Kosova ose Shqipëria

Kombëtarja suedeze duket se e ka harruar Astrit Ajdareviçin. Selektori Erik Hamrén ka preferuar të ftojë lojtarë të tjerë në vend të mesfushorit kosovar. Trajneri suedez ka ftuar talentët Victor Claesson, Oscar Hiljemark, Ivo Pekalski e Mathias Ranegie, duke e lënë anash futbollistin e Norrkopingut.
Shumë njerëz në Suedi kishin kërkuar informata nga selektori se pse nuk e ka ftuar ish-futbollistin e Liverpoolit, i cili u ringjall që kur u kthye në Suedi. Dhe, për ta, përgjigje kishte vetë selektori.
“Astriti është njëri nga ata lojtarë për të cilët kemi diskutuar, por ne e zgjodhëm Simonin. Nuk dua të hyj në detaje të bëj krahasime, por thjesht kemi menduar për Simonin”, deklaroi Hamren, në një konferencë për shtyp të mbajtur në Doha.
Futbollistit shqiptar i ka humbur durimi. Ai po shikon alternativa, pasi që i ka humbur shpresat që në të ardhmen mund të luajë për Suedinë. Mesfushori kosovar kërcënon se mund të luajë për Kombëtaren shqiptare, ose për përfaqësuesen e Kosovës, për ta zëvendësuar Suedinë, me të cilën luajti me disa grupmosha, si U-17, U-19 e U21.
“Unë jam i fokusuar në përfaqësuesen A të Suedisë, por nuk kam mundësi dhe duhet të shikojë alternativa. Nuk po kërcënoj, por duhet ta shikoj zgjedhjen më të mirë. Kam opsione të tjera që janë mjaft të mira”, ka thënë Ajdareviç për Aftonbladet.
- “Çdo trajner dhe menaxher i ka lojtarët që i dëshiron. Shihet se unë nuk jam në mesin e lojtarëve që i pëlqejnë trajnerit dhe është e nevojshme të kërkoj alternativa. Jam 21 vjeç dhe dëshiroj të luaj për shumë vite, kështu që ndoshta është koha për alternativa”, vijoi ai.
Ajdareviç është i bindur në kualitetet e tij. Ai mendon se më së shumti ka humbur Suedia. “Tipi i lojtarit tim nuk gjendet në skuadrën e Suedisë. Do të dëshiroja më shumë se çdo lojtar tjetër të isha në Katar, por tash jam në Norrkoping. Janë ata që e humbën mundësinë, jo unë. Natyrisht se jam i zhgënjyer. Nuk do ta them se sa i zhgënjyer jam, por jam mjaft”, përfundoi ish-futbollisti i Falkenbergs, Liverpoolit, Leicester Cityt, Hereford United e Orebros.