Financimi i paligjshëm i fushatës, çelen hetimet për akuzat ndaj Sarkozisë
Prokurorët kanë nisur dje hetimin në lidhje me pretendimet për një financim të paligjshëm të fushatës elektorale të Presidentit aktual të Francës, Nikolas Sarkozi. Kjo lëvizje pasoi akuzat e bëra nga një ish-llogaritar i trashëgimtares më të pasur franceze, Lilian Bettencourt. Llogaritari thuhet se i ka raportuar policisë që ishte i përfshirë në dhënien e shumës prej 150 mijë eurosh shefit të financave të fushatës zgjedhore të Sarkozisë gjatë fushatës së vitit 2007. Shefi i financave, Eric Woerth, që është aktualisht ministër në kabinetin e Presidentit francez, ka mohuar kategorikisht çdo lloj akuze që i është bërë, ndërkaq edhe vetë Sarkozi, duke i mohuar akuzat, i ka cilësuar ato si “shpifje”. Ish-financieri i firmës “L’Oreal” ka bërë të ditur se shumën e sipërpërmendur të parave ia ka dorëzuar dorazi dhe personalisht zotit Woerth, që është ndër të tjera edhe shefi i thesarit të partisë së Presidentit aktual. Deklaratat e tij janë bërë publike në një sajt të famshëm francez lajmesh, pasi ai ka deponuar të hënën në polici në lidhje me këtë çështje. Aktualisht Presidenti është duke u përballur me një presion shumë të madh lidhur me këtë çështje, që ka të bëjë edhe me një gjyq ku diskutohet pasuria e jashtëzakonshme e trashëgimtares prej 17 miliardë eurosh. Gjyqi është çelur një javë më parë. Ministri i akuzuar është ndërkohë në krye të një reforme aspak popullore në Francë për sistemin e pensioneve, i cili sipas asaj çka pretendon Sarkozi, duhet të ndryshojë me rritjen e moshës së daljes në pension nga 60 që është aktualisht, në 62. Në këtë zhurmnajë kanë dalë thirrje për dorëheqjen e ministrit pas akuzave të rënda që i janë bërë. Në një intervistë televizive të një ditë më parë, ministri mohoi gjithçka, duke e cilësuar këtë situatë si pasojë të një “komploti politik të organizuar nga socialistët”. Më parë opozita e majtë franceze la punimet e Parlamentit në mesin e tyre, në shenjë proteste pas akuzave që u bëri ministri eksponentëve të socialistëve, se po përdorin metodat e ekstremistëve të djathtë, duke e mbajtur vazhdimisht nën presion për akuzat që i janë bërë. Por ministri ka qenë në vëzhgim dhe kritika edhe për shkak të gruas që ka punuar për kompaninë që menaxhonte pasurinë e trashëgimtares së pasur dhe emrat e tyre janë shfaqur në regjistrimet e bëra në fshehtësi nga maxhordomi i trashëgimtares. Regjistrimet sugjerojnë se vetë Bettencourt ka bërë dhurata në para për anëtarët e partisë së Sarkozisë, përfshi edhe ministrin vetë dhe se ajo në këmbim të kësaj ka përfituar shmangien e taksave. Gruaja e ministrit u largua së fundmi nga posti që kishte në kompaninë e sipërpërmendur për shkak të konfliktit të interesave. Këto xhirime janë pranuar si prova në gjyqin e hapur një javë më parë. Sipas ish-financierit të Bettencourt, edhe Presidenti i Francës ishte një nga politikanët e qendrës së majtë që kanë marrë rregullisht zarfe me para pas darkave që organizoheshin në shtëpinë e zonjës Bettencourt dhe burrit të saj, në një nga lagjet më të pasura të Parisit gjatë kohës kur Sarkozi ishte kryetar i bashkisë së lagjes.
#