Financimet e partive, ILDKP: Gati të hetojmë
TIRANË - Inspektoriati i Lartë i Deklarimit e Kontrollit të Pasurive është i gatshëm që të marrë përsipër hetimin e financimit të partive politike. Inspektori i Përgjithshëm i ILDKP-së, Adriatik Llalla, ka deklaruar në një prononcim për mediat se një kërkesë të tillë, ai e ka shtruar prej muajsh për diskutim në Komisionin e Ligjeve, por ende nuk ka marrë një përgjigje konkrete. I pyetur pikërisht për raportin e TIA-s, sipas të cilit, partitë politike nuk tregohen transparente me paratë e përdorura në fushatë dhe burimin e tyre, Llalla sqaroi se institucioni që ai drejton i ka të gjitha kapacitetet për të zgjidhur një problem të tillë. "Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e ka shtruar këtë çështje për diskutim disa muaj më parë në Komisionin e Ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë dhe mund të shprehem se institucioni ynë i ka tashmë kapacitetet e duhura investigative dhe bazën logjistike për përballimin e një sfide të tillë. Natyrisht, kjo vendoset nga ligjvënësi, duke u përcaktuar edhe metodologjia e punës",- tha Llalla. Ai shtoi se kjo mbetet një sfidë e rëndësishme, pasi duhet hetuar burimi i financimeve që vijnë në fushata për partitë politike nga burime të ndryshme dhe të shumta. "Por, ILDKP-ja tashmë ka krijuar përvojën e duhur mbi hetimin administrativ dhe mendoj se do të jemi në gjendje, nëse ligjvënësi mendon se mund të na japë këtë përgjegjësi, që ta përballojmë me sukses",- tha ai. Dy ditë më parë, Transparency International Albania citonte përmes një raporti të përgatitur se partitë politike linin për të dëshiruar sa u përket shpenzimeve gjatë fushatës elektorale. Sipas kësaj organizate, nuk ka ende një informacion të plotë për donacionet private. "Informacioni ekziston vetëm për fondet e përftuara nga buxheti i shtetit, por nuk ka asnjë të dhënë për të ardhurat nga donacionet private. Në asnjë nga mjetet e informimit publik partitë politike nuk kanë deklaruar shumën totale të shpenzimeve të tyre gjatë kësaj fushate elektorale,"- thuhej në raportin e TIA-s.
KQZ: Partitë e vogla të kthejnë lekët e fushatës
TIRANË - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi sot vendimin për kthimin e sasisë së fondit të përfituar nga partitë, të cilat nuk kanë fituar asnjë mandat në Kuvend dhe rishpërndarjen e tij partive që kanë fituar mandat në Kuvend në zgjedhjet e 28 qershorit.
Për zgjedhjet parlamentare Qeveria vuri në dispozicion të subjekteve zgjedhore një fond prej 65 milion lekësh. Sipas kodit zgjedhor, 50 % e kësaj shume (32.5 milion lekë) u përfitua nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, ndërsa gjysma tjetër e tij iu nda partive politike që në zgjedhjet pararendëse për Kuvendin morën jo më pak se 2 vende në parlament.
Sipas relacionit të p/vendimit, janë 12 partitë që kanë përfituar fonde publike për zgjedhjet, nga të cilat 6 nuk fituan asnjë mandat dhe që duhet të kthejnë shumat e përfituara. Partia Socialdemokrate, Partia Agrare Ambjentaliste, Partia Aleanca Demokratike, Partia Demokracia Sociale, Partia Demokristiane dhe Partia Bashkimi Liberal Demokrate nuk kanë marrë asnjë mandat dhe duhet të kthejnë shumat e fondeve të përfituara, që në total përllogaritet në 12 milion e 728 mijë lekë.
Sipas vendimit, kjo shumë do iu shpërndahet partive që kanë fituar mandate në Kuvend dhe që janë: Partia Demokratike, Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Republikane, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe Partia për Drejtësi dhe Integrim, sipas përqindjes së fituar në parlament.
Pak dite me pare edhe Transparency International Albania ka publikuar raportin e saj të fundit për financat e partive, sipas të cilit partitë kanë fshehur shpenzimet dhe faturat e fushatës elektorale.
TIA bën thirrje që partitë t'i japin fund heshtjes së tyre të plotë lidhur me një transparencën që duhet të bëjnë për fondet e tyre.
"Partitë politike janë në mungesë transparence dhe nuk respektojnë Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor"- thuhet në raport, madje në të ngrihen edhe dyshime se fushata mund të jetë bërë edhe me financime të paligjshme, apo me fonde publike.