Financat: Mbyllen prokurimet, tenderat vetëm me VKM
TIRANË- Asnjë prokurim publik duke nisur nga dita e sotme. Lajmi është dhënë nga zëvendësministri i financave Sherefedin Shehu, i cili deklaroi sot se për vitin 2009 nuk do të lejohen më të kryhen prokurime publike, pasi synohet realizimi i shpenzimeve të parashikuara në projekt.
Në një prononcim për mediat, Shehu tha se tenderat për projekte të veçanta do të kryhen vetëm me vendim të Këshillit të Ministrave.
Sipas tij, në varësi të rëndësisë dhe garancisë që institucionet do të japin për të shpenzuar, qeveria do të lejojë tenderimin.
"Me këtë masë nuk parashikohet ndonjë kursim në buxhet por thjesht synohet të kryhet shpenzimi i shpërndarë në kohë gjatë gjithë vitit, për sa i përket investimeve", deklaroi ai.
"Duke filluar nga data 3 gusht, qeveria ka marrë vendim tashmë që nuk do të lejojë vazhdimin apo çeljen normale të tenderave. Por në varësi të rëndësisë dhe të garancisë që institucionet do të japin për të shpenzuar paratë pa krijuar presione për shpenzime në ditët e fundit të vitit, qeveria do të lejojë tenderimin. Në këtë masë nuk parashikohet ndonjë kursim në buxhet, por thjesht synohet që të bëhet shpenzimi i barabartë i shpërndarë në kohë, gjatë gjithë vitit, për sa i përket investimeve publike" theksoi Shehu.
Ministria e Financave ka hartuar tashmë pikat kryesore të projekt/buxhetit 2010. Vitin e ardhshëm drafti do të ketë karakter social, duke mbështetur me investime kryesisht arsimin, shëndetësinë dhe bujqësinë. Në të parashikohet një rritje ekonomike 6%, rritje me 12% e të ardhurave dhe shpenzimeve si dhe ulje e deficitit buxhetor dhe huamarrjes.