Finalizohen 2 operacione antikanabis në Vlorë e Krujë

TIRANË, 31 maj/ATSH/ Policia e Tiranës dhe ajo e Vlorës kanë finalizuar dy operacione antikanabis.
Në një njoftim për mediet, Policia e Vlorës bën të ditur se, u godit një rast i kultivimit të bimëve narkotike në fshatin Rromës. Gjatë operacionit policor u arrestuan 2 persona dhe u sekuestruan 135 fidanë dhe bimë narkotike kanabis sativa.
“Sektori i Narkotikëve i DVP Vlorë ka goditur një rast të kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Rromës, në vendin e quajtur “Përroi i njomë”, ku u gjetën të mbjellë 135 fidanë dhe bimë narkotike Kanabis sativa. Në vijim të veprimeve hetimore, u ndaluan 2 autorët e dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale, shtetasit N. B., 58 vjeç dhe A. B., 26 vjeç (babë e bir), banues në Vlorë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë”, njofton Policia e Vlorës.
Policia e Tiranës ka goditur një rast të kultivimit të kanabisit në Krujë. “Gjatë kontrolleve në fshatin Mafsheq u zbuluan 2 ambiente të përshtatura për kultivim, ku u gjetën 28 bimë kanabis të mbjella dhe 116 fidanë të dyshuar narkotike kanabis, gati për t’u mbjellë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në vijim të veprimeve për këtë rast, u shpall në kërkim shtetasi E. D., 24 vjeç. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike””, njofton Policia e Tiranës.
Kontrollet antikanabis zhvillohen në kuadër të megaoperacionit “Territor i Pastër”.
1 nga 2/a.f/r.e/