E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filozofia e Gjokës: Te Tomori, të gjithë të barabartë!

Nga RUSHAN DOSTI

Për trajnerin e ri të Tomorit, Ernest Gjoka, filozofia sunduese duhet të jetë fitorja dhe asgjë tjetër. Ai kërkon rezultat në çdo ndeshje

Ernest Gjoka, trajneri i ri i skuadrës beratase, ka shansin e madh që është përzgjedhur si i tillë nga votat e shumicës së futbollistëve, ndaj ka të drejtën të vërë veton për daljen nga situata e vështirë ku ekipi ndodhet aktualisht. Dy ditë që ai drejton stërvitjen me Tomorin, nuk është vështirë të dallohet një filozofi e re, që mbi të gjitha motivon më shumë lojtarët për të qenë maksimalisht të angazhuar në objektivin e vetëm të tyre për mbijetesën në kategorinë superiore.

I ndihmuar nga ndihmësi zyrtar i tij, ndihmëstrajneri i zgjedhur me konsensus nga tifozëria dhe vetë futbollistët, mjeshtri i sportit Përparim Kovaçi, Gjoka ndihet më mirë në misionin e tij për të shpëtuar Tomorin nga zona e ftohtë e kategorisë superiore. Në dy seancat stërvitore që ai ka zhvilluar në këto dy ditë, për të përgatitur skuadrën që do të përballojë takimin me Laçin, Gjoka ka lënë përshtypjet nga më të mirat para lojtarëve dhe tifozërisë, që ndjek skuadrën në stërvitje.

Jo vetëm për shkallën e lartë të komunikimit, por mbi të gjitha për mënyrën e vlerësimit të çdo lojtari, Gjoka ka marrë notën dhjetë nga të pranishmit, duke qenë trajneri i parë që konsiderohet profesor në kuptimin e plotë të fjalës. Është i vetmi trajner, që të paktën në Berat, pas të madhit Guxim Mukli, po zhvillon stërvitje me defter në dorë, duke evidentuar sistematikisht ecurinë e çdo futbollisti. Ai në filozofinë e tij nuk operon me emra, por me gjendjen e secilit futbollist, pavarësisht se kush është ai, gjë që ka munguar deri më tani në skuadrën e Tomorit.

Ndeshja me Laçin Vetë trajneri, pavarësisht shkallës së njohjes, ka mundur të arrijë në një perceptim të gjendjes së ekipit dhe bazuar në këtë shkallë njohje jep edhe vlerësimet për ndeshjen e ardhshme me Laçin, takim që konsiderohet dhe prova e tij e parë në krye të beratasve. Është një takim i vështirë, për faktin që të dyja skuadrat kanë të njëjtin objektiv, atë të mbijetesës në kategorinë e parë.

Personalisht besoj se do tia dalim, por gjithmonë nëse ekipi do të ndjek filozofinë time dhe, nëse kjo ndodh, atëherë ju sigurojë se do të marrim një fitore të merituar. Fakti që këtu në Berat ndihem mirë, pasi futbollistët më kanë besuar si drejtues, më bën të besoj se bashkë do të arrijmë objektivin e madh të mbijetesës.

Prova e parë është takimi me Laçin, i cili sipas informacioneve, do të luhet në Krujë dhe pa praninë e tifozërive, që na favorizon. Kam shpresën që kjo ndeshje të fitohet nga ne. Të kalojmë një herë Laçin dhe pastaj natyrisht që do të mendojmë edhe për takimin me Kamzën, të cilin duhet ta fitojmë patjetër. Të arrijmë këto dy objektiva dhe pastaj kemi të drejtë të mendojmë për të ardhmen, – ka deklaruar për trajneri i sapozgjedhur i Tomorit, Ernest Gjoka.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›