E Diel, 1 Nëntor 2026

Financimi për mbrojtjen sociale 279,7 miliardë lekë në buxhetin e vitit 2027

TIRANË, 30 tetor/ATSH/ Buxheti për vitin 2027 parashikon të vijojë të financojë sektorët prioritarë, duke ruajtur ekuilibrin ndërmjet përmirësimit të mirëqenies së jetesës dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot gjatë prezantimit në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat të projektligjit “Për Buxhetin e vitit 2027” se për periudhën 2027-2029 investimet publike do të jenë mesatarisht rreth 6,6% e PBB-së në çdo vit buxhetor, duke përfshirë edhe investimet e reja publike që potencialisht do të mundësohen në kuadër të Planit të Ri të Rritjes të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

Për vitin 2027, Malaj tha se investimet publike do të përfaqësojnë 6,9% të PBB-së ose 201,5 miliardë lekë, mbi 2 miliardë euro, për infrastrukturën, shërbimet publike dhe projektet që mbështesin zhvillimin ekonomik.

Ministri tha se për vitin 2027, financimi për mbrojtjen sociale arrin në 279,7 miliardë lekë, ose rreth 30% të shpenzimeve të përgjithshme buxhetore.

Ndërsa për arsimin, projektbuxheti 2027 parashikon që shpenzimet e këtij sektori të arrijnë në 93,6 miliardë lekë.

Malaj renditi prioritetet kryesore që do të financohen si, 1,1 miliardë lekë shtesë për rritjen e bursave për studentët nga familjet në nevojë, 400 milionë lekë shtesë për përmirësimin e infrastrukturës së arsimit bazë, 500 milionë lekë do të investohen për programin “Pas Shkollës” (After School), duke mundësuar zgjatjen e orarit për fëmijët që qëndrojnë pas shkolle deri në orën 17:00 dhe 100 milionë lekë shtesë për kërkimin shkencor.

Sa i përket shëndetësisë, ministri i Financave deklaroi se shpenzimet parashikohen në 87,2 miliardë lekë, dhe krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2026, “kemi një rritje prej 6 miliardë lekësh”.

Masat kryesore përfshijnë 1 miliard lekë financim shtesë për barnat dhe pajisjet mjekësore, në mbështetje të shërbimeve spitalore dhe kujdesit shëndetësor parësor e dytësor, trajtimin me receta të rimbursueshme për 400 mijë pacientë si dhe rehabilitimin dhe ndërtimin e 20 spitaleve në vend.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›