Filmi për Bin Ladenin do përdoret për fushatë nga Obama
Një zyrtar i lartë republikan ka kërkuar hetim në lidhje me raportimet se Shtëpia e Bardhë ka dorëzuar tek disa producentë të Hollivudit sekrete në lidhje me vrasjen e Bin Laden.
Kreu i komisionit për sigurinë në kongres citoi një raport që thotë se Obama shpreson që filmi të shtojë më shumë shanset për tu rizgjedhur në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Nga ana e saj, Shtëpia e Bardhë thotë se këto pretendime janë qesharake.
Vrasja e Bin Laden shënoi një pikë kulmore në presidencën e Obamës. Por papunësia e ekonomia nuk kanë lejuar që kjo arritje të tij të shtojë shanset për tu rizgjedhur.
Kompania Sony ka nisur prodhimin e filmit për aksionin e vrasjes së Bin Laden. Kathryn Bigelow, që fitoi së fundmi çmimin Oscar me filmin The Hurt Locker po drejton prodhimin.
Siç shkruan New York Times, filmi do dalë fiks në kulmin e fushatës dhe figura e Obamës do jetë tepër e vlerësuar.