E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre gjirokastritë: Vështirë të frenohet ky Luftëtar

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Mbrojtësit Brahimi dhe Bistri, si dhe mesfushori Zholi, theksojnë se ekipi ka prapavijë të fortë dhe sështë çudi të marrë pikë edhe në Lushnjë

Të premten që shkoi, kur Luftëtari u nis për në Elbasan, shumë gjirokastritë, duke u nisur nga mungesa e 6 titullarëve, ishin skeptikë, madje jo pak pesimistë për rezultatin e atij takimi. Por ekipi i befasoi vendësit dhe tifozët e tij, duke kryesuar me 2 gola diferencë dhe përfundimisht me fitoren 3-2, me 2 gola të Raboshtës dhe 1 të Brahos. Kjo fitore e bëri Luftëtarin të fluturojë në stratosferë, duke u larguar 9 shtresa nga ndjekësit më të afërt.

Tani ai vazhdon përgatitjet për të përballuar sërish një transfertë po aq të vështirë, për të mos thënë edhe më të vështirë, teksa do të matet me Lushnjën, pretendente e fortë për të hyrë në superligë. Ky fakt i jep ndeshjes së radhës përmasat e një finaleje, veçanërisht për lushnjarët, të cilët, pas humbjes me Besëlidhjen, shumë vështirë do ta ketë për të tretur një humbje të re, aq më tepër në fushën e tyre.

Në ndeshjen me Elbasanin, për shkak të mungesave të  titullarëve, u aktivizuan mbrojtësi Mikel Brahimi, që luajti gjithë lojën, mbrojtësi Arbër Bistri, që hyri si zëvendësues, dhe mesfushori Elton Zholi, edhe ky zëvendësues, duke luajtur për herë të parë këtë vit. Të tre këta futbollistë gjirokastritë shpresin bindjen se ky Luftëtar është vështirë të ndalet. Ja dhe gjykimi i tyre:

Brahimi Në Elbasan Luftëtari tregoi fytyrën e një ekipi të aftë për të arritur fitore në transfertë edhe me shumë mungesa. Kjo tregon se ekipi ka një stol më se mbështetës në marshimin drejt titullit kampion të kategorisë së parë. Edhe në Lushnjë besoj se ekipi ynë do të vazhdojë programin e tij, edhe pse kundërshtari është ndër më të fortët. Jam i gatshëm për ti shërbyer ekipit tim sa herë të jetë e nevojshme, për të ndikuar në arritjen e objektivit të sezonit.

Bistri Ekipi ynë zhvilloi ndoshta ndeshjen më dramatike në Elbasan, ku krijoi dy herë avantazh me 2 gola dhe fitoi 3-2, por që në fund ekipi vendës mund të barazonte. Megjithatë, raste humbën edhe ne, madje goditëm edhe traversën, prandaj fitorja është e merituar plotësisht. Them se Luftëtari do ta thotë fjalën e tij edhe në Lushnjë, sepse tani është i pandalshëm.

Zholi Me fitoren në Elbasan ekipi ynë tregoi se ka prapavija të forta, të afta për tu matur edhe me ekipet e rangut të lartë. Rezultati pozitiv edhe në Lushnjë nuk do të jetë diçka e papritur, sepse është shumë vështirë të frenohet ky Luftëtar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›