E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gonxhja: Bashkëpunim kulturor e ekonomik me shqiptarët e Luginës së Preshevës

TIRANË, 10 shtator/ATSH/ U nënshkrua sot në Tiranë Memorandumi Historik mes Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, si përfaqësues legjitim i shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Ky memorandum vjen pas takimeve zyrtare në Luginën e Preshevës, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm kulturor, ekonomik dhe rinor.

Memorandumi i bashkëpunimit u nënshkrua nga ministri i MEKI-t, Blendi Gonxhja në emër të qeverisë shqiptare dhe nga Enkel Rexhepi, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, si përfaqësues i shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Ministri Blendi Gonxhja u shpreh se, ky memorandum forcon diplomacinë kulturore dhe ekonomike shqiptare, duke hapur rrugë për qasje të përbashkët në politikat, programet dhe iniciativat rajonale.

“Përmes tij synohet nxitja e nismave të përbashkëta, promovimi i trashëgimisë kulturore dhe zhvillimi i inovacionit, si ura të qëndrueshme bashkëpunimi mes institucioneve dhe komunitetit shqiptar në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë”, shkroi kreu i MEKI-t.

Marrëveshja u nënshkrua në kuadër të Konferencës së Ambasadorëve, duke i dhënë një dimension të ri diplomacisë shqiptare në shërbim të kulturës, ekonomisë dhe solidaritetit ndërshqiptar.

Pak ditë më parë, ministri Blendi Gonxhja ishte i pranishëm në Preshevë, me ftesë të kryetares së komunës, Ardita Sinani, dhe siç tha ai, me porosi dhe vëmendje të veçantë të kryeministrit Edi Rama.

Gjatë firmosjes së memorandumit 1 nga 4

/r.e//a.f/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›