Kuvendi nis punën, PD në vështirësi pa PS
Aktiviteti i komisioneve rrezikon të kthehet në nul, për shkak të mosplotësimit të kuorumit
TIRANË - Megjithëse i përgjysmuar në numra për shkak të bojkotit të opozitës, Kuvendi ka nisur dje aktivitetin e tij në komisione. Ekonomia dhe Ligjet kanë qenë dy komisionet e para që kanë nisur nga puna, duke miratuar dje jo vetëm agjendën e tyre të punës, por edhe aktet e para ligjore.
Por, aktiviteti i tyre rrezikon të kthehet në nul, kjo për shkak të mungesës së numrave të nevojshëm për të bërë kuorumin e detyrueshëm për zhvillimin e punës në komisione.
Kështu, të dy këto komisione kanë vijuar punën e tyre duke e konsideruar veten në mazhorancë, pavarësisht se deri tani nuk është bërë e ditur nga Kuvendi se sa do të jetë numri i anëtarëve të tyre. Megjithatë, edhe vetë mazhoranca është e vetëdijshme për një problem të tillë dhe vështirësitë që krijon mungesa e deputetëve socialistë në jetën parlamentare.
Por, pavarësisht këtij ngërçi, kreu i komisioneve të Ligjeve, Ilir Rusmali, ka deklaruar dje në fillim të mbledhjes se ky komision do të vijojë punën në këtë gjendje ku mungonin deputetët e opozitës dhe me kthimin e tyre do të bëhej dhe riorganizimi i tij.
"Për shkak të mungesës së deputetëve të opozitës jemi të detyruar që ta vazhdojmë aktivitetin tonë parlamentar në Komisionin e Ligjeve në këtë mënyrë, deri në kthimin e deputetëve të opozitës, ku dhe do të bëjmë riorganizimin e punës në këtë komision", - tha Rusmali.
Ndërsa kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho, ka qenë më i drejtpërdrejtë në kërkesën e tij drejtuar deputetëve të mazhorancës. Në fillim të mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë, Spaho u ka bërë thirrje deputetëve të mazhorancës, që të mos mungojnë asnjë mbledhje, pasi në të kundërt, nuk do të mund të plotësohej kuorumi i nevojshëm për diskutimin e drafteve.
Kërkesa
Mospërmbushjen e reformave, si rezultat i mungesës së opozitës, e ka paralajmëruar dje kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali. Ky i fundit deklaroi pas mbledhjes së Komisionit të Ligjeve se veçanërisht reforma në drejtësi kërkon jo vetëm prezencën e opozitës, por edhe bashkëpunimin e kësaj të fundit.
"Ne e kemi filluar punën pa prezencën e opozitës, ndërkohë që reforma në drejtësi kërkon jo vetëm prezencë, jo vetëm bashkëpunim, por edhe kontribut real të opozitës, me qëllim që ajo të jetë reformë e qëndrueshme dhe afatgjatë.
Sigurisht, kur ata të jenë bashkë me ne në komision, ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet si parlamentarë, por do të kërkojmë dhe të gjithë kontributin e ekzekutivit që reforma në drejtësi të ecë përpara", - tha dje Rusmali.
Në këto kushte, kryetari i Komisionit të Ligjeve ka kujtuar një draft të rëndësishëm, ai për gjykatat administrative, i kërkuar për miratim nga bizneset. "Ju jeni njohur me kërkesën insistuese të biznesit, që ky ligj të ecë përpara dhe ai është një ligj emblematik për bashkëpunimin me opozitën.
Në atë ligj ne kemi marrë gjithçka që opozita ka pasur si pretendime substanciale për përmbajtjen e ligjit dhe është realisht keqardhje e madhe, që ai të flejë në sirtar dhe të mos miratohet në Parlament",- tha ai, duke ftuar opozitën që të behët pjesë e proceseve integruese përmes pjesëmarrjes së saj në Kuvend.