Financimet e fushatës, shifrat zyrtare, vetëm në nëntor
Penaliteti arrin nga 2 milionë, deri në heqjen e së drejtës së një subjekti zgjedhor për të përfituar nga buxheti i shtetit
Nga 34 parti, vetëm katër prej tyre kanë bërë publike pranë KQZ-së numrat e llogarive bankare
TIRANË - Pas përfundimit të procesit zgjedhor dhe shpalljes përfundimtare të rezultatit, partitë politike pritet të "rrëfehen" për shumat marramendëse të parave, që harxhuan gjatë fushatës. Edhe pse Kodi Zgjedhor ka disa pika të qarta në këtë drejtim, zbardhja e financimit të partive, duket se do të zgjasë jo pak.
Kjo sepse ligji në fjalë përcakton një periudhë të gjatë kohore, deri në publikimin zyrtar të parave, që partitë politike shpenzuan gjatë fushatës. Në bazë të Kodit Zgjedhor, jo më vonë se 45 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për çdo subjekt zgjedhor, KQZ-ja emëron me short një apo më shumë ekspertë kontabël të licencuar, për të kryer auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara për fushatën zgjedhore.
Sipas një përllogaritjeje fare të thjeshtë, i bie që emërimi i ekspertëve për auditimin e fondeve të përfituara, të përfundojë maksimalisht deri më 15 shtator. Por kjo periudhë është vetëm hapi i parë drejt detyrave që përcaktohen në zbardhjen e financimeve të fushatës.
Ish-kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume, argumentoi dje se KQZ-ja i vë në dispozicion ekspertit, kohën që ky i fundit duhet të realizojë për zbardhjen e financimeve përmes kontratës që do të nënshkruajë.
Në bazë të ligjit, raporti i auditimit paraqitet në KQZ brenda afatit të përcaktuar në vendimin e emërimit. Sipas ish-kryetarit të KQZ-së, afati përfundimtar për auditimin e plotë të financimeve nga partitë politike pritet të prekë muajin nëntor.
Kjo sepse, në bazë të Kodit Zgjedhor, pas fazës së parë, që përfshin periudhën 45-ditore, KQZ-ja publikon raportin e auditimit për subjektet zgjedhore, jo më vonë se 30 ditë nga data e paraqitjes së raportit nga ana ekspertit kontabël.
Kontrolli
Gjatë kësaj periudhe, subjektet zgjedhore duhet të vënë në dispozicion të ekspertit të emëruar nga KQZ-ja çdo informacion, dokumente apo të dhëna, që kanë të bëjnë me financimin dhe shpenzimet e fushatës zgjedhore.
Edhe vetë KQZ-ja ka të drejtë që të bëjë verifikime të të dhënave të raportit, që do të ofrohet nga ana e ekspertit kontabël. Verifikimi mund të përshijë edhe pyetjen e personave dhe subjekteve të ndryshme, këqyrjen e dokumenteve, që lidhen me këtë çështje, pranë zyrave përkatëse të subjektit zgjedhor që ka paraqitur raportin, si dhe marrjen e çdo informacioni nga bankat apo persona të tretë, të cilët mund të tregojnë mbi të dhënat e paraqitura në raport.
Në rast të refuzimit nga ana e partive politike për zbardhjen e të dhënave lidhur me financimin e fushatës zgjedhore, Kodi Zgjedhor parashikon edhe sanksione, të cilat përmbledhtazi janë prekur dje edhe nga ish-kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume.
"Penaliteti arrin deri në 2 milionë lekë për subjektin zgjedhor. Nëse nuk pranon ekspertin që të bëjë kontrollin, penaliteti është më i madh. Për pesë vjet këtij subjekti i hiqet e drejta për të përfituar nga financime të ndryshme që vijnë nga buxheti i shtetit",- tha Kume.
Shkelja e Kodit
Por, ende pa filluar ky proces mjaft i rëndësishëm, partitë politike e kanë shkelur që në fillesë Kodin Zgjedhor. Çdo subjekt zgjedhor duhet të regjistrojë në një regjistër të posaçëm, miratuar si model me vendim të KQZ-së, shumën e fondeve të përfituara për çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna të tjera që lidhen me identifikimin qartë të dhuruesit.
Përgjegjësi i financës së subjektit zgjedhor, jo më vonë se tri ditë nga fillimi i fushatës zgjedhore, deklaron numrin e llogarisë bankare të hapur për këtë qëllim. Numri i llogarisë bankare për çdo subjekt politik publikohet në faqen zyrtare të KQZ-së.
Por, nëse do t'i hedhim një sy faqes zyrtare të KQZ-së, rezulton se, nga 34 parti që morën pjesë në zgjedhje, në regjistrin e numrave të llogarive të deklaruara nga partitë politike për përfitimin e fondeve jo publike për zgjedhjet, pasqyrohen vetëm katër prej tyre, PS-ja, PD-ja, LSI-ja dhe G99-a, të cilët kanë hapur disa llogari bankare në banka të ndryshme.
Subjektet zgjedhore kanë qenë të detyruara ligjërisht që të marrin, për qëllime të fushatës së tyre zgjedhore, fonde vetëm nga persona fizikë ose juridikë vendas. Shuma që çdo person fizik ose juridik mund t'i japë një subjekti zgjedhor, nuk mund të jetë më e madhe se 1 milion lekë ose kundërvlefta në sende ose shërbime.
n.p
Kodi Zgjedhor
Neni 89
Financimi i subjekteve zgjedhore nga fondet jopublike
1. Subjektet zgjedhore mund të marrin, për qëllime të fushatës së tyre zgjedhore, fonde vetëm nga persona fizikë ose juridikë vendas. Për qëllim të këtij kodi, konsiderohet person fizik vendas edhe shtetasi shqiptar me banim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
2. Shuma që çdo person fizik ose juridik mund t'i japë një subjekti zgjedhor nuk mund të jetë më e madhe se 1 milion lekë ose kundërvlefta në sende ose shërbime.
3. Ndalohet dhënia e fondeve nga një person juridik apo çdo aksionar i tij, nëse ndodhet në një nga kushtet e mëposhtme:
a) ka përfituar fonde publike, kontrata publike apo koncesione në 2 vitet e fundit me vlerë mbi 10 milionë lekë;
b) ushtron veprimtari në fushën e medies;
c) ka qenë partner me fonde publike në projekte të ndryshme;
ç) ka detyrime monetare ndaj Buxhetit të Shtetit ose ndaj çdo institucioni publik.
Ky detyrim nuk zbatohet nëse aksionari i zotëron këto aksione si rezultat i ofertës publike.