E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filozofi e fshehur në krahë pëllumbash

Mendësia kreative, tematike, fabulare do të mbarështohen qytetërueshëm nëpërmjet fluturimit. Krahët e pëllumbave dalin të jenë çelësi ideofilozofik i kësaj oaze artistike e piktorit Jetullah Haliti-ETI.

Filozofia e këtij krijuesi arti do të fluturojë deri në eter. Krahët do të bartin ngjyrën e tij, për të ngjyrosur me kaltërsi botën, duke i dhënë aromë jete eterit global. Janë gurët që puthen mes veti, të cilët e gurëzojnë kompleksin dashuri me rrënjë në tokë të cilët e balancojnë edhe tokën pjellore të këtij martiri brushe. Metafora e gurit të tij do të lidhet fuqimisht me mendësinë e lirisë së gurtë. Ky artist i bardhë, me flokë e mjekër të bardhë, kërkon dashuri për lirinë e mbyllur, si shkëmbi bri shkëmbit.

Janë një mori meteorësh qelizor që rrjedhin nga thellësia fiktive përkatësisht nga bibla e tij artistike në kuptimin e dashurisë kreative, mesazhore dhe asaj filozofike të shpërndara në mozaikun e tij artistik. Detin e ngjyros me ujë shpirti. Vdekjen e mashtron me ngjyra ari. Lindjen e ndërton me gëzhojën e vesë. Jetën e jetëson me të kuqtë dhe të bardhët e vesë. Pra, e kuqja e tij nuk është gjak dhembshurie, përkundrazi, dhembshurinë e shfrytëzon për ndërtimtari jete. Lidh gurët, tokën, detin, me të kuqët e bërthamës biblike, e çelikosë atë bërthamë deri në monumentalitet.

Pëllumbat e bardhë do ta çojnë drejt botës mendësinë e tij kreative. Kjo mbase është filozofia jetësore e tij. Patriotizmi i tij shfaqet paqësisht. Klimën globale, vuajtjet, drithërimat historike të gjitha këto, janë modeli i tij spektakolar me të cilat thërret vetveten, shokët, kolegët, studentët, dashamirët, thërret krijuesin e vërtetë për ti thënë pak fjalë: Mos rri, eja mëso diçka, shijoje vetveten në mua. Duaje vetveten në pëlhurën time. Shikoje pasqyrën tënde në pasqyrën time. Fol me pëllumbat e mi, tregoju hallin tënd atyre, çojeni porosinë tuaj në botë, shpërndaje lajmin nëpër rrugë e galeri, mos ke merak ti, ka për të dëgjuar dikush. Kështu, do të gjejmë botën tonë në botë, kështu do ta shfaqim pasurinë tonë para botës.

Të fluturosh me krahët e artit është çmimi më i qëndrueshëm për artistin e shëndetshëm. Pra, një krijues si: Jetullah Haliti-Eti, e vë shëndetshëm shëndetin e tij intuitiv me brushën ideore rrjedhën jetësore në forma dhe kategori të ndryshme. Tani është koha kur dikush do të marr pak jetë nga ari i tij me ngjyra shpirti. Andaj, arti i tij filozofik do të jetësohet gradualisht në re të bardha. Në të kundërt, imazhi i tij prej artisti do të ngelet arma e tij e preferuar deri në përjetësi. Mbase ky është mesazhi më njerëzor e paqësor për ne që shkruajmë për të, për ata që na lexojnë ne, dhe për botën që i duartroket moshës së tij, përcaktimit të tij, mbarësisë së tij, shtëpisë së tij, qytetit e shtetit të tij.

(autori është skenarist, kritik dhe dramaturg)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›