Finalja e superkupes Ne Santiago Bernabeu Real-Barcelona

Real Madridi-Barcelona, sfida e përjetshme mes dy gjigandëve të futbollit botëror do të pasurohet sot në mbrëmje me një tjetër kapitull.
Dy skuadrat do të zbresin në “Santiago Bernabeu” për finalen e parë të Superkupës, e cila do të ngrejë siparin e sezonit të ri të futbollit spanjoll.Mbi 50 mijë tifozë kanë ndjekur seancën e fundit stërvitore të Realit të Madridit, që në tempullin e tij synon një hakmarrje ndaj domiminit të skuadrës së Guardiolës në sezonin e fundit.
Madrilenët e kanë të freskët triumfin katalanas në Primera Division si dhe eliminimin nga Liga e Kampioneve, por kundër rrymës dhe dëshirës së popullit “merenges” shkon trajneri Jose Mourinho.
Tekniku portugez si gjithmonë di të largojë presionin nga skuadra e tij, duke u paraqitur përpara mediave me të tjera ide. Mourinho është shprehur se Superkupa nuk është një nga trofetë e preferuar të tij, ndërsa nuk ka harruar të ironizojë as UEFA-n.
“Kur isha trajner i Interit humba Superkupën, por më pas fitova Ligën e Kampioneve, titullin kampion dhe Kupën në Itali. Nuk do të më vinte keq që të ndodhte sërish kështu. Megjithatë duam ta nisim në mënyrën më të mirë sezonin, por nuk dua të flas shumë. Ma kanë ndaluar. Ju e dini këtë, por kjo nuk do të thotë se do të mbyll gojën”, ka thënë Mourinho, i cili pritet të hedhë në fushë të gjithë arsenalin e tij të rëndë për të hedhur një hap të rëndësishëm drejt trofeutr të parë sezonal, i cili do të vendoset me finale e dytë që do të luhet të mërkurën e ardhshme në “Kamp Nou”.
Me të njëjtin objektiv vjen në këtë sfidë Barcelona e Pep Guardiolës. Triumfues në përballjet e sezonit të fundit tekniku ‘blaugrana” kërkon të vazhdojë më tej sukseset në përballjet direkte me rivalët e përjetshëm.
“Është e vështirë të parashikosh një ndeshje të tillë. Reali është një skuadër shumë e fortë, por ne jemi këtu për të bërë lojën tonë”, ka thënë Gurdiola, i cili gjatë kësaj faze përgatitore është përballur me dëmtimin e disa lojtarëve të tij të rëndësishëm, por edhe me formën e dobët të Lionel Messi.
Nertan Prifti