Financat: I kemi dhënë fondet për rritjen e pagave
Ministria e Financave deklaroi dje se fondi për rritjen e pagave prej 2 miliardë lekësh, (eur 16.4 milionë) është në zërin e fondit rezervë në dispozicion të Këshillit të Ministrave, ndërkohë që pjesa tjetër prej 2.6 miliardë lekësh i është vënë në dispozicion Institutit të Sigurimeve Shoqërore për të paguar rritjen e pensioneve. Reagimi erdhi pas një lajmi të publikuar në Gazetën Shekulli, ku thuhej se “qeveria ka pranuar para FMN se fondi i qeverisë për pagat e administratës publike nuk është rritur në buxhetin suplementar”. Ministria pranon se fondi i pagave nuk ka ndryshuar, por këmbëngul se rritja e pagave do të kryhet me efekt nga 1 janari dhe se për këtë politikë janë vënë në dispozicion para nga fondi rezervë.
“Ministria e Financave sqaron se në “Ligjin Për Buxhetin e Shtetit për vitin 2008”,të miratuar në nëntor të vitit 2007, ishte parashikuar një fond prej 4.6 miliard lekësh për politikat e rritjes së pagave dhe pensioneve. Në buxhetin shtesë 2008, ky fond në total nuk ka asnjë ndryshim, përveçse fondi për rritjen e pensioneve ju kalua fondit të sigurimeve shoqërore për të mundësuar ekzekutimin e rritjes së pensioneve përkatësisht 10 % në qytet dhe 15 % në fshat, siç është deklaruar dhe miratuar nga qeveria.
Fondi i mbetur prej 2 miliard lekësh, në zërin kontigjencë, është vënë në dispozicion për politikat e miratuara tashmë nga qeveria për rritjen e pagave”, -thuhet në njoftimin e ministrisë.