Filmi shpërngulet në Berlin

Shumë nga 400 premierat filmike merren me ndryshime shoqërore. Prandaj, edhe kërkimi i motos së sivjetme paraqet vetëm një farsë. Por, më i rëndësishëm se përcaktimi i motos së festivalit është kualiteti i filmave që prezantohen.
Viteve të kaluara drejtori i Berlinale’s, Dieter Kosslick dhe ekipi i tij u kritikuan shumë për mungesë kualiteti. Andaj, është shumë interesante të shihet se cila është konkurrenca për ariun e artë dhe të argjendtë sivjet. Në mesin e regjisorëve gati asnjëri s’është tepër i njohur, sepse ata ende i japin përparësi Festivalit në Cannes. Hollywoodi ndërkaq është paraqitur rrallë në Berlin kohëve të fundit, sepse paraqitja e projekteve të mëdha filmike aty s’ka ndonjë peshë të madhe për marketingun e filmave amerikanë.
Të gjitha këto janë mangësitë e Berlinales 62, që sivjet mbahet nga 9 deri më 19 shkurt. Shumë regjisorë e aktorë të panjohur kanë mundësi ta shfrytëzojnë këtë rast, kuptohet nëse kanë bërë filma të mirë.
Sivjet do të prezantohen 23 filma, pesë nga të cilët jashtë konkurrencës. Do të dominojë kinematografia gjermane, por edhe regjisorët e njohur të gjeneratës së mesme, si Hans-Christian Schmid, Matthias Glasner dhe Christian Petzold, të cilët prezantohen me tre filma për gjendjen në familje. Do të ketë edhe kooproduksione ndërkombëtare, të xhiruara me para të filmit gjerman.
Kinematografia evropiane prezantohet mirë në edicionin e vitit 2012. Do të ketë filma nga Franca, Italia, Portugalia, Spanja, Danimarka, Greqia dhe Hungaria, ndërkaq vetë festivali hapet me filmin francez "Les Adieux à la reine" (Lamtumira e Mbretëreshës), që trajton jetën në oborrin mbretëror francez në kohën e revolucionit (1789).
Viteve të fundit u hoq dorë nga përpjekjet që Berlinale të bëhej njëlloj dritareje kinematografike për botën lindore. Prandaj, sivjet nga Rusia nuk do të prezantohet asnjë film, e Kina prezantohet me tre filma - dy nga të cilët po priten me vëmendje. "Toka e Drenit të Bardhë", flet për historinë 1000-vjeçare kineze, dhe është vepër e regjisorit Wang Quan'an, i cili fitoi Ariun e Artë pesë vite më parë.
Filmi tjetër "Lulet e Luftës" (që prezantohet jashtë konkurrencës zyrtare), i regjisorit të njohur Zhang Yimou, trajton masakrat e japonezëve në Nanking, në vitin 1937. Filmi nga shtypi perëndimor është cilësuar si nacionalist. Nga shtetet tjera aziatike do të prezantohen filma nga Filipinet dhe Indonezia, ndërkaq Afrika prezantohet me një film nga Senegali.
Amerika edhe sivjet mbetet e përmbajtur, ngase paraqitet me vetëm një film në konkurrencën zyrtare. Përmes dramës së tij familjare “Jayne Mansfield’s Car”, regjisori dhe aktori, Billy Bob Thornton, shtjellon jetën në SHBA në fund të viteve të 60’ta. Megjithatë, në Berlinale s’do të mungojnë yllet hollivuadiane, si Robert Pattinson, Christian Bale, Uma Thurman, Michael Fassbender dhe Keanu Reeves, e as Angelina Jolie, e cila do të prezantojë filmin e saj të parë si regjisore, "In the Land of Blood and Honey".
Në veçanti interesante janë "Forumi" dhe "Panorama", në kuadër të të cilëve prezantohen filma më pak të njohur nga shtete të ndryshme të botës - kryesisht dokumentarë dhe filma me tematikë politike. Me interesim po pritet edhe "Retrospektiva", që sivjet i kushtohet studios gjermano-ruse, kampit të talentëve, aktores së njohur Meryl Streep, dhe 100-vjetorit të studios Babelsberg.
Ndryshe, vitin e kaluar Berlinalen e kanë vizituar afro 300,000 shikues. Kështu pritet të jetë edhe këtë vit, pavarësisht se cila do të jetë motoja e sivjetme e festivalit.
BW