E Hënë, 2 Nëntor 2026

Filmi “Father Mother Sister Brother” i Jim Jarmusch nga Festivali i Venecias në Tirana International Film Festival

TIRANË, 10 shtator/ATSH/ Menjëherë pas triumfit në Venecia, filmi “Father Mother Sister Brother” i regjisorit Jim Jarmusch, do të çelë edicionin e 23-të në TIFF, më 21 shtator.

Tirana do të jetë qyteti i dytë në botë ku fituesi i Luanit të Artë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Venecia 2025 do të ketë premierën e tij të veçantë. Ky është një lajm fantastik për të gjithë adhuruesit e kinemasë veçanërisht ata që admirojnë veprën e regjisorit amerikan Jim Jarmusch.

Jim Jarmusch njihet si regjisor i pavarur prej Hollywood/it, i njohur për rrëfimin minimalist dhe humorin e thatë. Temat  ekzistenciale, përzierja kulturore dhe narrativa jo-lineare kanë  sjellë një kinematografi unike.

“Father Mother Sister Brother” do të shfaqet edhe mbrëmjen e datës 23 shtator, me bileta për publikun.

Filmi eksploron marrëdhëniet familjare në një triptik midis Nju Xherseit, Dublinit dhe Parisit duke paraqitur nje kast të mbushur me yje, përfshirë Adam Driver, Cate Blanchett dhe Tom Waits.

Prej këtij edicioni të TIFF që do të zhvillohet nga 21 deri më 27 shtator, do të përzgjidhen filmat të cilët shpesh janë kualifikuar në garën për Çmimet Oscar si dhe për European Film Awards. Ndërsa filmat studentorë të përzgjedhur zyrtarisht në TIFF kanë të drejtë të konkurrojnë për Çmimet Student Academy® (SAA).

Që nga viti 2013, TIFF është gjithashtu pjesë e 110 festivaleve më të rëndësishme në botë, të cilat ndiqen me vëmendje të veçantë online, por edhe fizikisht nga HFPA – Hollywood Foreign Press Associations. /j.p/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›