Pse QKK-ja mbyt që në djep Festivalin tonë?
Në datën 28 qershor, pas një maratone shtyrjesh të datave të mbledhjeve të bordit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, dhe premtimeve të rreme për të na përgjumur dhe siguruar se “Tirana 48 Hour Film Project” do të merrej patjetër në konsideratë dhe do të mbështetej financiarisht, Qendra Kombëtare e Kinematografisë, në kundërshtim me premtimet e dhëna, merr një vendim të papritur dhe denigrues, duke harruar arsyen e ekzistencës së vetë kësaj qendre. Ajo denigroi në këtë mënyrë përpjekjen e 340 të rinjve kineastë, studentë dhe të pasionuar të kinemasë, duke mos mbështetur moralisht dhe financiarisht 16 filmat e krijuar prej tyre enkas për “Tirana-48 Hour Film Project”, festival i cili dha rezultatet e veta konkrete si një aktivitet tepër cilësor dhe i frytshëm.
Mbas 6 muajsh të një angazhimi dhe mobilizimi të madh të forcave alternative krijuese në funksion të kinemasë shqiptare, Qendra Kombëtare e Kinematografisë zhgënjen një iniciativë shpresëdhënëse dhe stimuluese, që ju ofroi kineastëve të rinj dhe të talentuar mundësinë për t’u shprehur në fushën e kinematografisë, duke ju siguruar vizibilitetin botëror dhe lidhje me festivalet më prestigjioze të filmit në botë, përfshirë edhe Festivalin e Kanës, ku madje fituesit në shkallë ndërkombëtare do të prezantohen në një seksion të veçantë. Gjatë zhvillimit të edicionit të parë të “Tirana-48 Hour Film Project” u krijuan 16 filma, prurje të kineastëve profesionistë, studentë të akademive të filmit dhe të arteve në vendin tonë, si dhe të artistëve të rinj. Në përgjithësi, ky projekt kishte për qëllim nxitjen dhe angazhimin e të gjitha energjive krijuese në fushën e filmit brenda dhe jashtë Shqipërisë. Arsyeja e paraqitur zyrtarisht nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë për mosmbështetjen financiare të projektit ishte përfundimi i festivalit para mbledhjes së bordit, data e mbledhjes të të cilit nuk dihet, dhe nuk ndjek një rregull të përcaktuar, por varet nga inspirimi dhe muza e secilit, duke penguar kështu zhvillimin e iniciativave gjatë 6-mujorit të parë të vitit. Ne duam t’u kujtojmë se kultura dhe arti janë kategoritë më të qëndrueshme dhe më të rëndësishme të identitetit të një kombi. Në dekadat e fundit është bërë kaq e zakonshme të dëgjosh për Shqipërinë në kontekstin e rrënimit, kaosit dhe mosfunksionimit, se sa e zakonshme është ta konsiderosh kulturën e saj si një subkulturë, të pa civilizuar, si një vend krejt i margjinalizuar, si botë e tretë, ku është e vështirë të dallohet moderniteti dhe progresi. Pikërisht, si për ta konfirmuar stereotipin e propaganduar të një kulture të pa spikatur të një vendi ku mbretëron kaosi dhe korrupsioni, Qendra Kombëtare e Kinematografisë vendosi të mos i ndryshojë këto metoda për t’i qëndruar besnike klientelizmit. Le të mos flasim pastaj për politikat afatgjata kulturore, që as nuk bëhet fjalë, as nuk ekziston një ide e tillë. Deri kur do të vazhdojmë kështu?
“Tirana 48 Hour Film Project” kontribuon në jetën e shoqërisë civile shqiptare, përmes trajtimit të problematikave aktuale, me të cilat përballemi në jetën tonë të përditshme.
Ky festival ju krijon mundësinë forcave të reja krijuese të realizojnë filmat e tyre dhe t’i prezantojnë ato në festivale ndërkombëtare, duke u ballafaquar dhe duke shkëmbyer eksperiencën e tyre me krijues të tjerë të njohur në këtë fushë në shkallë ndërkombëtare. Zhvillimi i edicionit të parë të “Tirana 48 Hour Film Project” i dha një shtysë dinamike zbulimit dhe stimulimit të kineastëve të rinj të talentuar shqiptarë, të cilët prodhuan me sukses filmat e tyre të parë. Ky festival dha një kontribut shumë të madh në promovimin e qytetit të Tiranës, duke tentuar përmirësimin e imazhit të kryeqytetit tonë, për ta paraqitur atë si një qytet me një dinamikë të pasur artistike dhe kulturore, që synon të integrohet dhe t’i bashkohet kulturës europiane. Lind spontanisht pyetja: ku i mbështet Qendra Kombëtare e Kinematografisë arsyet dhe motivet për të mos mbështetur financiarisht një aktivitet të tillë cilësor, që midis të tjerave, i shërbeu direkt të paktën njërit prej qëllimeve themelore të krijimit të saj si qendër kinematografie. A nuk zhgënjeu Qendra Kombëtare e Kinematografisë qysh në zanafillë ëndrrat dhe aspiratat tona? Dhe a nuk na e dha vetë armën për t’i luftuar metodat dhe praktikat e punës së saj denigruese dhe deinkurajuese? Mund të themi pa frikë se ky mentalitet i prapambetur, kjo politikë rrënuese e propagandimit të kinemasë, ka bërë që Tirana jonë e dashur, të jetë në listën e qyteteve më të varfra kinematografike dhe me më pak salla kinemaje në botë.
Robert Aliaj Dragot
#