E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria nuk i mbështet talentet e sportit

 

Mendoj se sportistët e talentuar nuk kanë çfarë të bëjnë në Shqipëri. Po të ishte në Shqipëri, Eusebio s’do të kishte bërë asgjë nga ato që ka arritur në Itali, një vend që e kultivon sportin që tek fëmijët e vegjël, jua siguroj, shyqyr Zotit ndodhet jashtë Shqipërisë dhe kjo i ka dhënë mundësi të merret me një gjë të dobishme si për vete, për familjen, ashtu edhe për shtetin ku jeton. Sporti i vetëm që dinë adoleshentët shqiptarë është të dalin nga blloku, të pinë cigare, ndonjë pije alkoolike, të ngacmojnë ndonjë shok a shoqe, bëjnë garë kush vesh fundin më të shkurtër dhe dekoltenë më të hapur dhe më pas vjen medalja: një xhiro në makinën e ndonjë “të forti” që i bie “Bllokut” 30 herë në ditë se mos kushedi i del gjë. Ja, kjo është jeta dhe motivimi i adoleshentëve në Shqipëri. Se normal, politikat e shtetit i “financojnë” këto gjëra. Edhe vetë politikanët, këtë lloj sporti praktikojnë, të kapin ndonjë dashnore, pika 1 e axhendës së tyre ditore. Më falni për gjuhën e rëndë, por unë i besoj këto që po shkruaj sepse këtu jetoj. E besoj që adoleshentët në Shqipëri s’kanë ambicie, sepse vetë shteti i pengon të bëhen të tillë. Koha e tyre e lirë s’ka lidhje me sportin, aktivitet kulturor a ndonjë kurs dije. Numërohen me gishta ata adoleshentë sot që nuk ndjekin rrjedhën e shumicës, janë shumë të paktë ata që kohën e tyre të lirë e konsumojnë me diçka të dobishme, shumica e shpërdoron kohën për të mësuar vesin e keq, atë ves që të lë në vendnumëro.

Fakti që shqiptari Eusebio jeton në Itali s’do të thotë se ai nuk është shqiptar, por meritat që ka marrë deri tani ia ka dhënë Italia me mundësinë që i ka krijuar. Shqipëria nuk i ka krijuar askujt një mundësi të tillë dhe as ka për t’ia krijuar kujt edhe në të ardhmen. Dhe ata sportistë që kemi patur me emër i ka fshirë nga lista e sportit. Ja, keni rastin e Fetije Kasajt, para 2-3 vjetësh ishte ndër emrat më të përfolur, po tani ku është, e mori në qafë trajneri, që ishte shqiptar denbabaden. U hoq nga lista e sportistëve. Më mirë të kishte qëndruar në Greqi, diçka do të kishte arritur dhe pse nën flamurin grek. Ne prapë do të krenoheshim me të.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›