Shkollimi apo dija shkencore nuk arrihet për 10 ditë, as për tri-katër vite
Ditë më herët, apo muaj, kisha shkruar për një dukuri që për sensin tim paraqet pikënisje për zhvillimin e shtetit por edhe për perspektivat evropiane. Nuk është diç e panjohur por ndoshta fillimi i krijimit të shtetit paska edhe me paradokset e veta, apo panjohuritë që shikuam në shekullin e ri, mund edhe të përkufizohet larg trendeve evropiane. Kam shtuar se truri po ik. Nuk jam ndaluar të elaboroj se kam besuar dhe ende besoj se pesha e kësaj kategorie, dihet dhe vlerësohet.
Shtrohen shumë pyetje në këtë rast, apo dilema hamletiane. Për çka ndodh kjo kur gjithë ne, pa `ta apo pa konsideratën ndaj tyre mund të paraqesim një hiç të vogël, pse po tretet kjo kategori edhe brenda Kosovës, pse po mbyllet në një vorbull ky shpirt i shkolluar me mund etj.
Po mos të ishin Rilindësit ndoshta pak do të njihej Shqipëria, pak do të shkruhej për të, pak do të thureshin vargje për jetën në Shqipëri, pak do të njihej krenaria e të qenit shqiptar, pak do të ruhej tradita, kultura dhe identiteti i të qenit shqiptar, pak edhe Bajroni do t’i çmonte vlerat që kishte Shqipëria.
Çuditërisht edhe Papa Kristo Negovani, para varjes në litar thoshte: “Vritmëni, vritmëni, por vetëm gjakun të ma ruani, se do t’u duhet nipërve tuaj të mësojnë gjuhën shqipe”. Kjo ishte dikur kur kishte nevojë që shqipja të mësohej nga vetë shqiptarët.
Shkollimi apo dija shkencore nuk arrihet për 10 ditë, as për tri-katër vite. Kujdes sa nuk jemi futur në fazën e një fluksi të madh të ikjes së trurit, edhe ashtu jo të mjaftueshëm në Kosovë.
Natyrisht, obligimet dihet kush i merr. Përgjegjësia bie mbi institucionet kosovare. Një ditë do të ndalemi dhe mendojmë mirë por ndoshta edhe do të bëhet vonë, duke qenë dëshmitar të rrjedhave në Evropë e më gjerë. Kam përmendur se ikja e trurit do të jetë gangrenë për Kosovën dhe besoj fuqishëm se do të jetë kështu. Këshillat dhe përvojat të merren por jo edhe të heshtet. Të veprohet sa nuk është bërë vonë. Për Kosovën çdo minutë vonesë, është shumë. Shihemi në qytetin tim të intelektualëve në ikje.