Financimi i fushatës, PD bën transparencë
TIRANE- Partia Demokratike është i vetmi subjekt zgjedhor që bën transparencën e donacioneve private që ka mbledhur për fushatën e saj elektorale. Në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, selia blu ka detajuar shumat në lekë, në euro dhe në dollarë që ka përfituar deri në datën 8 qershor nga biznesmenë të ndryshëm.
Konkretisht, në llogarinë e posaçme bankare që PD-ja ka hapur për këtë qëllim në Bankën ‘Credins’ janë depozituar gjithsej 168.634 lekë, 169.086 euro si edhe 168.085 dollarë. Publikimi i donacioneve private është një detyrim i Kodit Elektoral. Në pikën 2 të nenit 90 shprehimisht thuhet se: “Dhurimi i fondeve jopublike me vlerë më të madhe se 100 mijë lekë duhet të bëhet vetëm në një llogari të posaçme të hapur në një bankë nga subjekti zgjedhor.
Në përpjekje për të zbatuar Kodin, edhe Lëvizja Socialiste për Integrim ka tentuar të publikojë donacionet e përfituara për fushatën e saj zgjedhore. Por, përveç faktit se ka çelur një llogari bankare në Bankën ‘Credins’, ky subjekt elektoral nuk specifikon shumën e përfituar. LSI-ja sqaron se deri në datën 29 maj ka mbledhur donacione në vlerën prej 171.864, por pa e sqaruar llojin e monedhës, nëse bëhet fjalë për lekë, euro apo dollarë.
Veç PD-së dhe LSI-së, PS dhe 32 subjektet e tjera zgjedhore në garën elektorale nuk kanë bërë ende të ditur shumën e donacioneve që kanë mbledhur nga biznesmenët pranë saj.
Kodi Zgjedhor nuk ia mundëson KQZ-së të drejtën për t’iu kërkuar partive politike të bëjnë publike para ditës së zgjedhjeve, emrat e biznesmenëve që iu japin donacione gjatë fushatës elektorale. Neni 91 i Kodit sanksionon se, publikimi i emrave të tyre do të bëhet jo më vonë se 45 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, kur KQZ-ja të ketë miratuar grupin e ekspertëve kontabël që do të kryejnë auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara për fushatën zgjedhore.
(s.g/BalkanWeb)