Takimi PS-PSD, dakord për koalicion të përbërë
TIRANË- Partia Socialiste ka gjetur dje aleatin e parë për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Ndërsa nuk është rënë dakord me LSI-në, socialistët kanë rënë parimisht në ujdi me socialdemokratët për të dalë së bashku në zgjedhjet e ardhshme qendrore në një koalicion të përbërë. Lajmi është bërë i ditur nga kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj dhe kryetari i PSD-së Skënder Gjinushi, pas takimit që zhvilluan, në prani edhe të Fatmir Xhafajt dhe Engjell Bejtajt, në ambientet e kryesisë së Kuvendit, ku natyrisht temë e diskutimeve kanë qenë një sërë çështjesh që lidhen jo vetëm me reformën zgjedhore, por edhe bashkëpunimin opozitar në Kuvend gjatë sesionit të ri që pritet të hapet në fillim të shtatorit. "Kemi diskutuar me PSD-në, kemi ndarë shumë opsione të përbashkëta dhe nuk është e hera e parë që me ta bashkëpunojmë, pasi është në linjën e bashkëpunimit që ne kemi pasur në parlament dhe jashtë tij. Për shumë pika të ndryshimeve në kodin elektoral kemi pasur optikë të përbashkët, sidomos sa i përket koalicionit të përbërë", - tha kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj. Ndërkohë që të kënaqur nga ky takim kanë dalë edhe socialdemokratët të cilët janë shprehur optimist në lidhje me realizimin e një bashkëpunimi konkret qoftë sa i përket vazhdimit të të bërit opozitë, ashtu edhe sa i përket skemave dhe taktikave të ardhshme zgjedhore. Sipas kreut të Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, sistemi proporcional rajonal e bën të domosdoshme që forcat politike që kanë afërsi programore dhe qëllime të njëjta të dalin së bashku në konkurrimet zgjedhore si koalicion. "Ka mënyra të tjera korrektimi, korrektim i cili varet nga hapësira që i jepet secilës forcë gjatë hyrjes në koalicion të përbashkët. Por ajo që ka rëndësi është që gjithmonë koalicionet të mbështeten në votën e çdo partie. Pra partitë brenda një koalicioni kandidojnë të bashkuara përballë të djathtës dhe të veçanta përballë njëratjetrës në koalicion. Në këtë mënyrë çdo parti kandidon me listën e vet, ndërsa votat kundrejt kundërshtarëve politikë llogariten si koalicion. Këto janë forma që e bëjnë sistemin më demokratik, i japin atij natyrën proporcionale dhe lejojnë një bashkëpunim të ndershëm të bazuar në vota", - u shpreh Gjinushi. Ndërkohë një nga temat e diskutuara gjatë këtij takimi ishte edhe ajo për komisionet zgjedhore, duke filluar që nga KQZ, KQV dhe grupet e numërimit, për të cilat është rënë dakord që të diskutohen më konkretisht gjatë punës në komisionin e posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore. Pa u futur në diskutimin në detaje, bashkëbiseduesit kanë rënë dakord që përpara se komisioni i reformës të marrë vendim për to, të dyja partitë PS dhe PSD të vendosin paraprakisht për qëndrimin që do të mbajnë për secilën çështje. Gjithashtu mësohet se në këtë takim është prekur edhe çështja e realizimit të një shkrirjeje apo të krijimit të një federate PS-PSD, diskutimi për të cilën duket se është rënë dakord që të shtyhet pas zgjedhjeve parlamentare. Dy partitë aleate janë shprehur gjithashtu në një zë për domosdoshmërinë e një mirëkoordinimi midis dy grupeve parlamentare gjatë sesionit të ardhshëm, në mënyrë që sa i përket çështjeve kryesore, përfshi edhe reformën zgjedhore të kenë një zë të përbashkët. Pas takimit kryetarja e grupit parlamentar, Valentina Leskaj, ka konfirmuar se i njëjti dialog që ka nisur me LSI-në dhe PSD-në do të vazhdojë edhe me PDS- ,ë e Paskal Milos, ndërkohë që ka lënë të hapur edhe mundësinë e zhvillimit të një takimi edhe me PAD-në e Neritan Cekës.