E Shtunë, 31 Tetor 2026

Astrit Bushi i pafajshëm për vrasje, Gjykata Lartë nuk pranon rekursin e akuzës

REKURSI
Tmerri i VIP-ave në Spanjë fitoi betejën me Prokurorinë, përfundimisht i pafajshëm për vrasjen e policit të FNSH-së Balozi


TIRANË- Treshja gjykuese e Gjykatës së Lartë një ditë para se të filloi pushimet verore, vendosi mos pranimin e rekursit të prokurorisë së Kurbinit, e cila kundërshtoi pafajësinë e dhënë nga Gjykata e Apelit ndaj të pandehurit Astrit Bushi, për akuzën e vrasjes së policit të FNSH-së në vitin 2001 Altin Balozi.


Kështu, treshja gjykues e kësaj gjykate, pas rekursit të bërë vite më parë nga Prokuroria e Laçit, me datën 15 korrik mori në shqyrtim kërkesën penale të kundërshtimit të vendimeve të Gjykatës së Apelit të Shkodrës, të cilët e kanë shpallur të pafajshëm të pandehurin Bushi për akuzën e vrasjes së policit dhe vendosen mos pranimin e shqyrtimit të kësaj kërkese.


Me këtë mos pranim rekursi, i pandehuri Bushi i arrestuar mëngjesin e 7 qershorit të këtij viti për llogari të autoriteteve të drejtësisë spanjolle për akuzën e "vjedhjes" dhe "rrëmbimit", përfundimisht është i pafajshëm për akuzën e pretenduar nga prokuroria për vrasjen e policit Balozi në shenjë hakmarrje për vrasjen e vëllait të tij.


Sipas vendimit të Gjykatës së Laçit e cila fillimisht e dënoi me 25 vjet burg të pandehurin Bushi, vendim ky që më pas u prish nga Gjykata e Apelit e cila e shpalli të pafajshëm, i arrestuari për llogari të spanjollëve dyshohej se është autori i vrasjes së efektivit të FNSH-së në mars të 2001, shtetasin Altin Balozi.


Mos pranimi i rekursit, sipas vendimit të gjykatës, është bërë për shkak se në argumentimin e kërkesës përfaqësuesit e prokurorisë nuk është sjell ndonjë provë konkrete që fajësojnë të pandehurin Bushi apo që provojnë se i arrestuari i 7 qershorit është autor i kësaj vrasje.


Ndërkohë, i cilësuari si tmerri i VIP-ave në Spanjë, 32 vjeçari Bushi do të përgjigjet para drejtësisë shqiptare vetëm për akuzën e "armëmbajtjes pa leje" dhe "falsifikimit të dokumenteve" të sekuestruara në banesën e tij në momentin e arrestimit.


Ndërsa, para drejtësisë Spanjolle i pandehuri Bushi pritet të jap shpjegime, pas vendimit për ekstradimin e tij, për një sërë vjedhjesh, ku më e rëndësishmja është ajo e vjedhjes, rrëmbimit dhe rrahjes së producentit dhe aktorit të njohur spanjoll Jose Luis Moreno, në Madrid të Spanjës nw dhjetor 2006.


Arrestimi i Bushit është bërë mëngjesin e datës 7 qershor 2009 në banesën e tij në Laç nga forcat speciale të policisë RENEA, të drejtuara nga zv\ministri i brendshëm dhe vëzhguar nga oficerët e ardhur nga Spanja për të asistuar në operacionin e arrestimit të Bushit të koduar me emrin "Arbusto".


Ndërkohë, sipas një përmbledhjeje të vendimeve të dhënë në emër të Republikës karshi shtetasit Astrit Bushi, në Shqipëri janë zhvilluar disa procese penale. Fillimisht në vitin 1998 ai është arrestuar nga policia për "vrasje nga pakujdesia" të shokut të tij, vrasje kjo e kryer gjatë pastrimit të armës, ccështje kjo e pushuar nw prokurori.


Më pas, në tetor të 2000 emri i tij lakohet në organet e policisë dhe drejtësisë, kur pak minuta pas mbylljes së mitingut të Partisë Demokratike në Laç për zgjedhjet lokale, në ndjekje e sipër vritet nga forcat e FNSH-së vëllai i të pandehurit shtetasit Agron Bushi.


Për këtë vrasje, Astrit Bushi kishte fajësuar efektivin e FNSH-së Altin Balozin dhe ishte betuar për hakmarrje. Mesditën e 8 marsit 2001 në lagjen tre të qytetit të Laçit nga një afërsi prej tre metrash vritet polici Balozi. Për këtë vrasje, u akuzua i pandehuri Bushi të cilin gjykata e Laçit e shpalli fajtor dhe e dënoi me 25 vjet burg.


Vendim ky që u prish nga Gjykata e Apelit dhe e kthej çështjen për rigjykim, ku gjyqtarët e Gjykatës së Rrëshenit vendosen të deklarojnë të pafajshëm të pandehurin Bushi për vrasje.


Ky vendim mbeti në fuqi edhe në Gjykatën e Apelit në Shkodër, por, që u kundërshtua me rekurs në Gjykatën e Lartë nga prokuroria e Laçit, ku edhe kjo gjykatë vendosi të mos e shqyrtoi çështjen, duke lënë në fuqi vendimin e pafajësisë dhe pushimit të çështjes ndaj tij.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›