Kërkesa për një interpelancë drejtuar Këshillit të Ministrave dhe ministrit të Punëve të Brendshme e deputetit demokrat ka mbërritur në Parlament, ku si pikënisje ka çështjen e atletit shqiptar, Eusebio Haliti, kampioni 19-vjeçar i Italisë që jeton në Bisceglie por “fatkeqësisht” - shpjegon Boccia - ka lindur në Shkodër në Shqipëri. Përveç kësaj, Eusebio mund të konsiderohet në të gjitha këndvështrimet si një sportist i ri, që premton për medalje në sportin italian - shpjegon deputeti i djathtë i Parlamentit italian. Haliti ka ardhur në Itali në vitin 2000 dhe u bë pjesë e ekipit italian në vitin 2003, fillimisht me moshat, pastaj me të rinjtë dhe të rriturit ku mban dhe rekordin e 400 metrave dhe 400 metrave me pengesa. “Presim një zgjidhje nga qeveria për rastin e Esuebio Haliti, e cila duhet të përgjigjet në një interpelancë urgjente. Duke marrë shkas nga ky rast, që një atleti që e meriton të veshë fanellën e kombëtares i mohohet e drejta të marrë pjesë në Lojërat Olimpike “Londër 2012”, vetëm sepse është shqiptar dhe nuk ka akoma nënshtetësinë italiane, do t’i kërkojmë parlamentin rishikimin e rregullave, për të marrë nënshtetësinë italiane për emigrantët” - përfundoi deputeti i djathtë i parlamentit italian. Eusebio Haliti është një atlet i njohur edhe në Shqipëri. Në prag të Lojërave Olimpike të Pekin 2008-të atleti, që asokohe ishte kampion i të rinjve në Itali, u afrua pranë ekipit tonë kombëtar, me synimin për të gjetur mbështetje si sportist pretendent për Lojërat Olimpike të ardhshme. Ai mori pjesë për një vit edhe në aktivitetet e Federatës Shqiptare të Atletikës, madje u anëtarësua edhe në një klub shqiptar, ku u shpall dhe kampion i Shqipërisë në garën e 400 metrave dhe 400 metrave me pengesa. Por u zhgënjye shumë shpejt. Indiferenca e shtetit shqiptar dhe e institucioneve e riktheu sërish në Itali atletin nga Shkodra, Haliti. Tashmë Eusebio Haliti kërkon të veshë fanellën e kombëtares italiane, për të qenë i pari atlet shqiptar që përfaqëson shtetin italian në aktivitetin më të rëndësishëm sportiv “Lojërat Olimpike”, që zhvillohen në 2012 në Londër.